Kodi, PS: Berisha me dy fytyra
Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Berisha, sipas të cilit ai mbështeste marrëveshjen midis PS-së dhe LSI-së për përmirësimin e Kodit të ri Zgjedhor. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se kryeministri Berisha po shfaqet me dy fytyra duke i qarë hallin Metës. Kodheli tha se qëndrimi i PS-së është që në Kod të korrigjohet vetëm pjesa që ka të bëjë me dekretin e presidentit. “Nuk na çudit fare shfaqja e dyfytyrësisë së radhës që Sali Berisha dha sot duke i qarë hallin Ilir Metës. Në derexhenë ku është katandisur kryeministri, Iliri është vërtet shpresa e fundit që i ka mbetur për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit qeveritar. Përgjigjja jonë është e thjeshtë: Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë vetëm për dekretin e Presidentit. Të tjerat janë politikë e vjetër kulisash e diversionesh që Saliu dhe Iliri mund të vazhdojnë t'i bëjnë me njëri-tjetrin”, - tha Kodheli.
Berisha, diversion të majtës: PS-ja dhe LSI-ja të gjejnë konsensus për Kodin
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë, ftoi Partinë Socialiste të arrijë konsensusin me LSI-në për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këtë ftesë, kryeministri Berisha e bëri publikisht pas prezantimit të dokumenteve të reja të identitetit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. “Kodi Zgjedhor është në diskutim. Dua të jem fare i hapur dhe ftoj z. Rama të dëshmojë sens kompromisi me forcën politike që ka 8 deri në 10 për qind të elektoratit. Nuk është në interesin e vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike. Në këtë kontekst, uroj dhe dëshiroj të shqyrtohet mundësia e një hapësire edhe për atë forcë që, e ndrydhur nga fenomeni i ‘Dushkut’ dhe për këtë duhet të jemi realistë, sepse nuk mund të themi ndryshe, ka përfaqësuar 8 apo 10 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2005 dhe në vitin 2007 ndoshta edhe më shumë, pasi ka qenë në koalicion”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ka mbetur i lënduar nga greva e urisë së dhjetë deputetëve, por gjithsesi ai nuk ka mbajtur asnjë deklaratë rreth qëndrimit që do të mbajë PD-ja me aleatin e saj PDK-në, deputetët e së cilës kanë qenë në grevë urie bashkë me LSI-në.
18 Dhjetor 2008