E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i Manastirit, Gruevski fton Berishën në Maqedoni

Kryeministri i Maqedonisë (FYROM), Nikolas Gruevski, fton homologun shqiptar, Sali Berisha, që të marrë pjesë në Akademinë solemne për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Z. Berisha priti dje sëvendëskryeministrin e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), z. Abdilaqim Ademi. Kryeministri Berisha dhe zv.kryeministri Ademi bashkëbiseduan për probleme të bashkëpunimit midis vendeve dhe, në mënyrë të veçantë, për bashkërendimin e veprimtarive për përkujtimin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Z. Ademi, në rolin e kryetarit të Komitetit Organizator të Përkujtimit të Kongresit të Manastirit, nga pala maqedonase, e informoi Kryeministrin Berisha për masat e marra nga ana e qeverisë maqedonase për këtë jubile dhe i përcolli Kryeministrit Berisha ftesën e Kryeministrit Gruevski, për të marrë pjesë në Akademinë solemne për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Kryeministri Berisha e pranoi me kënaqësi ftesën. Kryeministri Berisha e siguroi zv.kryeministrin Ademi për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme nga ana e qeverisë së Republikës së Shqipërisë për organizimin me sukses të festimeve të jubileut të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, si një ngjarje shumë e rëndësishme e historisë së kombit shqiptar. Të dy personalitetet diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet në rajon.

Shqipëri-Maqedoni, manifestime për Kongresin e Manastirit

Shqipëria dhe Maqedonia do të koordinojnë së bashku aktivitetet, që do mbahen për nder të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Zëvendëskryeministri, z. Genc Pollo, takoi dje në kuadër të koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta që do të mbahen për nder të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit në muajin nëntor të këtij viti, një delegacion të kryesuar nga z. Abdilaqim Ademi, zëvendëskryeministër i qeverisë së Maqedonisë dhe kryetar i këshillit për organizimin e manifestimeve të 100-vjetorit te Kongresit të Manastirit. Në takim, krahas vlerësimit të marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet dy vendeve, u diskutua për prioritetet e përbashkëta, procesin integrues euroatlantik, hapat që duhen ndërmarrë për realizimin e objektivave të përbashkëta, si dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Një vend të veçantë në takim, zuri diskutimi për koordinimin e aktiviteteve që do të organizohen në Shqipëri dhe Maqedoni në muajin Nëntor të këtij viti, për nder të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, që hartoi alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe. Z. Pollo, në cilësinë e kryetarit të komitetit organizues, duke vlerësuar rëndësinë historike, jo vetëm shkencore, arsimore e kulturore, por edhe politike kombëtare të veprës së këtij Kongresi, shprehu angazhimin e plotë të qeverisë Shqiptare për ta përkujtuar atë në përmasat e cilësinë e merituar. Ky komitet do të koordinojë punën me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, atë të Kosovës, Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, fakultete të ndryshme dhe qendra të tjera brenda e jashtë vendit, për tërësinë e aktiviteteve që do të mbahen jo vetëm në Shqipëri, por do të bashkërendojë punën dhe tërësinë e aktiviteteve, që do të mbahen me këtë rast në Maqedoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›