E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Ilir Meta të mos bëhet palë me Berishën kundër buxhetit të Tiranës

>Pas akuzave të bërë nga LSI-ja përpara qytetarëve për Bashkinë e Tiranës gjatë takimit me strukturat e LSI-së së Tiranës, në kuadër të përgatitjes së fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit, Kreu i LSI-së, Ilir Meta kritikoi Edi Ramën në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë, se nuk ka bërë transparent destinacionin e taksave te paguara nga qytetarët e Tiranës. Dhe se,"buxheti i bashkisë për 2008-ën, ishte 98.8 milione euro. Shpenzimet e administratës së bashkisë janë më të larta se sa kostoja e gjithë qytetarëve të Tiranës. Ka reaguar Partia Socialiste, duke i konsideruar ato si shpifje. Zëdhënësja e kryesisë së PSSH-së, Mimi Kodheli, i bëri dje thirrje Kreut të LSI-së, Ilir Meta që, "të mos vazhdojë të shkelë kontratën me qytetarët shqiptarë, duke u bërë palë kundër buxhetit të Bashkisë së Tiranës". Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e kësaj Partie, Mimi  Kodheli solli në vëmendje votën e djeshme të socialistëve pro buxhetit të qytetit të Lushnjës, i cili drejtohet nga të zgjedhurit e LSI-së.  Sipas Kodhelit "me votën e djeshme, PS respektoi kontratën e koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë"."Dje shqiptarët panë dy tabllo qartësisht të dallueshme të raportit mes politikës e qytetarëve. Atë të Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku këshilltarët socialistë votuan buxhetin e qytetarëve, pavarësisht se jo të gjitha vërejtjet e tyre u morën parasysh nga Kryebashkiaku që i përket grupit të Ilir Metës, por edhe tabllonë e Pallatit të Kongreseve, ku me gjuhën e vjetër Ilir Meta e Monika Kryemadhi fyen e shpifën në mënyrën më shembullore për Bashkinë e Tiranës e Kryetarin e saj", vijoi më tej Kodheli. Ajo theksoi se, me votën pro buxhetit të qytetit të Lushnjës, ne respektuam kontratën e koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë. Ndërsa Ilir Meta e Monika Kryemadhi, për fat të keq, e vunë edhe njëherë dje interesin e oborrit të tyre të vogël mbi vullnetin dhe interesat e mëdha të qytetarëve të Tiranës, duke deformuar realitetin e shifrave të buxhetit e të fakteve të punës së bërë nga Bashkia e Tiranës, me një agresivitet e mungesë vërtetësie aq të madhe". Ne vijojmë t'u bëjmë thirrje aleatëve tanë të 18 shkurtit 2007, të mos vazhdojnë ta shkelin kontratën me qytetarët, duke u bërë palë kundër buxhetit të qytetit me ata që kanë 8 vjet që i turren qorrazi Bashkisë së Tiranës dhe duke krijuar me Partinë e Sali Berishës, një shumicë që bie ndesh me vullnetin e zgjedhësve e me interesin e të gjithë Kryeqytetasve. Kur mbeten edhe 148 ditë nga largimi i Berishës, ne mendojme që Ilir Meta s'ka asnjë të drejtë të sillet me interesat e njerëzve e të vendit njësoj si në vitin 2005",shtoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›