PS e Durrësit kundër ndërtimit të TEC-it
>Partia Socialiste e Durrësit, me anë të sekretarit të saj organizativ, Gëzim Agasi ka kundërshtuar ndërtimin e TEC-it në Durrës. "Duam të bëjmë publik shqetësimin kryesor të Partisë Socialiste në Durrës, një shqetësim që nuk ka lidhje me politikën, por që është fryt i politikës korruptive të qeverisë Berisha, e cila tregon edhe një herë që për atë jeta e njeriut nuk ka kurrfarë vlere. Ne jemi këtu për të kundërshtuar me forcë ndërtimin e TEC-it në zonën e Porto Romanos, një TEC me ndotje 12 herë më të lartë se Metalurgjiku në Elbasan dhe 16 herë më ndotës se TES- i i Vlorës.
Ne denoncojmë dhuratën e bërë nga Berisha mikut të tij Fazlliç në zonën e Porto Romanos, një terren që iu shit me një çmim qesharak, bashkë me premtimin se ai terren do vlente mijëra euro për m2 pas miratimit të ndërtimit të TEC- it në këtë zonë. Jemi të indinjuar nga heshtja e gjatë e të zgjedhurve të PD dhe nga mungesa e tyre në debatin publik me qytetarët mbi ndërtimin e këtij TEC- i. Mungesa e deputetëve pranoi faktin se ky projekt synon vetëm pasurimin e xhepave të kryeministrit dhe mikut të tij, pavarësisht rrezikshmërisë të këtij projekti për banorët e qytetit të Durrësit dhe zonave përreth", u shpreh Agasi, sipas të cilit, ndërtimi i këtij TEC- i në kushte totalisht të paqarta dhe të pasqaruara, mungesa e një studimi alternativ për prodhimin e energjisë, mungesa e një analize për kostot e këtij projekti, fakti që nuk përmendet ndotja radioaktive dhe shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm për ambientin dhe për shëndetin tregon haptazi se kemi të bëjmë me një projekt të dyshimtë që ka për synim pasurimin e shpejtë pavarësisht kostove të larta. "Me aprovimin e këtij projekti qeveria dhe kryeministri Berisha tregojnë që jeta e njeriut mund të shitet kollaj nëse bëhet fjalë për shuma të majme. Partia Socialiste është këtu për t'i thënë çdo qytetari durrsak, të ri apo të vjetër, se do t'i bashkangjitemi çdo aleance qytetare, çdo lëvizje që prononcohet kundër këtij projekti, jo sepse jemi një parti politike por sepse jemi qytetarë të Durrësit, këtu jetojmë, punojmë çdo ditë për mirëqenien e qytetarëve, këtu kemi prindërit dhe fëmijët tanë dhe për këtë arsye nuk mund të heshtim për ndërtimin e TEC- it, jo me kushtet e paraqitura deri më sot, jo me kusht të jetës së qytetarëve", vijoi Agasi, duke përfunduar se "ne shprehemi pro zhvillimit ekonomik, një zhvillim që mbron vlerat turistike, arkitekturale dhe arkeologjike të qytetit të Durrësit, në harmoni të plotë me mjedisin dhe shëndetin.