E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, kritika Topit për Kodin

06/12/2008  Kryetarja e Kuvendit Topalli dhe nënkryetari Bufi reagojnë nga Londra për dekretin e Presidentit

Drejtuesit e legjislativit nuk e prisnin këtë vendim për shkak të shumicës së votave që mori ligji

Dy partitë e mëdha në Kuvend përmes përfaqësuesve të tyre nuk kanë kursyer kritikat e tyre nga Londra në adresë të Presidentit të Republikës Bamir Topi lidhur me vendimin e tij të fundit për të dekretuar rishqyrtimin e Kodit të ri Zgjedhor. PD-ja përmes Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe PS-ja përmes nënkryetarit Ylli Bufi kanë përdorur si argument kryesor të qëndrimit të tyre kundër kreut të shtetit mbështetjen e madhe që ky ligj mori kur u miratua para pak javësh nga Kuvendi.

Mazhoranca

E ndodhur për një vizitë zyrtare në Londër, kryeparlamentarja Topalli gjatë një interviste për BBC-në, kur u pyet për dekretin e kthimit nga Presidenti Topi të Kodit të ri Zgjedhor, përmendi fillimisht shumicën e gjerë parlamentare që kishte mbështetur këtë kod, përfshirë Partinë Demokratike në pushtet dhe Partinë Socialiste në opozitë. “Presidenti i është kundërvënë 80 për qind të vullnetit të parlamentit ose 80 për qind të vullnetit të shqiptarëve dhe është bashkuar me atë që përfaqëson Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane”, - theksoi Topalli duke iu referuar dy partive të vogla parlamentare, deputetët e të cilave në shenjë proteste ndaj Kodit hyn në një grevë urie disaditore. Në vijim të pakënaqësisë së saj ndaj qëndrimit të kreut të shtetit për ligje që kanë miratimin e mazhorancës, numri dy i shtetit shqiptar, njëkohësisht nënkryetarja e Partisë Demokratike, partisë në pushtet, ka thënë se kjo nuk është hera e parë. “Sa herë ka pasur konsensuse të mëdha, i njëjti qëndrim është mbajtur nga Presidenti”, - u shpreh Topalli. Lidhur me procedurat që do të ndjekë Parlamenti në raport me vërejtjet e numrit një të shtetit shqiptar, Kryetarja e Parlamentit tha se “Parlamenti do të votojë siç e parashikon Rregullorja, do të ndiqen procedurat për të respektuar atë që është mbi 80 për qind e vullnetit të shqiptarëve”.

Opozita

Ndryshe nga selia rozë e cila përmes një deklarate zyrtare deklaroi se respekton vendimin e Presidentit të Republikës për ligjin e ri të zgjedhjeve, nënkryetari i Kuvendit Ylli Bufi, pjesëtarë i delegacionit shqiptar që vizitoi Londrën, shprehu keqardhje ndaj këtij vendimi. “Unë ende nuk e njoh tekstin e plotë të arsyeve pse Presidenti i Republikës e ka kthyer ligjin për zgjedhjet. “Por sido që të jetë, më vjen keq që Presidenti kthen një dokument, një ligj të miratuar me një shumicë tepër të gjerë, me një konsensus tepër të gjerë në Parlament”, - tha Bufi gjatë një interviste për BBC-në. Ai tha se vërejtjet e Presidentit ishin për çështje teknike të ligjit dhe se mund të rregullohen. Në fakt, dy partitë kryesore në vend duket se kanë rënë dakord që ta zgjidhin këtë vërejtje teknike duke shtuar në draftin e Kodit Zgjedhor një dispozitë kalimtare. PD-ja dhe PS-ja kanë arritur të merren vesh që në ligjin e kthyer për rishqyrtim nga kreu i shtetit të përcaktohet qartë përmes kësaj dispozite se afati i përcaktuar në Kod lidhur me datën e dekretimit të zgjedhjeve të përgjithshme vetëm për zgjedhjet e tjera, duke përjashtuar zgjedhjet më të afërta të përgjithshme, që piten të zhvillohen në qershor të vitit 2009. Në fat, kjo është e vetmja pikë që komisioni që do të shqyrtojë këtë çështje, duke lënë në këtë mënyrë partitë e vogla me gisht në gojë. LSI-ja dhe PDK-ja me kthimin e Kodit shpresuan ndryshimin e tij për sa i takon gjithëpërfshirës së partive politike në komisionet zgjedhore.

Petro Koçi

“PS ‘91 vlerëson se kthimi i Kodit Elektoral për rishqyrtim në Kuvend përbën një shans për të garantuar bashkimin e së majtës së përçarë. PS ‘91 propozon që të shfrytëzohet kthimi i Kodit në Kuvend për të garantuar gjithëpërfshirjen e së majtës në administrimin e zgjedhjeve. Bashkimi i së majtës nuk ka nevojë vetëm për thirrje, por për aksion politik bashkëpunimi dhe integrimi.”

Vendimi i Presidentit

Presidenti i Republikës Bamir Topi ktheu të mërkurën për rishqyrtim në Parlament Kodin Zgjedhor. Kodi ishte miratuar pak kohë më parë me konsensusin e dy partive kryesore në vend me 112 vota pro. Presidenti sqaroi se arsyeja e kthimit të këtij dokumenti për rishqyrtim ka të bëjë me mospërputhjen e afatit që parashikohet në të për dekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti dhe afatit që parashikohen në Kushtetutë.

Procedura

Kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht. Komisioni e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›