Zogaj: PD, pushteti nuk kontrollohet
Adi Shkëmbi
Shumica parlamentare ka probleme me ushtrimin e pushtetit të saj. Këtë e pohoi dje deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, sipas të cilit edhe kjo maxhorancë ka mangësi që duhen korrigjuar. Gjatë fjalës në Kuvend në debatin për Fazlliç deputeti demokrat, një nga të rikthyerit në Partinë Demokratike vite më parë, deklaroi se ka ende zona ku pushteti as nuk delegohet e as kontrollohet. “Natyrisht kemi probleme, por ato janë kryesisht tonat, nuk janë probleme të shumicës me opozitën, por kryesisht të vetë shumicës dhe që lidhen me ushtrimin më të mirë të pushtetit. Kemi andej-këndej oaze, zona, sektorë ku pushteti as delegohet, as kontrollohet. Pikat e kontrollit të pushtetit lënë ende për të dëshiruar. Aty ku pushteti as delegohet tamam, as kontrollohet tamam ka abuzime, arbitraritet, korrupsion”, theksoi Zogaj. Duke u ndalur pikërisht te fenomeni i korrupsionit, karta kryesore e Partisë Demokratike në fushatën elektorale të 3 korrikut 2005, deputeti i PD-së thekson se korrupsion ka pikërisht në segmentet e antikorrupsionit. Madje, sipas tij, ndihmës të kryeministrit e kanë shtyrë këtë të fundit me këshillat e tyre drejt konfrontimit. “Kemi fenomenin e korrupsionit të antikorrupsionit. Domethënë individë e subjekte kapen në gabime për t’u diktuar pagesën për mbylljen e çështjeve dhe jo për të bërë drejtësi. Ky është problem i madh, sepse helmohet edhe medikamenti, siç thuhet. Sot debati është me kryeministrin. Zoti kryeministër, në momente të vështira ke pasur rreth e rrotull njerëz që të kanë këshilluar apo të kanë joshur të ndjekësh përballjen, deri konfrontimin”, vijoi më tej Zogaj. “Unë do t’ju thosha të harxhoni më pak kohë me beteja-kurth ku humbet kohën dhe t’u kushtoheni investimeve. Investimet janë talenti juaj; t’u kushtohemi bashkërisht zgjedhjeve të lira e të ndershme, që bashkë me hyrjen në NATO të realizojnë për të gjithë liberalizimin e vizave, hyrjen në BE, standarde më të larta sigurie e mirëqenie për të gjithë”, theksoi deputeti i PD-së. Duke iu referuar debatit të dy netëve më parë në Parlament lidhur me mocionin ndaj kryeministrit për çështjen “Fazlliç”, Zogaj tha se Prokuroria është duke hetuar dhe kjo çështje ka hyrë në rrugën e duhur. Sipas tij, “kush nuk ka gjë tjetër për të bërë le të merret natë e ditë me këtë episod; kush nuk kupton se ku jemi dhe ku po shkojmë le të ëndërrojë fitoren, duke imituar keq opozitën që ka bërë PD-ja; le të presë natë e ditë për të nxjerrë dhjamë nga pleshti, le të presë natë e ditë që nga ferra e vogël të dalë lepuri i madh. Ne si shumicë kemi për detyrë të çojmë drejt finalizimit premtimet për të cilat jemi votuar”.