Kodheli: Deklarata e Topallit, turp!
Ka qenë i menjëhershëm reagimi nga ana a opozitës, në lidhje me deklaratën që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë nga Elbasani për kreun e opozitës Edi Rama, duke e cilësuar atë të paaftë për të mbajtur të mbledhur një familje, dhe moralin e tij hipokrizi.
Zëdhënësja e Kryesisë së PSSH, Mimi Kodheli, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka hedhur poshtë këtë deklaratë duke e cilësuar të turpshme atë. Duke akuzuar drejtpërsëdrejti zonjën Topalli, zëdhënësja e PS, Kodheli ka theksuar se sulmi i familjes së të tjerëve për luftë politike, vjen si mosrespektim i familjes. "I them Zonja Topallit, se kush sulmon familjen e tjetrit për luftë politike, në fakt jo vetëm ska ide, por më keq akoma, nuk ka respekt për familjen e vet", ka theksuar Kodheli. Gjatë një deklarate për shtyp, të zëdhënëses së Partisë Socialiste sulmohen gjithashtu gjuha e përdorur nga kryetarja e Kuvendit, Topalli. "Më vjen keq që gjithë ato udhëtime si turiste politike nëpër Bashkimin Evropian, nuk i kanë mësuar Zonjën Topalli, se gjuha që ajo përdor në raste si ky i sotmi, në Evropë quhet Turp!", përfundon zëdhënësja e PS, Kodheli.