E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime në ligjin e legalizimeve, përshpejtohet procesi



Komisioni i Ligjeve miraton nenet e rrëzuara nga GJK-ja

Opozita, kundër: Prek kompetencat e pushtetit lokal

Komisioni i Ligjeve miratoi dje nenet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese në ligjin e legalizimeve. Ndryshimi në fjalë përcakton se në rast se bashkia nuk vepron, atëherë situatën e merr në dorë Agjencia e Legalizimeve. Nenet prekin pjesën e kontrollit final të dokumentacionit, një kompetencë e pushtetit lokal. Opozita e kundërshtoi këtë nismë, duke deklaruar se kjo kompetencë nuk po respektohet. Mazhoranca argumentoi se nenet nuk prekin kompetencat, madje i lejojnë pushtetit lokal të ndërhyjë, por në rastin kur një bashki apo komunë nuk bëhet palë e procesit normal, atëherë ndërhyn ligjërisht vetën ALUIZNI. Nga ana tjetër, Agjencia ka bërë të ditur se lejet nuk do të vonohen. Projektligji parashikon kalimin e kompetencave nga pushteti vendor tek Agjencia e Legalizimeve në rast se zyrat e urbanistikës dhe këshillat e qarqeve nuk dorëzojnë brenda afateve dokumentet që vërtetojnë aplikimet për ndërtimet e paligjshme. “Gjykata ka konkluduar se planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota dhe ekskluzive të autoriteteve vendore. Kjo që keni sjellë, është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, - tha deputeti i PS-së, Pandeli Majko. Mazhoranca reagoi duke thënë se bëhet fjalë për një rregullim të thjeshtë teknik. “Projektligji bën fjalë për procesin e legalizimit, nuk bën fjalë për administrimin e rregullt të territorit që u përket si kompetencë bashkive dhe komunave. Kështu që referencat që ju i jepni një gjëje tjetër, nuk mund të jenë bazë për arsyetimet për këtë çështje që është e veçantë”, - tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Ndryshimi i miratuar nga Komisioni i Ligjeve, pa votat e opozitës, përcakton veprimin e ALUIZNI-t në ato raste kur pushteti vendor nuk ndërhyn për ndërtimet apo objektet që mund të jenë pjesë e procesit të legalizimit. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk cenon thelbin e ndryshimeve të bëra në ligjin bazë, duke shfuqizuar vetëm disa dispozita, të cilat në fazën aktuale ku gjendet procesi i legalizimeve, kanë rëndësi periferike për vijueshmërinë e zbatimit të tij. Aktualisht, ALUIZNI ka përgatitur dokumentacionin tekniko-ligjor për pjesën dërmuese të ndërtimeve informale në të gjithë territorin e vendit dhe po zbaton procedurat kualifikuese për këto objekte.

Shpërndahen 150 leje legalizimi në Shkodër

Agjencia e Legalizimeve shpërndau dje 150 leje legalizimi në qarkun e Shkodrës. Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, tha se procesi po ecën sipas të gjitha hapave ligjorë dhe tashmë janë gati lejet për mijëra objekte informale në të gjithë vendin. Gjithashtu, Memia theksoi se tashmë u takon qytetarëve që të shkojnë dhe të shlyejnë të gjitha detyrimet për t’u pajisur me “Lejen e Legalizimit”. Në qarkun e Shkodrës janë deklaruar 18.000 objekte informale nga të cilat për 12688 janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhurnimi i tyre. Për 8627 objekte është kryer e gjithë procedura ligjore, tashmë ato janë të dixhitalizuara dhe janë të gatshme për qytetarët të cilët mund të shkojnë të pajisen me “Lejen e Legalizimit”, pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Në Shkodër është miratuar shpërblimi sipas vendimit të qeverisë për 51 familje ish-pronarësh. Për 705 familje të tjera ka dalë vendimi i qeverisë për kalimin e pronësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›