Kodi Rrugor, nga sot gjoba më të ashpra për shkelësit

Duke filluar nga sot të gjithë drejtuesit e automjeteve të cilët nuk do të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor do të ndëshkohen me masa të ashpra ligjore. Ndryshimet që i janë bërë Kodit Rrugor hyjnë sot në fuqi ndërsa në total janë ndryshuar 38 nene, të cilat i përkasin kryesisht çështjes së gjobave.
Ndryshimet ligjore kanë bërë që kufiri minimal i gjobës të dyfishohet ndërsa ai maksimal të trefishohet. Kështu nga sot gjoba më e vogël, ajo për mos vendosjen e rripit të sigurimit do të jetë një mijë lekë të reja nga 500 që është sot, ndërsa gjoba maksimale për shpejtësinë do të arrijë deri në 30 mijë lekë të reja për tejkalim të limitit të shpejtësië.
Po çfarë përmbajnë konkretisht ndryshimet e bëra në Kodin Rrugor? Në përgjithësi ndryshimet parashikojnë një rritje të ndjeshme të gjobave me idenë e uljes së numrit të aksidenteve. Sipas hartuesve të ligjit, niveli i ri i gjobave synon uljen e numrit të aksidenteve në rrugët e Shqipërisë ndërsa ulja e diapazonit midis nivelit minimal dhe maksimal të gjobave synon të ulë nivelin e korrupsionit në radhët e forcave të Policisë së Shtetit.
Drejtuesit e automjeteve do të duhen të tregohen më të kujdesshëm edhe përkundrejt përdorimit të pijeve alkoolike. Me ndryshimet e reja, të gjithë ata që do të kapen nën efektin e lëndëve alkoolike apo të drogës do të përballen me gjoba tepër të rënda, dhe në disa raste edhe me heqje të lejes së drejtimit apo me burg. Përdoruesit e alkoolit do të ndahen në dy kategori. Në grupit e parë përfshihen ata të cilët janë nën ndikimin e alkoolit ku gjobat ndonëse dyfishohen, janë më të lehta. Ndërsa në grupin e dytë futen ata të cilët janë në gjendje të dehur. Me evidentimin e gjendjes së dehur, punonjësit e policisë do të autorizohen që të ndalojnë udhëtimin e mëtejshëm duke konfiskuar makinën.
Ndërkohë dy ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, u kërkoi qytetarëve zbatim rigoroz të tij, në mënyrë që të ulet numri i aksidenteve automobilistike dhe të shtohet siguria në rrugë. Burgaj u kërkoi të gjithë policëve rrugorë që në çdo rast ndalimi të ndonjë automjeti, t`i japin domosdoshmërisht arsyen e ndalimit drejtuesit të makinës. Në rast të kundërt, drejtuesi të njoftojë instancat më të larta të Policisë së Shtetit për këtë veprim.