Prifti: Karburantet, në treg ka çmime abuzive
Lëvizja Socialiste për Integrim ngriti dje shqetësimin e çmimeve abuzive në tregun e karburanteve. Deputeti Dritan Prifti tha se ato nuk mund të shpjegohen absolutisht me ecurinë e tregjeve ndërkombëtare, por shpjegohen vetëm me abuzimin e tregtuesve në Shqipëri dhe me një partneritet për fitime të jashtëligjshme që kanë këta me qeverinë apo me institucionet e qeverisë. "Në një kohë kur çmimi botëror i naftës shkon te 43 apo 44 dollarë për fuçi, në Shqipëri çmimi i karburantit duhet të ishte 80 apo 90 lekë për litër, kur ne jemi akoma në nivele e 130 lekë për litër", konstatoi Prifti. Sipas tij, media ka filluar të flasë për këtë situatë të pakuptimtë dhe të pranueshme, por shteti nuk ka filluar të lëvizë, nuk ka filluar të marrë masa, por vetëm po luan pingpong. "Ministria nga ana e saj thotë se duhet të ndërhyjë Inspektorati. Inspektorati thotë duhet të ndërhyjë Komiteti i Konkurrencës. Pra, luhet pingpong nga një institucion i shtetit te një institucion tjetër, vetëm për të shtyrë abuzimin dhe vetëm për të mos i dhënë zgjidhje kësaj situate për qytetarët shqiptarë", vlerësoi Prifti. Pra, shtoi ai, ka një amulli dhe ka një padurim për të vazhduar për të abuzuar, dhe për të fituar në mënyrë të jashtëligjshme nga tregu energjetik, ashtu siç ka një kaos komplet, në të gjitha politikat energjetike në vend.