E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, përplasja e parë PD-PS

Zvarritja e votimit të Kodit të ri Zgjedhor mund të ndikojë në ngjeshjen e afateve për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas gjasave, pritet që Komisioni Qendror Zgjedhor të riformatohet nga fundi i muajit janar të vitit të ardhshëm. Pas këtij momenti do të mund të fillojë marrja e vendimeve që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve parlamentare. Në rastin më normal, këto zgjedhje do duhet të bëhen në 21 ose 28 qershor të vitit të ardhshëm. Kodi i ri Zgjedhor parashikon që jo më vonë se një muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit elektoral duhet të bëhet rizgjedhja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më tutje parashikohet se jo më vonë se 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Gjendjes Civile i dërgon KQZ-së numrin e

përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në

nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve. Jo më vonë se 15 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, nën autoritetin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore dhe në zbatim të udhëzimeve të

ministrit që mbulon pushtetin vendor, harton listën paraprake të zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi, duke nxjerrë nga baza e të dhënave elektronike të regjistrit kombëtar të gjendjes civile të njësisë përkatëse, të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën për zhvillimin e zgjedhjeve. Brenda 30 ditëve nga nxjerrja dhe dorëzimi i listave të zgjedhësve, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore bën ndarjen ose bashkimin e

listës, nëse janë kushtet e përcaktuara në nenin 62. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore cakton vendndodhjen e saktë, adresën e plotë të qendrave të votimit, përgatit hartën e

njësisë së qeverisjes vendore, në të cilën janë vendosur edhe kufijtë e zonave të qendrave të votimit dhe e shpall atë në mjedise publike, me hyrje të lirë, brenda njësisë së qeverisjes vendore. Kryetari i njësisë përkatëse e mban të pandryshuar vendndodhjen, adresën ekzistuese dhe kufijtë e zonës së qendrave të votimit, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 62, pika 2 e këtij Kodi. Ai nuk mund të ndryshojë vendndodhjen e qendrës së votimit në 10 ditët e fundit para datës së zgjedhjeve, përveçse në rastet e forcave madhore.

Ringrihet komisioni parlamentar për reformën elektorale

Konferenca e kryetarëve vendosi dje të ringrejë Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Pas shumë debatesh, drejtuesit e grupeve parlamentare kanë arritur të gjejnë një konsensus për këtë vendim. Burimet nga Kuvendi sqaruan se fillimisht në mbledhje është kërkuar që të mund të shmanget ngritja e Komisionit të Reformës. Si opsion për këtë është paraqitur në një moment edhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. Ide që nuk është pranuar nga anëtarët e konferencës së kryetarëve pas diskutimeve. Më pas, përfaqësuesja e Partisë Socialiste ka kërkuar që Komisioni i Reformës të zhvillojë punimet e tij brenda ditës së hënë dhe aty të mbyllet ndërhyrja në Kodin Zgjedhor. Të tjerë anëtarë kanë qenë të mendimit se nuk mund të caktohet paraprakisht një afat konkret i punës së komisionit. Nëse do të bëhet vetëm korrigjimi i nenit të kontestuar prej kreut të shtetit, ka gjasa që ky do të jetë mandati më i shkurtër i një Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore. "Konferenca e kryetarëve vendosi sot me unanimitet për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili do të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e Kodit të ri Elektoral në Kuvend", tha kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi. Ne, sqaroi ai, e morëm këtë vendim në respekt të rregullores së Kuvendit, e cila kërkon që ligjet që kthehen nga Presidenti duhet të shqyrtohen nga i njëjti komision që i ka trajtuar ato paraprakisht. "Pra, kemi qenë të detyruar të ringremë Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, i cili brenda një afati sa më të shkurtër do ta kalojë Kodin Elektoral për në seancën plenare", u angazhua Patozi. Mandati i këtij komisioni, vijoi ai, është i përcaktuar nga vetë rregullorja, e cila parashikon që një ligj i kthyer nga Presidenti i Republikës, d.m.th Kodi në rastin konkret, nuk mund të shkojë më gjatë se pesë javë, natyrisht që do të jetë brenda këtij mandati. I pyetur në lidhje me ndonjë rishikim të neneve të tjera të ligjit elektoral, Patozi u shpreh se "kjo është një çështje që nuk ka të bëjë fare me vendimin e konferencës së kryetarëve dhe është një çështje në vullnetin e lirë të forcave politike që do të përfshihen në ritrajtimin e Kodit Elektoral". Ai shprehu besimin se Komisioni i ringritur i Reformës do ta trajtojë me shumë seriozitet dhe përgjegjshmëri kthimin e ligjit për ta kaluar sa më shpejt në seancë. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se komisioni i ringritur do të marrë një vendim lidhur me çështjen që dekreti ka ngritur për Kodin Zgjedhor. "Theksoj që vetëm për këtë çështje", insistoi ajo. Në këndvështrimin e Leskajt rregullorja jep afatin fundor, por kjo nuk do të thotë që komisioni do të jetë për dy javë. "Do ta vendosi seanca kohën e ushtrimit të funksionit të këtij komisioni. Është vetëm një çështje që do të shqyrtohet dhe nuk besoj se ka nevojë për shumë kohë", theksoi Leskaj. Drejtuesja e lartë socialiste mohoi të ketë negociata për çështje të tjera, për sa kohë që dekreti bën fjalë vetëm për një çështje dhe komisioni do shqyrtojë dekretin.

Qëndrimi

Lëvizja Socialiste për Integrim e interpreton si fitore të kauzës së saj

Prifti: Përshëndesim ringritjen e komisionit

Pas ringritjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, i menjëhershëm erdhi edhe reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një komunikim me median, deputeti Dritan Prifti u shpreh se "na vjen shumë mirë që ka një qëndrim për rikthimin e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Reformës Zgjedhore". Sigurisht, shtoi ai, është një vlerësim për t‘u përshëndetur, ne për këtë kemi sakrifikuar. "Ne kemi sakrifikuar edhe me grevë urie që të bëjmë një Kod, sipas standardeve evropiane, të bëjmë një Kod që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm", tha Prifti. Sipas tij, vendimi për ta kaluar sërish Kodin, pra jo për të kaluar në mënyrë të rrufeshme dekretin e Presidentit, por për ta sjellë përsëri Kodin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, për t‘i bërë përmirësimet e duhura, ka vetëm përshëndetjet dhe mbështetjen e LSI-së. "Ne do të kontribuojmë në atë komision që Kodi, i cili do të kalohet nga Parlamenti përsëri të jetë vetëm sipas standardeve evropiane dhe të garantojë zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta për të gjithë", vijoi Prifti. Pak ditë më parë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i dërgoi një letër të hapur liderit të opozitës, Edi Rama, për të dialoguar në funksion të rishikimit të Kodit të ri Zgjedhor. Përgjigjja e këtij të fundit ishte e qartë se pranon takim, por jo për çështjen e ligjit elektoral. Sakaq, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, përmes një letre publike i kërkoi kryeparlamentares të ndikonte në rishikimin e Kodit. Topalli nuk preferoi të ndërhynte publikisht në këtë debat, por ua la çdo gjë grupeve parlamentare. Kryeministri Sali Berisha, nga ana e tij, është deklaruar më parë i gatshëm për të gjetur një zgjidhje për Kodin e ri Zgjedhor.

Dekreti

Kreu i shtetit, arsyet

e rikthimit të ligjit

Kreu i shtetit, Bamir Topi, firmosi në datën 2 dhjetor dekretin për kthimin e ligjit Nr. 10019, datë 18.11.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë". Këtë veprim e mbështeti në përputhje me nenet 93 dhe 85, pika 1, e Kushtetutës së Shqipërisë. Nga ky moment filloi edhe ngërçi i procedurave në Parlament. Kjo, pasi neni numër 86 i rregullores së Kuvendit përcaktonte se "kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht". Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit. Problemi ishte se Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore, që kishte miratuar për në seancë Kodin, nuk ekziston më, pasi afati i tij ka skaduar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›