Legjionarët/ Bushi gjen golin e parë sezonal
Sulmuesi 34-vjeçar, Alban Bushi, ditën e djeshme gjeti golin e tij të parë sezonal, teksa në minutën e 56-të zhbllokon rezultatin e takimit mes Levadhiakosit dhe Asteras Tripolis. Sezonin e shkuar Bushi shënoi tetë gola për Apollonin. Sezoni i sulmuesit nuk kishte nisurnë mënyrën më të mirë për shkak të problemeve fizike. Në Franbcë, edhe pse është detyruar të largohet nga fusha që në minutën e 80-të për shkak të një ndërhyrjeje të rëndë ndaj tij në ndeshjen ndaj Lë Mansh, Lorik Cana qetësoi tifozerinë se dëmtimi i tij është i lehtë dhe do të jetë i gatshëm të luajë javës tjetër. Portieri i Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj, arriti të mbajë të paprekur portën e tij pas plot gjashtë ndeshjesh. Anorthosis, me të cilin luan kosovari fitoi 2-0 në transfertën e AEL-it dhe kryeson renditjen me pikë të plota pas 4 javësh. Sulmuesi durrsak i Kombëtares, Edmond Kapllani, nuk ka mundur të luajë për asnjë minutë në ndeshjen e djeshme që skuadra e tij, Karlsruhe, fitoi në shtëpinë e saj ndaj miqve të Volfsburgut. Kjo ishte fitorja e parë e Karlsruhes në 5 javë kampionat. Në Itali, bomberin e kuqezinjve, Erjon Bogdanin, e ka ndalur shtylla anësore nga goli që do t’i dhuronte një pikë tepër me vlerë Kievos në transfertën e Sicilisë ndaj Katanias. Në këtë takim sulmuesi kuqezi u aktivizua si zëvendësues në minutën e 68-të.