E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Abuzues me pronat, edhe ata që janë sot në politikë

• Presidenti Bamir Topi i është rikthyer kritikave ndaj qeverisë lidhur me çështjen e pronave.Duke folur në emisionin "Top Show" të moderatorit Alban Dudushi, kreu i shtetit ka folur mjaft ashpër lidhur me këtë çështje, duke thënë se njerëz që sot merren me politikë janë ndër abuzuesit më të mëdhenj me pronat. Duke iu referuar një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që sipas presidentit do të bëhet publik së shpejti, abuzimet me tokat janë mjaft të mëdha. "Do të shikoni nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që do të dalë shumë shpejt, janë të dhëna parciale, janë me dhjetëra mijë metra katrorë që janë administruar nga abuzuesit, duke filluar nga komisionet e tokave pranë komunave, duke vazhduar me abuzues të tjerë në zyrat qendrore, me abuzues të tjerë nga sistemi i drejtësisë", u shpreh Topi. Sipas kreut të shtetit, "pjesa më e dhimbshme e këtij procesi është që këta njerëz që në një moment të caktuar janë bërë abuzues direkt mund t'i shohësh sot edhe në politikë, mund t'i shohësh sot edhe në pozicione shumë të rëndësishme të administratës. Dhe më e keqja është që këta mbjellin një klimë psikologjike edhe tek këta të tjerët që janë sot, se mund të abuzoni se nuk ju gjen asgjë". Në të njëjtën kohë presidenti i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që pasi të bëhet zyrtar raporti i Kontrollit të Lartë të shtetit, të nisë hetimin lidhur me të gjitha abuzimet që janë bërë me pronat në Shqipëri. Incidenti me HarxhinGjatë kësaj interviste, kreu i shtetit është pyetur edhe për incidentin me zv/ministren Edit Harxhi, e cila ka tentuar të bllokojë dhënien e titullit "Honoris Causa" për kreun e shtetit, para se atë ta merrte kryeministri Berisha. Presidenti Topi i ka hedhur poshtë të gjitha këto zëra, por duke bërë të ditur për herë të parë se, duke iu referuar përgjimeve të kryera, këtë e ka iniciuar një eksponent i medias. "Unë mund ta deklaroj këtu që zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, zonja Harxhi, ka qenë pjesë mjaft aktive e mbështetjes së kësaj vizite dhe dëgjojeni këtë drejtpërdrejt, pikërisht, nga goja ime. Në rrjetën e interceptimeve që u bëhet agjenturave serbe në Shqipëri, ditët e fundit, është peshkuar edhe një eksponent i medias, i cili në kulmin e vizitës së presidentit në Kosovës, i jepte garanci agjentit serb: "Shikoni se ç'do t'i bëj presidentit në gazetë, sepse presidenti kishte akuzuar politikën serbe dhe ruse që po minon procesin e paqes dhe marrjes së pavarësisë së Kosovës", theksoi kreu i shtetit. Në të njëjtën kohë, presidenti i ka kërkuar mediave që të jenë më të kujdesshme, sidomos në këto momente në prag të pavarësisë së Kosovës.Për Moisiun"Absolutisht, unë kam pasur vlerësimet e mia për ish-presidentin Moisiu. Nuk jam kushtëzuar nga klima politike. Jam munduar të jem i ftohtë në gjykimet e mia. Kam ndarë në mënyrë të qartë betejën politike, e cila në Shqipëri sikurse dihet, herë pas here akutizohet dhe zhvillohet me tone shumë të ashpra".Debati në drejtësi"Vendimmarrjen askush nuk ia heq politikës, Parlamentit. Eshtë një gjë që e ka tagër ekskluziv, por të konsultohesh, aq më shumë të konsultohesh me njerëzit që janë profesionistë, me njerëzit që janë pjesë e strukturave të drejtësisë kur bëhet ligji për drejtësinë, besoj që ky është një moment që nuk vlen të diskutohet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›