E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbaron mandati i tre anëtarëve të KLD-së

Konferenca Gjyqësore do të zëvendësojë Edmond Islamajn, Trezhnjevën dhe Thanzën. Kriteret për kandidatët dhe kur do të zhvillohet Konferenca Gjyqësore

Laureta Rryçi

Mbaron mandati për tre anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Burime pranë këtij institucioni pohuan dje për gazetën “Albania” se anëtarëve Besim Trezhnjeva dhe Edmond Islamaj u ka mbaruar mandati që në këtë muaj, ndërsa për anëtarin Admir Thanza mandati përfundon më 20 janar të vitit 2009. Pikërisht për këtë arsye është vendosur që Konferenca Kombëtare Gjyqësore të zhvillohet pas datës 20 janar, në mënyrë që gara të nisë për tri vende vakante. Vitet e kaluara konferenca zhvillohej në ditët e para të dhjetorit, mirëpo këtë vit duket se kanë qenë një sërë arsyesh për datën e shtyrjes së zhvillimit të saj. Fillimisht duket se kanë qenë zgjedhja më vonesë e kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë si dhe mbarimi i mandatit të anëtarit të tretë në fund të muajit janar.

Mandatet
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shumë shpjet nuk do të ketë më tre prej anëtarëve që e gëzonin këtë post prej pesë vitesh. Anëtarët Edmond Islamaj dhe Besim Trezhnjeva janë zgjedhur në konferencën e pesë viteve më parë, në ditët e para të dhjetorit. Ata arritën të përzgjedhshin mes shumë kandidaturave të tjera falë votës së shumë gjyqtarëve. Të njëjtin fat ka edhe anëtari Admir Thanza, që është në të njëjtën kohë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Thanzës i mbaron mandati në fund të muajit janar dhe vendi i tij do të shënojë tri vende vakante për t’u zëvendësuar nga gjyqtarët. Sipas ligjit, gjyqtarët e zgjedhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të kenë shërbyer në detyrë për të paktën dhjetë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi duhet të jenë juristë, jo gjyqtarë, me të paktën 15 vjet përvojë. Përjashtohen nga shërbimi në KLD prokurorët, “anëtarët e organeve drejtuese apo ekzekutive” të partive politike, ose ata që aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e avokatisë në Gjykatën e Apelit apo të Rrethit.

Zgjedhja e anëtarëve
KGJK-ja, në mbledhjen e saj plenare, zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për çdo vend vakant, KGJR-ja përkatëse propozon dy kandidatura. KGJK-ja i zgjedh anëtarët e KLD-së në një mënyrë të tillë që në përbërjen e KLD-së, në çdo kohë, të mos ketë më shumë se katër gjyqtarë apeli, prej të cilëve një nga KGJR-ja e Tiranës dhe një nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Gjithashtu, nga një gjykatë e shkallës së parë nuk mund të zgjidhet më shumë se një anëtar i KLD-së, me përjashtim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, nga e cila nuk mund të zgjidhen më shumë se dy anëtarë. Gjyqtarët që rezultojnë të ndëshkuar me masa disiplinore, për aq kohë sa këto masa janë në fuqi, ndalohet të zgjidhen nga KGJK-ja anëtarë të KLD-së.

Subashi, anëtari i katërt që i mbaron mandati në mars

Armando Subashi është një tjetër anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që i mbaron mandati gjatë muajit mars të vitit 2009. zëvendësimi i tij do të shënojë anëtarin e katërt në këtë Këshill brenda një periudhe të shkurtër kohore. Edhe Subashi e ka siguruar këtë post nëpërmjet votës së gjyqtarëve në Konferencën Kombëtare Gjyqësore. Pasardhësi i tij do të ndjekë të njëjtën rrugë ligjore për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Si funksionon Konferenca Gjyqësore Kombëtare

KGJK-ja mblidhet të paktën një herë në vit, në mbledhje vjetore. Mbledhje të tjera të KGJK-së mund të zhvillohen në çdo kohë. KGJK-ja mund të veprojë edhe me vota të shkruara pa mbledhje, përveç rasteve të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila zhvillohet në seancë plenare. Vendimet janë të vlefshme nëse nënshkruhen nga dy të tretat e anëtarëve të KGJK-së, në rastet kur ajo vepron me vota të shkruara, për të cilat ndiqet një procedurë e veçantë e përcaktuar në Rregulloren e KGJK-së. Kryetar i KGJK-së është kryetari i Gjykatës së Lartë. Në
mungesë të tij, KGJK-ja drejtohet nga zëvendëskryetari. Mbledhjet e KGJK-së thirren nga kryetari i Gjykatës së Lartë me nismën e tij ose me kërkesë me shkrim nga të paktën një e treta e anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv të KGJK-së. Për mbledhjen vjetore të KGJK-së, të gjithë anëtarët e saj njoftohen me shkrim të paktën një muaj përpara datës së caktuar për mbledhjen vjetore. Për çdo mbledhje tjetër anëtarët njoftohen me shkrim të paktën 10 ditë përpara zhvillimit të mbledhjes.

Anëtarët e Konferencës Gjyqësore Kombëtare

Kryetari i Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë, kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe kryetarët e gjykatave të apelit janë anëtarë të KGJK-së për shkak të detyrës që ata kryejnë. Anëtarët e tjerë të KGJK-së zgjidhen nga Konferencat Gjyqësore Rajonale dhe përbëjnë dyfishin e numrit të anëtarëve, që zgjidhen për shkak të detyrës. KGJR-të ngrihen aty ku ushtron juridiksionin gjykata e apelit përkatës. Secila KGJR përbëhet nga të gjithë gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit dhe kryesohet nga kryetari i gjykatës së apelit. Gjykatat e tjera të apelit, për efekt të këtij neni, përfshihen në KGJR-në ku ato kanë qendrën. KGJR-të i zhvillojnë mbledhjet e tyre vjetore të paktën 60 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen vjetore të KGJK-së. Mbledhjet e tjera, secila KGJR mund t'i zhvillojë në çdo kohë. Me propozimin e kryetarit të saj, KGJK-ja përcakton numrin e anëtarëve që do të zgjedhë çdo KGJR.
Mbledhjet e KGJR-së thirren nga kryetari i gjykatës së apelit përkatës. Njoftimi i mbledhjes u jepet me shkrim të gjithë gjyqtarëve që janë anëtarë të KGJR-së përkatëse, të paktën dy javë përpara datës së caktuar për zhvillimin e saj. Në mbledhjen vjetore, secila KGJR zgjedh nga radhët e saj anëtarët për në KGJK. Numri i anëtarëve për çdo KGJR caktohet në këtë mënyrë: raporti i numrit të anëtarëve të KGJK-së që zgjidhen nga një KGJR, duke përfshirë edhe anëtarët për shkak të detyrës, me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të KGJK-së, të jetë i njëjtë me raportin e numrit të gjyqtarëve të KGJR-së përkatëse me numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve të të gjithë vendit. Në këtë përllogaritje nuk përfshihen kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë. Mandati 1-vjeçar i anëtarëve të zgjedhur të KGJK-së fillon menjëherë pas zgjedhjes së tyre nga KGJR-ja dhe vazhdon deri në rastin që pasardhësi i tyre të zgjidhet nga KGJR-ja në mbledhjen vjetore të saj të vitit të ardhshëm, ose derisa ata japin dorëheqjen nga KGJK-ja apo nga të qenit gjyqtar, ose kur shkarkohen si gjyqtarë. Nëse një anëtar i zgjedhur i KGJK-së bëhet anëtarë për shkak të detyrës, si rezultat i zgjedhjes në Gjykatën e Lartë ose të emërimit si kryetar gjykate, vendi vakant i krijuar plotësohet në mbledhjen e ardhshme të KGJK-së përkatëse.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›