E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët, tre variantet për hapjen e dosjeve

Autori i Lajmit: Artan Gjata
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i kërkon Komisonit të Ligjeve të rimarrë në shqyrtim tre projekligjet për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve. Edhe pse 3 projekligjet për këtë çështje, ai i demokratëve i socialistëve dhe ai i demokristianëve kanë prej afro dy vitesh që janë përfshirë në kalendarin e punës së komisonit për Çështjet Ligjore, nuk ka pasur asnjë hap drejt shqyrtimit të tyre. Nisur nga ky fakt kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një letër dërguar Komisionit të Ligjeve ka shprehur këtë shqetësim, duke nxitur shqyrtimin me përparësi te tyre. Të tre projektligjet e propozuara kërkojnë hapjen e dosjesve të ish-sigurimit por ndërsa PD kërkon që të përfshihet periudha 1994-1990, PS kërkon deri në vitin 1992.

Projektligji propozuar nga PD
Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve
Neni 1
Qëllimi i ligjit
Ky ligj, ka për qëllim të bëj transparante për publikun, pastërtinë e figurës së çdo zyrtari apo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar/caktuar, për çështje të përfshirjes së tij, si anëtarë, drejtues, apo bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 11 dhjetor 1990.
Neni 3
Subjekte të verifikimit
Subjekt të verifikimit të përgjithshëm, sipas këtij ligji, janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publik, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 janë 18 vjeç e lart, dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet, apo janë ne marrëdhënie pune në institucionet në vijim; a) Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; b) Presidenti i Republikës, të zgjedhurit nga Kuvendi dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; c) Anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, sekretarë të përgjithshëm të institucioneve qëndrore në varësi të Kryeministrit apo ministrit, funksionarë politikë, drejtorë të përgjithshëm dhe drejtorë të drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në struktura të tjera shtetërore; ç) zyrtarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Prokurorit të Përgjithshme sipas rangjeve të caktuara në pikën “c”; d) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë; dh) në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për oficerët, funksioni organik i të cilëve përfshin gradë të lartë (gjeneral e kolonel), komandantët e njësive të pavarura; e) Prefektë, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; ë)në Shërbimin Informativ Shtetëror(SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR); f) në Gardën e Republikës;
g) drejtorë policie qarku në Policinë e Shtetit; gj) gjyqtarë dhe prokurorë pranë Gjykatave të Apelit; h) drejtuesit e përfaqësive diplomatike
Neni 4
Pastërtia e figurës morale të zyrtarit, të përcaktuar në nenin 3, të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri 11 dhjetor 1990 të një nga detyrave apo cilësive të mëposhtme:a) Anëtar apo kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare, apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike; b) anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare ose është larguar vetë në mënyrë publike;c) Oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit, si kryetar dege, drejtor apo zëvendësministër dhe ministër i organeve të Punëve të Brendshme;ç) Bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit, me veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale të parashikuara nga ligji nr.7514, datë 30.9.l991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” të ndryshuar, apo bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla, të mos ketë qënë në shërbimet e huaja të zbulimit si dhe në organet e tjera analoge;d) I dënuar me vendim penal të formës së prerë, për krime kundër njerëzimit, për shpifje apo dëshmi të rreme në procese politike (edhe pas vitit 1991); dh) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-internimeve;e) hetues, prokuror, gjyqtar a ndihmësgjyqtar në procese politike speciale.
Neni 5
Përbërja e komisionit
Për zbatimin e këtij ligji, ngarkohet një komision i posaçëm i përbërë nga 5 anëtarë. Komisioni ka në përbërje shtetas shqipëtar, me integritet të lartë moral, të cilët, propozohen si vijon:a). Komisioni përgjegjës, për çështje të Sigurisë Kombëtare në Kuvend:b) Komisioni përgjegjës, për Çështjet Ligjore dhe të drejtat e njeriut në Kuvend:c) Ministri i Brendshëm;ç) Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimi Informativ të Shtetit; d) Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit; 2. Komisoni i posaçëm i Kuvendit, me mbështetjen e institucioneve përgjegjëse të specializuara vendase, verifikon brenda 10 ditëve pune, në seanca me dyer të mbyllura, figurën e kandidatëve të propozuar. Komisioni i posaçëm, i Kuvendit paraqet, në përfundim të afatit të hetimit një raport pëlqimi, për kandidatët .
Neni 14
Afatet dhe procedura e shqyrtimit në komision
1. Brenda 30 ditëve, komisioni shqyrton sipas, procedurës së përcaktuar në këtë ligj, papajtueshmërinë morale të figurës së subjektit që kryen një nga funksionet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji. Në përfundim të verifikimit, komisioni, procedon, si vijon:a) kur rezulton se, zyrtari është i papërfshirë (nuk paraqet papajtueshmëri), një kopje e këtij vendimi, i komunikohet sipas formularëve aneksi “A” dhe “A/1” bashkëlidhur këtij ligji, eprorit të institucionit apo organit që e ka zgjedhur si dhe për dijeni zyrtarit konkret;b) kur rezulton se zyrtari është i përfshirë (ka papajtueshmëri), kopje e vendimit për çështjen, i dërgohet këtij të fundit si material konfidencial sipas formularit ankesi “B/1”, bashkëlidhur. Çdo zyrtar, që në përfundim të hetimit, klasifikohet i përfshirë, sipas këtij ligji, i garantohet e drejta për t u njohur me materialin e shqyrtuar. Komisioni ka detyrimin të vendos në dispozicion të zyrtarit materialin për njohje, vetëm kur zyrtari nënshkruan “formularin për mbrojtje të informacionit të klasifikuar”.
2. Kur zyrtari, nuk është dakord me vendimin e shkronjës “b”, të paragrafit të parë të këtij neni apo ka pretendime të tjera ndaj komisionit, ai gëzon të drejtën të paraqesë shpjegime me shkrim për çështjen brenda 30 ditëve. Komisioni ka detyrimin të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh nga paraqitja e tyre të vendos:a) lënjen në fuqi të vendimit: ose
b) ndryshimin e tij.Një kopje e këtij vendimi i njoftohet brenda 10 ditësh, zyrtarit dhe institucionit të tij të punës apo organit që e ka zgjedhur. njoftimi i institucionit kryhet sipas formularit “B”. Ky vendim mund të ankimohet vetëm sipas procedurës së përcaktuar në nenin 16 të këtij ligji.
Neni 16
Ankimi gjyqësor
Kundër vendimit të komisionit, zyrtari apo funksionari, ka të drejtë të paraqesë ankim në Gjykatën e Lartë, brenda 7 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit. Gjykata e Lartë, brenda 15 ditëve nga depozitimi i ankimit, zhvillon shqyrtimin gjyqësor me dyer të mbyllura, në prani të palëve, dhe vendosë për çështjen. Vendimi është i formës së prerë dhe i pankimueshëm. Një kopje e dispozitivit të këtij vendimi i komunikohet palëve dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, brenda 10 ditësh.
Neni 17
Pasojat e vendimit
1. Eprori i institucionit apo organi i emërtesës së tij, menjëherë, pas marrjes së vendimit të komisionit:
a) kur zyrtari është i papërfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen idividuale të personelit ; b) kur zyrtari është i përfshirë, depoziton një kopje të vendimit në dosjen individuale të personelit, dhe cakton brenda 3 ditësh, një seancë të mbyllur për t u infomuar, për qëndrimin që do të ndjek zyrtari në vijim. Gjatë zhvillimit të kësaj seance mbahet procesverbal, i cili firmoset nga të gjithë të pranishmit dhe zyrtari dhe një kopje e tij i dorëzohet në përfundim të seancës edhe zyrtarit. Eprori direkt në përfundim të këtij takimi, ndjek këtë procedurë:
i. kur zyrtari deklaron/ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, ai, arkivon kopjen e vendimit të komisionit si dokument të klasifikuar; ii. kur zyrtari deklaron se, refuzon dorëheqjen vullnetare eprori i institucionit, arkivon kopjen e vendimit të komisionit, dhe brenda 10 ditësh:§ përfundon marrëdhëniet e punës me zyrtarin, për shkak të padenjësisë së figurës së tij, me përjashtim të rastit të përcaktuar në nenin 18, të këtij ligji. 2. Kur zyrtari apo funksionari bën ankim gjyqësorë sipas nenit 16 të këtij ligji, eprori i institucionit apo i organi i emërtesës sipas rastit, pezullon nisjen e procedurës së shkronjës “b” të këtij neni, deri në botimin e dispozitivit të vendimit të formës së prerë në “Fletore zyrtare”.
Neni 18
Përjashtimi
Kur, sipas një vendimi të formës së prerë, vërtetohet se deputet, të zgjedhur drejtpërdrejtë nga zgjedhësit apo përfaqëses të organeve individuale të njësive të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, ata vazhdojnë ushtrimin e mandateve por komisioni, ka detyrimin të bëj publik në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë vendimin e tij.Asnjë kandidat për deputet i drejtpërdrejtë apo kandidat për përfaqësues i organeve individuale të njësive të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna, nuk mund të jetë subjekt i verifikimit sipas këtij ligji, pa u shpallur fitues, në zgjedhjet e parlamentare apo ato lokale.

Projektligji i propozuar nga PS
PER VERIFIKIMIN E TE QENIT BASHKEPUNETOR TE SHERBIMEVE SEKRETE SHQIPTARE, PARA DATES 31.12.1992, TE FUNKSIONAREVE TE LARTE PUBLIKE
Neni 1
Objekti dhe qëllimi i këtij ligji
Objekt i këtij ligji është hapja e arshivave të shërbimeve sekrete shqiptare, të para datës 31.12.1992, për të gjithë ata funksionarë të lartë shtetërorë, të parashikuar nga ky ligj, që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, dhe ka për qëllim vetëm publikimin e tyre.
Neni 3
Funksionarët publikë që do të verifikohen
Janë objekt verifikimi këta funksionarë publikë: 1. Presidenti i Republikës , 2. Kryeministri, 3. Deputetët, 4. Ministrat, 5. Zv/ministrat, 6. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, 7. Anëtarët e Gjykatës së Lartë, 8. Të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta.
Neni 4
Organi që kryen verifikimin
1. Për kryerjen e procesit të verifikimit dhe të bërjes publike të emrave të funksionarëve të lartë që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit krijohet një komision shtetëror i përbërë prej 5 anëtarësh. Ky komision do të varet dhe do të përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë. 2. Një anëtar, i cili do të jetë edhe kryetari i këtij komisioni, emërohet nga Presidenti i Republikës, nga radhët e juristëve me përvojë. 3. Katër anëtarët e tjerë emërohen nga Kuvendi i Shqipërisë, përkatësisht dy sipas propozimit të partive opozitare dhe dy sipas propozimit të partive të pozitës. 4. Kandidatët për anëtarë të këtij komisioni, përpara se të emërohen, duhet të deklarojnë se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë, në kuptim të nenit 2, të këtij ligji.
Neni 8
Afati
Komisioni duhet të përfundojë punën e tij brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 9
Vendimet e komisionit
1. Komisioni merr vendime për publikimin e emrave të funksionarëve, vetëm pasi të jenë kryer verifikimet e nevojshme.
2. Vendimet e komisionit merren në përputhje me ligjin “Për funksionimin e organeve kolegjiale”. 3. Komisioni përpara fillimit të veprimtarisë së tij miraton rregulloren e funksionimit.
Neni 10
Publikimi të dhënave
Në përfundim të verifikimit, komisioni publikon në Fletoren Zyrtare të gjithë emrat e funksionarëve, gjetur si bashkëpunëtorë, pasi ka raportuar më parë në byronë parlamentare.
Neni 12
Sanksione
Në rast të shkeljeve të dispozitave të përcaktuara më lart, të gjithë personat përgjegjës do të përgjigjen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Çfarë parashikon drafti i PDK
Ish-spiunët nuk do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore
Ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të shtetit shqiptar.
Kontrollit do t i nënshtrohen Presidenti, deputetët e Kuvendit, kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm, gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga Presidenti, Kryeministri, ministri dhe Kuvendi.
Për verifikimin e kontrollin e figurës së personit zyrtar ngrihet një komision i posaçëm pranë SHISH. Ky komision do të përbëhet nga inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive.
Në përbërje do të jenë dhe katër anëtarë të emëruar nga Presidenti, me propozim të pozitës dhe opozitës me një mandat 5-vjeçar.

Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›