E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Letra jonë për KiE kishte qëllim informues

Reagimi

Selia rozë reagoi menjëherë dje pas akuzave të Kryetares së Kuvendit, duke saktësuar se qëllimi i letrës së sekretares për marrëdhëniet me jashtë në PS në adresë të KiE-s ishte vetëm informues. Deputetja Mimi Kodheli tha se PS vë në dijeni asamblenë parlamentare për shkeljen e rregullores së Kuvendit nga ana e Kryetares Topalli. “Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 7, pika 3, Kryetarja e Kuvendit emëron anëtarët e delegacioneve në bazë të konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësimi duhet të reflektojë përbërjen e Parlamentit. Në rast mosmarrëveshjesh duhet të votohet në Kuvend. Emërimi është bërë në mënyrë arbitrare jo vetëm se nuk është respektuar rregullorja, por dhe vendet që i takojnë opozitës janë reduktuar vetëm në një”, tha Kodheli, duke cituar në këtë mënyrë letrën e shumëpërfolur. Më tej, Kodheli vuri në dukje se në letër thuhet se opozita e drejtuar nga socialistët ka pasur dy anëtarë në delegacionet e mëparshme megjithëse ka pasur më pak vende në krahasim me vendet që ka sot. “E njëjta gjë ka ndodhur me anëtarët zëvendësues, të cilët janë emëruar pa u konsultuar me autoritetet e grupit parlamentar socialist. Ky akt dhunon gjithashtu Nenin 6 – Kredencialet – të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, vijoi ajo. Ndaj sipas deputetes socialiste, Kryetarja e Parlamentit, është ajo që po e bën Shqipërinë gazin e botës, duke mos respektuar dhe duke shkelur të gjitha të drejtat që i takojnë opozitës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në përfaqësimin e saj jashtë. “Ky është një turp që duhet të marrë fund, sepse koston e këtyre veprimeve i paguajnë shqiptarët dhe imazhi i vendit tonë. Letra është në dispozicionin tuaj”, deklaroi Kodheli.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›