Mungojnë Cana dhe Salihi, dëmtim i lehtë për Vangjelin
Ka nisur dje grumbullimi i radhës i ekipit kombëtar për ndeshjen e 9 shtatorit ndaj Danimarkës në “Qemal Stafa”. Të parë që janë bashkuar grupit të Kuzhesë kanë qenë futbollistët e kampionatin shqiptar dhe më pas edhe legjionarët nga kampionate të ndryshme jashtë Shqipërisë. Deri mbrëmjen e djeshme nuk kishin mbërritur vetëm Lorik Cana nga Anglia dhe Hamdi Salihi nga Austria. Mësohet se që të dy lojtarët do të jenë sot nën urdhrat e trajnerit të Kombëtares shqiptare. Salihi ka qenë i detyruar të qëndrojë në Austri për shkak se vetëm ditën e hënë, “in extremis” të merkatos së futbollistëve ka mundur të kalojë nga Riedi te Rapidi i Vjenës, ndaj i është dashur që të qëndrojë një ditë më shumë për të plotësuar transferimin për te kjo skuadër. Ndërsa Lorik Cana ka kërkuar një ditë më shumë leje dhe do të jetë pjesë e Kombëtares vetëm pasditen e sotme. Ndërkaq në seancën e parë dje janë parë probleme për mbrojtësin e Arisit të Selanikut, Kristi Vangjeli. Ky i fundit vuan nga një tërheqje muskulore që sipas të gjitha gjasave nuk do t’i krijojë probleme për të qenë në dispozicion të Kuzhesë për këtë ndeshje. Ndërkohë janë tetë lojtarë të Kombëtares, që për shkak të kartonëve të verdhë rrezikojnë të mos luajnë në ndeshjen e fundit eliminatore kundër Suedisë. Isli Hidi, Ansi Agolli, Andi Lila, Debatik Curri, Elvin Beqiri, Ervin Skela, Klodian Duro dhe Kristi Vangjeli, nëse ndëshkohen në ndeshjen me Danimarkën, e mbyllin edicionin. Deri më tani, lojtari më i ndëshkuar është Armend Dallku, i cili regjistron katër kartonë të verdhë, të cilët i ka shlyer, si për koincidencë në ndeshjet me Portugalinë, brenda dhe jashtë fushe.