E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, më 11 prill shqyrton qiratë

08/04/2005  Gjykata pranon kërkesën e shoqatës së familjarëve që banojnë në shtëpitë e pronarëve

5500 kryefamiljarë kërkojnë zgjidhje për nenin 9 të ligjit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë kërkesën e familjeve që banojnë me vendim qeverie në shtëpitë e ish-pronarëve. Burimet kanë bërë të ditur se në ditën e hënë më 11 prill, kushtetuesja do të zhvillojë seancën e parë, ku do të kërkojë sqarime nga shoqata e qiraxhinjve. Në këtë mbledhje pritet që të jenë dhe përfaqësuesit e Prezencës së OSBE-së në rolin e monitoruesit, juristët e parlamentit në postin e subjektit që ka marrë vendimin në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe përfaqësuesit e Shoqatës Pronësi me Drejtësi në rolin e palës së prekur.

Kërkesa

Në thelb të kërkesës së qiraxhinjve është shpallja e pavlefshme të nenit 9 të kthimit dhe kompensimit të pronave. Në këtë nen është përcaktuar se pas shtatorit të vitit 2006, qiraxhinjtë që janë vendosur në shtëpitë e pronarëve, me vendim të qeverisë së para vitit 1991, do të jenë të detyruar që të paguajnë qiranë sipas vlerës së tregut. Ndërsa pas shtatorit të vitit 2007, këta familjarë duhet të gjejnë një vend tjetër banimi, ose të lidhin kontratë me pronarët. Këto përcaktime janë cilësuara të padrejta nga shoqata e qiramarrësve, pasi, sipas tyre, është shteti që i ka detyruar të vendosen me gjithë familjet në këto objekte. Ndaj dhe duhet të jetë shteti që duhet të paraqesë një tjetër zgjidhje për ta. Për këtë janë shtruar si rrugëzgjidhje kreditë e buta për blerje shtëpie, ose dhënie e ambienteve të tjera me çmime të qirasë së reduktuar. Ndërkohë, në nenin 9 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, thuhet se shteti duhet të gjejë një zgjidhje brenda tri viteve nga hyrja në fuqi e tij. Por, pas këtij afati, nuk ka asgjë të garantuar për të dy palët, si për pronarët ashtu dhe për qiraxhinjtë.

Situata

Në Shqipëri janë rreth 3500 ndërtesa të pronarëve, por që nuk iu janë kthyer ende. Në vitet 1944 deri në vitet 1972, qeveria komuniste ka shpronësuar pronarët dhe në banesat e tyre ka vendosur persona të tretë. Pas viteve 1992, këto ndërtesa iu njohën pronarëve, por që nuk iu janë kthyer ende. Sipas statitikave, në to banojnë 5500 familje. Afatet për të zgjidhur këtë problem janë styrë disa herë, por pa marrë masa konkrete. Mësohet se vetëm 5 për qind e të gjitha rasteve është arritur në një zgjidhje. Megjithatë duket se do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese që do të japë një zgjidhje me konkrete për këtë situatë. Sipas Kushtetutës, vendimet e kësaj gjykate janë të pakontestueshme dhe janë të detyruara për t'u zbatuar. Ndaj dhe çdo vendim do të jetë i formës së prerë dhe i detyrueshëm për t'u zbatuar.

Pronarët

Në të kundërt me këtë, shoqata e pronarëve thekson se nuk është e drejtë që në pronën e tyre të banojnë persona të tretë dhe të mos paguajnë vlerën e duhur të qirasë. Madje, ata theksojnë se nga debatet e lindura dhe banesat janë në rrezik të përhershëm, pasi askush nuk investon për mirëmbajtje. Pronarët nuk kanë mundësi, pasi qiraxhinjtë nuk lejojnë ndërhyrjen, ndërsa qiraxhinjtë nuk investojnë për mirëmbajtje, pasi nuk e dinë se dhe sa kohë do të jetojnë në këto apartamente.

Më 21 prill votohet shtyrja e afatit për ish-pronarët

Kuvendi i Shqipërisë do të votojë në datën 21 prill kërkesën e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të shtyrë afatet që kanë në dispozicion pronarët për të kërkuar kompensimin e tyre. Në kërkesë, Komiteti është shprehur se duke qenë se përgatitja e Metodikës dhe miratimi i saj, nuk ka përfunduar në afatet e duhura, gjë që ndikon në veprimin e pronarëve për të kërkuar të drejtën e tyre, kërkohet që afatet e parashikuara në ligj të shtyhen dhe një vit. Në ligjin e miratuar më 29 korrik të vitit që shkoi, thuhet se pronarët kanë të drejtë që të paraqesin kërkesën e tyre deri në një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërsa komisionet e qarqeve janë të detyruara që të japin një vendim mbi kërkesat brenda 35 ditëve nga paraqitja e saj. Në rast se komisioni nuk arrin që të marrë vendim, çështja i kalon Komitetit Shtetëror, i cili është i detyruar që të japë vendim brenda 45 ditëve. Ndërsa dhe në rastet kur ndaj vendimit të komisionit vendor ka një ankesë, afati shtyhet dhe 40 ditë të tjera. Por pronarët nuk kanë mundësi të paraqesin kërkesën e tyre, sepse as komisionet vendore nuk mund të japin një vendim përfundimtar, pasi nuk e dinë se sa do të jetë çmimi i tokës që do të kompensohet, apo dhe se ku do të jetë vendi që do të marrin kompensimin pronarët. Një situatë e tillë ka detyruar Komitetin Shtetëror që të paraqesë një kërkesë për shtyrjen e afatit përfundimtar të parashikuar në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pritet që kërkesa të votohet njëkohësisht me Metodikën për vendosjen e çmimeve të tokave në procesin e kthimit dhe të kompensimit. Javën e ardhshme pritet që në komisionet parlamentare të nisë diskutimi për kërkesën e shtyrjes së afateve si dhe për miratimin përfundimtar të Metodikës së vendosjes së çmimeve. Tashmë çështja e miratimit të Metodikës së çmimit të tokave ka mbetur në diskutimin që do të zhvillohet të hënën në Komisionin parlamentar të Bujqësisë, pasi ai i Ekonomisë tashmë ka dhënë votën pro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›