E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Me bashkimin me qytetarët fitojmë zgjedhjet e 2009-s”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, lançoi dje në Pallatin e Kongreseve “Rrjetin e Vullnetarëve të Shqipërisë”. Në një atmosferë të zjarrtë, nga të rinjtë që kishin ardhur nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria, lideri i PS-së theksoi se Shqipëria europiane është ëndrra dhe detyrimi i të gjithë shqiptarëve në vendin ku jetojnë. Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi bashkimin e të gjithë qytetarëve në një rrugë të re ndryshimi. Sipas tij, ky bashkim do të mundësojë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Rama premtoi liberalizim vizash për të gjithë shqiptarët, luftë kundër korrupsionit, varfërisë dhe skamjes. “Na takon neve, së bashku, që me fuqinë e ndryshimit të shumëdëshiruar ta krijojmë këtë hapësirë, duke nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve në të, duke i hapur rrugë me forcën e një bashkimi të ri qytetarësh idealeve e ideve tona të reja për Shqipërinë dhe duke promovuar me zell e durim një kulturë të re sjelljeje e komunikimi. Ne duhet t'i japim jetë një beteje të paparë gjer më sot me varfërinë, papunësinë, injorancën, dhunën e korrupsionin, duke i dhënë politikës pasionin qytetar e atdhetar, shpirtin e kundërshtimit ndaj statukuosë dhe përkushtimin ndaj të vërtetave të thjeshta të njerëzve që nuk kanë zë. Ne duhet ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza e shumanshme, në radhë të parë nga kriza e besimit. Së bashku do t'ia dalim duke filluar nga fitorja e vitit 2009”, - tha Rama gjatë fjalës së tij.

Zgjedhjet

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Rama tha se fitorja e Partisë Socialiste në to nuk është një sfifë e tij personale, por sfidë e çdo qytetari shqiptar që dëshiron një rrugë të re për veten e tij dhe për të gjithë Shqipërinë. “Zgjedhjet e qershorit të ardhshëm nuk janë zgjedhjet e mia, por zgjedhjet tuaja. Fitorja e tyre ka të bëjë me sfidën time personale aq sa ka të bëjë edhe me sfidën e secilit prej jush, në një kohë sfidash të mëdha kur Shqipërisë i duhet me patjetër një rrugë e re. Nuk na duhet një fitore për të çuar në pushtet disa njerëz në vend të disa të tjerëve, por një pushtet që të na çojë në fitoren e këtyre sfidave që s'mund t'ua lëmë të tjerëve. Askush në vendin tonë, askush më mirë se ne, askush më vonë se sot, s'mund t'i ketë shanset dhe mundësitë që të përballet me sukses me varfërinë, papunësinë, injorancën, dhunën, korrupsionin”, - vijoi Rama.

Keqqeverisja

Rama hodhi akuza ndaj qeverisë aktuale. Ai tha se qeverisja e kryeministrit Berisha jo vetëm që ka dështuar, por është vënë në diktaktin e korrupsionit. Rama tha se qytetarët kanë humbur besimin te politika e vjetër, por ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen me politikën e re, politikën e ndryshimit. “Këto vitet e fundit shënojnë edhe deformimin më kulmor të keqqeverisjes nën diktatin e interesave të korrupsionit që menaxhohen prej një grushti pushtetarësh e klientësh të tyre, të cilët për tutor kanë personalisht kryeministrin e Shqipërisë, njeriun që në 2005-n u ringjit në krye të vendit për të qeverisur me duar të pastra dhe në 2009-n do të zbresë nga aty për shkak të një mali me punë të pista. Për shkak të këtij degradimi zhgënjyes deri në neveri të jetës politike, janë shtuar jashtëzakonisht shumë qytetarët që i kanë kthyer shpinën vetë politikës duke lënë pas një boshllëk gjithnjë e më të madh. Është koha që asnjëri të mos e lërë vendin bosh. Asnjë qytetar të mos kthejë shpinën nga politika e politikanëve, e cila me qytetarët përballë e ka shumë më të vështirë të bëjë dëmet që na bën”, - tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›