E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon homologun çek: “Çekia do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE”



Presidenti Republikës, Bamir Topi, është takuar dje në Çeki me homologun e tij çek, presidentin Vaslav Klaus. Gjatë këtij takimi të dy presidentët shprehën vullnetin dhe mbështetjen e palëkundur për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë këtij takimi, që u zhvillua në kuadrin e një vizite të shkurtër të Kreut të shtetit shqiptar në Republikën e Çekisë, presidenti Topi shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e Çekisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe për gatishmërinë e institucioneve çeke për të ofruar përvojën e tyre në këto drejtime. Të dy presidentët nënvizuan në këtë takim nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Çekisë, në të njëjtën kohë shprehën vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e investimeve çeke në vendin tonë dhe liberalizimin e regjimit të vizave. Presidenti Topi vuri në dukje se “me gjithë rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike të shënuar gjatë kohëve të fundit, përsa i përket bashkëpunimit ekonomik dypalësh, ka ende shumë për të bërë, duke pasur parasysh se tradicionalisht Çekia ka qenë një nga partneret kryesore ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë. Edhe liberalizimi i regjimit të vizave do t’i shërbente akoma edhe më tej lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave”, - është shprehur presidenti shqiptar, Bamir Topi. Kreu i shtetit shprehu interesimin e palës shqiptare për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjetikës dhe infrastrukturës dhe nevojën e investimeve çeke në këto fusha. Presidenti Klaus vlerësoi rolin konstruktiv dhe moderues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit për paqen, qëndrueshmërinë dhe begatinë e tij afatgjatë duke e siguruar presidentin Topi se Shqipëria do të gëzojë mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë për anëtarësimin sa më të shpejtë në gjirin e familjes së madhe europiane, kur ajo të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europian në janar. Kreu i shtetit shqiptar e ftoi presidentin Klaus për të vizituar vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›