Partizani në krizë totale, Lika kërkon dorëheqjen
Lika bindet dhe i kërkon vetë dorëheqjen presidentit, pas “çarmatosjes” së djeshme të Partizanit nga Apolonia në “Qemal Stafa”.
Nga burime afër stafit të kuq mësohet se tekniku i ka shprehur Xhanit gatishmërinë për t’u mënjanuar, por vetë kreu i klubit, i cili ndodhet në Qipro, ka lënë gjithçka pezull deri në kthimin e tij. Megjithëse bëhet e ditur se nga andej nuk është dukur aq i zhgënjyer nga situata, të paktën përsa i takon stafit teknik. Sfida kundër fierakëve konsiderohej si pika e kthesës për djemtë e Likës, por në fakt ka sjellë kthimin e mëtejshëm prapa, në të gjitha këndvështrimet. Gjithashtu, edhe renditja flet qartë, kur pozicioni i nëntë përkon me 9 pikët e distancës kundrejt Tiranës kryesuese.
Sherr me Bakajn
Kriza nuk ka fund për Partizanin. Sikur të mos mjaftonte humbja me Apoloninë, të kuqve tashmë do t’u duhet të bëjnë llogaritë edhe pa mesfushorin e tyre Elis Bakaj, i cili pas një debati të ashpër me pjesëtarët e stafit dhe drejtuesit e klubit, ka përfunduar në tribunë në takimin e djeshëm. Mesfushori është i pakënaqur nga trajtimi që i ka bërë klubi i kuq dhe duket se të premten është thyer përfundimisht lidhja e tij me Partizanin. I pyetur nga “Panorama”, lojtari ka pohuar se ka pasur një mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit, por nuk ka dashur të japë detaje në lidhje me këtë. “Po, e vërtetë është, klubi ka marrë një masë ndëshkimi ndaj meje, por unë nuk dua të flas shumë për këtë. Megjithatë, ju siguroj se shumë shpejt do të flas për gjithçka që njerëzit ta marrin vesh të vërtetën e kësaj historie, sepse edhe kështu nuk mund të vazhdohet”, ka thënë mesfushori i përfaqësueses.
Elbasani-Shkumbini 1-1
Gentian Stojku ka qenë protagonisti kryesor në ndeshjen e djeshme të luajtur në “Ruzhdi Bizhuta”. Elbasani ka barazuar 1-1 me Shkumbinin, por autori i të dy golave të këtij takimi ka qenë Stojku, i cili pasi zhbllokoi rezultatin në fund të pjesës së parë, ka shënuar një autogol në minutën e parë shtesë të ndeshjes, që i ka hequr tri pikë nga duart verdhebluve. Ndeshja është shoqëruar nga reshje të shumta shiu. Të dy trajnerët në këtë takim kishin hedhur në fushë formacionet e tyre më të mira, si Josa edhe Magani.