E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kodi Zgjedhor jo si vendimet e qeverisë për fishekët”

Autori i Lajmit: red.
Akuzat e kryeministri Sali Berisha se socialistët po pengojnë reformën zgjedhore kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të selisë rozë. Deputeti socialist, Fatmir Xhafa ka reaguar ashpër në lidhje me këto deklarata duke pohuar se është mazhoranca ajo që nuk po vepron duke penguar propozimet e socialistëve. “U bënë dy javë që PS ka kërkuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor. Është mazhoranca ajo që nuk po vepron. Kodi Zgjedhor nuk mund t i ngjajë vendimit të Qeverisë për shitjen e fishekëve. Zgjedhjet e ardhshme nuk mund dhe nuk do të jenë Gërdeci elektoral. Kodi Zgjedhor është një punë shumë e rëndësishme që kërkon angazhim serioz dhe jo batuta”, - është shprehur Xhafa. Pak ditë më parë Partia Socialiste nëpërmjet kryetares së Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj, kërkoi ngritjen e komisionit të posaçëm për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Leskaj pohoi se ka mbetur vetëm një muaj nga mbyllja e sesionit parlamentar prandaj duhet të përshpejtohet puna për këtë reformë dhe të ngrihet komisioni brenda javës së ardhshme. Sipas saj zvarritja e procesit për sesionin e ri do të rrezikonte seriozisht zgjedhjet për shkak të kohës së shkurtër të mbetur në dispozicion. “Që brenda javës së ardhshme të ngrihet komisioni për ndryshimet në Kodin Zgjedhor me përfaqësues të partive politike parlamentare për t i dhënë udhë procesit. Ka mbetur afërsisht një muaj deri në mbylljen e këtij sesioni dhe lënia e këtij procesi për në shtator, do ishte një pengesë për përgatitjen normale të zgjedhjeve”, - ka thënë ajo. Leskaj ka kërkuar që qeveria të pëcaktojë sa më shpejt afatet se kur do të përfundojë regjistri i votuesve dhe kartat e identitetit.
Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›