E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, fajtor i ngjarjes së Butrintit

Partia Socialiste vijon të konsiderojë Kryeministrin Berisha fajtor të tragjedisë së Butrintit, bilanci i të cilit është katër viktima. Kreu i kësaj partie, Edi Rama, gjatë një konference për shtyp tha se sipas dëshmitarëve, trafiku i paligjshëm ka filluar më parë, në të cilin janë përfshirë njerëz që realisht duhej të mbronin jetën e këtyre njerëzve. Referuar moratoriumit të mjeteve motorike i vendosur sapo PD-ja erdhi në pushtet, Rama vuri në dukje se ky moratorium ka ndaluar veprimtarinë e njerëzve të ndershëm, ndërsa për trafikantët deti dhe ujërat e Shqipërisë qenkan të hapura. “Kjo është shprehje tjetër e dhimbshme e kohës që jetojmë nën këtë Kryeministër dhe nën këtë qeveri. Sali Berisha është përgjegjës i drejtpërdrejtë për këto që ndodhin dhe po kaq të papërgjegjshëm janë tellallët e tij të paturpshëm. Sali Berisha ka përgjegjësi, sepse paaftësia, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni që e ka kapur Kryeministrin janë njëra anë e medaljes”, - tha Rama. Njëkohësisht, Rama reagoi ndaj deklaratës së zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu, e cila e konsideroi rastin e Butrintit si sporadik. Kreu i PS-së vlerësoi se nuk është as e moralshme, por as praktike që të bësh këtë që bën Sali Berisha dhe tellallët e tij, kur thonë se ky na qenka rast sporadik, ndërkohë që në Shqipëri gjatë gjithë kësaj periudhe siguria e jetës është e kërcënuar dhe se na është dashur jo një herë, por disa herë të ngremë flamurin e zisë për shkak se kanë humbur jetë të pafajshme të cilat. Sipas Ramës, “janë jetë të humbura në vullkanin e korrupsionit, janë jetë të humbura në zbrazëtinë ku mungon shteti, janë jetë të humbura në një hapësirë bashkëjetese që quhet atdhe, por që sot ka mbetur pa zot”.

PS: Keri ishte i pranishëm në 64-vjetorin e çlirimit të Kuçovës

Partia Socialiste përgënjeshtron shkrimet e disa mediave të cilat shkruajnë se në 64-vjetorin e çlirimit të Kuçovës nuk ka qenë i pranishëm asnjë deputet i kësaj partie, Në një deklaratë për shtyp bëhet me dije se në festë ka qenë i pranishëm deputeti i kësaj partie Pilo Keri. “Më datë 18 tetor 2008, në Kuçovë janë zhvilluar aktivitete me rastin e 64-vjetorit të çlirimit të qytetit. Fillimisht u vendosën kurora në lapidarin kushtuar kësaj feste dhe më pas u zhvilluan aktivitete që përfunduan në mbrëmje vonë me mitingun festiv, titulluar “Sofra kuçovare”. Ndryshe nga sa shkruanin disa media, për mungesë gjoja të deputetëve të PSSH-së, theksojmë se në këtë ditë përkujtimore, ka qenë i pranishëm gjatë gjithë ditës dhe ka përshëndetur në emër të deputetëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, deputeti socialist, z. Pilo Keri”, - thuhet në këtë njoftim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›