Strategjia e fushatës, Rama shmang Asamblenë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shmang një ndër strukturat më të larta vendimmarrëse të kësaj partie, Asamblenë Kombëtarë, nga organizimi i fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Tri javë pas mbledhjes së kryesisë, e cila miratoi unanimisht planin e organizimit të fushatës, nuk është mbledhur ende Asambleja Kombëtare për t’i dhënë miratimin përfundimtar, menjëherë pas të cilit duhet të fillonte zbatimi në bazë. Në të kundërt, pak ditë pas mbledhjes së kryesisë, selia rozë mblodhi të gjithë krerët e qarqeve të vendit duke u dhënë atyre planin e organizimit, i cili përmban në vetvete detaje të të gjithë hapave që duhet të hidhen. Në këtë mënyrë, AK-ja është anashkaluar nga e drejta e vendimmarrjes, duke e lënë gjithçka në dorë të kryesisë së partisë dhe pse me statut ky është organi më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve. Por duket qartë se frika nga kritizerët që Rama vazhdon t’i ketë akoma në përbërjen e AK-së, ka bërë që ai të mos e mbledhë atë. Disa herë në këto mbledhje një nga ish-themeluesit e PS-së, Servet Pëllumbi, por dhe anëtarë të tjerë të AK-së, kanë kritikuar politikat opozitare të ndjekura nga Edi Rama. Një tjetër arsye që mund të jetë shmangur ky organ drejtues, janë dhe problemet e hasura me deputetët dhe struktura të tjera të partisë në mënyrën organizative të punës, pa përmendur edhe debatin e brendshëm për listat e reja të deputetëve. Burimet pranë PS-ës thanë se nuk është folur për një mbledhje të afërt të AK-së, edhe pse ajo duhej mbledhur pas kryesisë së radhës. Por duket se ndarja e punëve që Rama ka bërë për anëtarët e kryesisë apo deputetët për punën e tyre në bazë, të cilat janë pjesë të organizimit mund të jetë një ndër arsyet që në AK të ketë përplasje. Për t’u përmendur është fakti se dokumenti që kanë marrë në dorë drejtuesit rajonalë nuk përmend asgjëkund se deputetët janë pjesë e shtabeve elektorale, duke u dhënë rëndësi strukturave të tjera të partisë si FGS, FRESSH etj.
Kështu, plani i fushatës elektorale ka nisur zbatimin në bazë, ndërsa mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare shënon në muajin korrik, kur u mbyll sesioni parlamentar i radhës. Duket se kryetari i kësaj partie është mjaftuar me marrjen e pëlqimit nga kryetari i AK-së, Gramoz Ruçi, pa u munduar të thërrasë pjesën tjetër të kësaj strukture. Konkretisht, neni 25, pika 9 i statutit të PS thotë se Asambleja Kombëtare ndër të tjera ka si detyrë që të vendosë për struktura organizative koordinuese në bazë territori në përputhje me funksionet elektorale. Ndërsa shtabi qendror në parti ka marrë jetë prej disa javësh, programi mbi të cilin do të funksionojë ai dhe të gjitha shtabet e komunave dhe bashkive në rrethe po udhëzohen se si të veprojnë, Asambleja Kombëtare nuk ka marrë ende asnjë gjë në dorë për të parë se si është plani.