E Diel, 1 Nëntor 2026

Propozohet amendamenti “anti-Dushk”

08/04/2005  Partia Demokratike merr masa për të penguar rizbatimin e formulës së zonës 61 të Lushnjës

Ndryshimi i Kodit nuk lejon ndarjen e votës së kandidatit nga subjekti

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi dje se opozita do të paraqesë në parlament një amendament për të ndalur që zgjedhjet e ardhshme të kthehen në një “megadushk” nga mazhoranca. Lideri demokrat e konsideroi marrëveshjen e PS-së me aleatët për zgjedhjet e ardhshme si një akt të shëmtuar, i cili tenton të risjellë edhe një herë në kujtesën e shqiptarëve fenomenin e Dushkut të vitit 2001, vetëm se tashmë me përmasa disa herë më të mëdha. Në zgjedhjet e atij viti PS-ja i bëri thirrje elektoratit në zonën 61 të Lushnjës që votat e subjektit t'i kalojnë aleatëve të saj. “Unë dua të deklaroj se një veprim i tillë, i kalimit të votave te partitë e tjera përbën një shkatërrim të parimit themelor elektoral të barazisë. Në këtë kontekst, Partia Demokratike do të ndërmarrë si nismë ligjore paraqitjen e amendamentit "anti-Dushk“ i cili konsiston në bashkimin e votës për kandidatët dhe partinë. Vota e kandidatit do të jetë dhe vota e partisë”, tha Berisha. Ndërkohë amendamenti “anti-Dushk”, është diskutuar dhe në takimin e mbasdites, që zhvilloi dje lideri i PD-së me ambasadoren amerikane, Marsi Rice dhe drejtorin e Evropës Juglindore në Departamentin e Shtetit, Charls English. "E njoha zotin English me amendamentin anti-Dushk që ne do të paraqesim në parlament, në mënyrë që forca elektorale e votës të mbetet e barabartë si një kusht themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në rast se Kryeministri dhunon zgjedhjet, atëherë do të përballet me pasoja të rënda”, tha Berisha.

Bashkëpunimi

Kreu demokrat u shpreh që në rast se partitë duan të bëjnë koalicione, atëherë forcat më të mëdha politike të lënë zona të lira për aleatët. Sipas tij, kjo do të jetë dhe skema e bashkëpunimit e PD-së me forca të tjera opozitare në vend. “Ne jemi të gatshëm të lëmë zona të lira. Jemi të gatshëm të unifikojmë të gjitha kandidaturat. Në rast se e pranojnë këtë amendament, kjo nuk pengon në formimin e koalicioneve, përkundrazi i bën shumë më reale ato”, tha Berisha. Sipas tij, mazhoranca me skemën që ka vendosur të garojë në zgjedhje nuk po bën gjët tjetër vetëm se po i shkatërron ato.

Negociatat

Lidhur me ecurinë e negociatave me PDR-në e Pollos lideri demokrat u shpreh se ato po vazhdojnë dhe PD e ka vullnetin t’i çojë ato deri në fund. Berisha mohoi çdo lloj mundësie bashkëpunimi me LZHK-në e Leka Zogut. “Negociatat janë negociata dhe nuk mund të presësh që ato të ecin gjithnjë shpejt. E rëndësishme është se aleatët e kanë kuptuar sinqeritetin e PD-së si dhe vullnetin për të bërë lëshime. Në këtë kuadër do të jetë një spektër i gjerë partish, me të cilat ne do negociojmë, do të jetë partia e Pollos dhe të tjera, përveç atyre që deklarojnë se do të bëjnë koalicione me PS-në”, tha Berisha.

Berisha prezanton “Finalen” e Zogajt në Lezhë

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka udhëtuar dje drejt qytetit të Lezhës për të prezantuar librin e ri të Precc Zogajt “Finalja”. Në fjalën e tij lideri demokrat e cilësoi librin si një apel që u bëhet shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Kur lexon librin “Finalja” të Precc Zogajt, është normale të shtrosh pyetjen: ccfarë e ka shtyrë poetin e ndjenjave të forta të kalojë në një libër të një zhanri tërësisht politik. Pra, libri për Preç Zogajn është një apel. Precc Zogaj nuk vjen këtu si militant i PD-së, vjen këtu si militant i interesit kombëtar, si militant i interesit qytetar, si militant i interesit demokratik të shqiptarëve”, tha Berisha. Ndërkohë, Lezha, qyteti i lindjes së shkrimtarit Zogaj, është dhe zona elektorale, ku ky i fundit pritet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të PD-së. Promovimi i librit “Finalja” i ka shërbyer Berishës dhe për prezantimin e Zogajt si kandidat për deputet në këtë zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›