E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi dhe Prifti do të përballen në një zonë elektorale në Fier

08/04/2005  Deputetë aktual të PS kanë kërkuar shmangien e "një anëtar, një votë"

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti dhe deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, pritet të përballen në të njëjtën zonë elektorale në rrethin e Fierit për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Deputeti Prifti, i kontaktuar nga "Metropol", është shprehur se do të rikandidojë në zonën elektorale numër 72, kësaj herë për siglën e LSI-së, nga ku pretendon që të sigurojë dhe fitoren në këto zgjedhje. Nga ana tjetër, mësohet se një nga kandidaturat e mundshme të PS-së përballë Priftit duket se do të jetë deputeti Koçi. Kjo përballje mes dy deputetëve do të shënonte një nga garat më të forta në garën elektorale. Gjithsesi, ende nuk është përcaktuar pozicioni në këtë garë i deputetit Koçi, i cili ka mohuar një përplasje të tillë, duke u shprehur se "kjo zonë është shumë e lehtë për mua dhe për këtë qëllim partia më ka ngarkuar të rikandidaoj në zonën time tradicionale, pasi ka më shumë rivalitet". Gjithsesi, mes strukturave të PS-së në këtë rreth dhe bazës socialiste janë shënuar debate, lidhur me rikandidimin në këtë zonë të deputetit socialist, duke lënë akoma të paqartë nëse Koçi do të kandidojë në këtë zonë, apo do të lëvizë në ndonjë zonë tjetër. Nga ana tjetër, shumica e deputetëve aktualë të PS-së kanë mbajtur qëndrime kundërshtuese për zbatimin e formulës "një anëtar, një votë" në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet për këto zgjedhje, duke anashkaluar kështu preferencat e anëtarësisë socailiste. Kjo duke u arsyetuar se anëtarësia është ende e papërgatitur për të bërë një përzgjedhje të emrave, që do ta përfaqësojnë atë për katër vjet në parlament.

Komisioni Organizativ paraqet ndryshimet në statut

Komisioni organizativ në Partinë Socialiste ka përfunduar draftin e ndryshimeve në statutin e partisë. Burimet kanë bërë të ditur se veç kompetencave të KZE-ve në mbledhjen e kongresit të partisë do të ketë kërkesa dhe për funksionet që duhet të kenë anëtarët e Kryesisë së Partisë Socialiste. Ndërsa një element i rëndësishëm do të jetë dhe mënyra e përfaqësimit të deputetëve socialistë në seancën parlamentare. Komisioni organizativ ka vendosur që të kërkojë që deputetët me karizmatik të jenë të bashkuar ashtu si dhe anëtarët e Kryesisë së PS-së. Në këtë mënyrë do të arrihet që situatat e krijuara në seancën parlamentare të jenë më të kontrolluara, duke sjellë një debat më konkret dhe të arsyetuar në seancat parlamentare. Burimet kanë bërë të ditur se komisioni ka vendosur dhe një sërë ndryshimesh të tjera në statutin e partisë, duke theksuar nevojën për një qartësim të hierarkive të funksionarëve dhe të strukturave përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›