E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nuk kam vendosur ende për të tërhequr kandidaturën për PD-në e Tiranës“

08/04/2005  Garimi në Shijak ul mundësinë për zgjedhjen e Sokol Olldashit në krye të degës së kryeqytetit

Deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, tha dje, në një prononcim për “Metropol,” se akoma nuk ka vendosur në do ta tërheqë apo jo kandidaturën e tij për kryetar të PD-së dega Tiranë. “Akoma nuk kam vendosur për këtë çështje. Kur të marr një vendim, do të shprehem dhe lidhur me veprimet e mia të mëtejshme. Tani për tani jam i angazhuar të fitoj në zonën ku jam caktuar”, tha Olldashi. Në listën e propozimeve si kandidatë për kreun e PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi, është ndër më të preferuarit e seksioneve të degës së kryeqytetit. Por, në bazë të praktikës së mëparshme, në përgjithësi, kreu i degës së Tiranës, është njëkohësisht dhe kandidat për deputet ose deputet i zgjedhur në një nga zonat e kryeqytetit. Gjithsesi, statuti nuk shprehet lidhur me këtë çështje dhe është kryesia e partisë, ajo që vendos se kë do të vërë përballë në kuvendin e degës për kryetar të PD-së në kryeqytet. Në listën e propozimeve janë 25 emra të propozuar nga 600 seksione dhe 16 degë. Më të votuarit, sipas burimeve nga kryesia e PD-së Tiranë, janë Sokol Olldashi, Bamir Topi, Spartak Ngjela dhe Bujar Nishani. Përveç Olldashit, tre favoritët e tjerët janë kandidatura për deputet në Tiranë. Gjithsesi, propozimet i kanë kaluar kryesisë qendrore, e cila do të vendosë së shpejti se cilin nga emrat e propozuar do të vërë përballë njëri-tjetrit në konferencën e Tiranës. Vetë Olldashi është anëtar i kryesisë qendrore dhe nuk përjashtohet mundësia që t’i lihet vetë atij në dorë të tërhiqet nga kandidimi apo jo. Në emrat e përfolur për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës veç të tjerëve është dhe emri i Lulzim Bashës, i anëtarësuar vetëm dy muaj më parë në Partinë Demokratike dhe i zgjedhur anëtar kryesie në një nga nëndegët e kryeqytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›