E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: “Shqipëria, shumë shpejt anëtare e NATO-s”

Ambasadori Amerikan pret trupat shqiptare të misionit “Liria e Irakut”. Kryeministri Berisha: “Do të bashkëpunojmë me Obamën, ashtu si me Bushin”

Ambasadori Amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi dje se Shqipëria do të bëhet shumë shpejt anëtare më të drejta të plota e NATO-s. Këtë deklaratë kryediplomati amerikan e bëri gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e pritjes së trupave ushtarake shqiptare që kanë shërbyer në misionin paqeruajtës “Liria e Irakut” në Mosul dhe në Bagdat. Në fjalën përshëndetëse, Uidhers shprehu vlerësimet më të mira të qeverisë amerikane për trupat ushtarake shqiptare që kanë luftuar krah trupave amerikane në Mosul e Bagdat. Ndërsa kryeministri Berisha, nga ana e tij, deklaroi se qeveria shqiptare do të vazhdojë me qeverinë e presidentit të ri amerikan Barak Obama njëlloj siç ka bashkëpunuar dhe me qeverinë e presidentit aktual, Xhorxh Bush.
Uidhers
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, i pranishëm në këtë ceremoni, e vlerësoi si një kënaqësi të veçantë të dëshmosh që ushtarët shqiptarë të sapokthyer nga shërbimi në Irak kanë përmbushur detyrën e tyre me nder dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre. “Ju sjell sot falënderimet e qeverisë amerikane për ndihmën e dhënë për vendosjen e paqes dhe lirisë në një tokë të largët. Sot ju përcjell respektin e kombit amerikan për kurajën e treguar në sy të rrezikut dhe për sakrificat e bëra duke qëndruar kaq larg familjeve dhe shtëpive tuaja. Sot ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të popullit amerikan, pasi keni qenë gjithmonë miq të Amerikës kur ajo ka pasur nevojë dhe unë shoh përpara drejt asaj dite që nuk është shumë e largët më kur ju të qëndroni përkrah nesh si anëtarë të NATO-s”, - u shpreh ndër të tjera ambasadori i SHBA-ve në Tiranë.
Berisha
Kryeministri Berisha, pasi i uroi trupat ushtarake shqiptare për përmbushjen me sukses të misionit të tyre dhe kthimin faqebardhë në atdhe, vlerësoi se prania e ushtarëve shqiptarë në Irak ishte para së gjithash simbol i respektit, mirënjohjes dhe miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh, kombit amerikan, qeverisë amerikane dhe presidentit Bush. Kryeministri u shpreh më tej se më shumë se çdo gjë tjetër ky mision ka shtuar solidaritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Irakun, që po ndërton sistemin e tij demokratik. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e plotë për vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me presidentin e zgjedhur Barak Obama. “Misioni juaj ishte një mision i bekuar, të tilla janë të gjitha misionet e paqes, i tillë është misioni që vëllezërit tuaj kryejnë në Afganistan, në Çad e kudo gjetiu. Por ky mision kishte një specifikë tjetër të madhe. Ju atje shkuat së bashku me trupat e ushtrisë amerikane, të ushtrisë më të shkëlqyer të planetit. Prania juaj ishte para së gjithash simbol i respektit, i mirënjohjes, i miqësisë që shqiptarët ndiejnë ndaj një kombi të madh, ndaj qeverisë amerikane dhe presidentit Bush. Bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush do ta vazhdojmë me presidentin e zgjedhur Barak Obama në të gjitha rastet, në të gjitha frontet që të jetë e nevojshme”, - u shpreh kryeministri Berisha. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të Ushtrisë.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›