E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryengritja e Gjirokastrës

27/05/2005  Sulmohet kalaja me 300 të burgosur më të rrezikshëm

Cilat janë deklarimet e kapiten Ismail Gjylbegut në hetuesi, për revolucionin e përgatitur nga Ethem Tota? Historia e vrasjes së toger Lik Bardhit.

Takimi i toger Bardhit në Delvinë me ministrin e Brendshëm, Ethem Tota. Çfarë tha Ismet Tota në hetuesi për këtë takim? Kush e dha urdhërin për thyerjen e depos së armëve në Delvinë? Si u pushtua nënprefektura e Delvinës nga suita e Ethem Totës? Fjalimi i Totës përpara xhandarëve të vet, duke u bërë thirrje për besnikëri dhe trimëri në kryengritjen e nisur tashmë. Ethem Tota lajmëron Revolucionin e përgjithshëm.

Sa ishte koha për rrëzimin e mbretit Zog, të garantuar nga fjalimin e ish Ministrit të Brendshëm? Zhvillimi i ngjarjeve nga Delvina në Gjirokastër.

Cila ishte atmosfera e periudhës 1930 deri më 1939 në Shqipëri? Në këtë hark kohor u shënuan tre kulminacione që tentuan të trondisnin pushtetin e mbretit. A ndikuan këto në ndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri?

Studiuesi Veli Haklaj pasi ka mbeldhur një material të pasur arkivor, duke u mbështetur mbi fakte të dokumentuara zbardh të plotë ngjarjen më të bujshme në kohën e qeverisjes së Zogut. E njohur si Lëvizja e Delvinës, Haklaj përmes protagonistëve, pranë oborrit të mbretit zbulon intrigat politike, armiqësitë dhe projektet e fshehta, të panjohura më parë nën qeverisjen e Zogut.

Zhvillimi i ngjarjeve në Delvinë

Sipas deklarimeve të bëra ne hetuesi nga ana e kapiten Ismail Gjylbegut, ndihmës qark-Komandant i Gjirokastrës, ngjarjet janë zhvilluar si më poshtë: “…Ne orën 7 e akshamit kemi dalë tok së bashku siç kemi qenë në oborrin e shpisë Ethemit janë shprazun revolverat dhe jemi drejtue në zyrën telegrafike ku janë dhanë urdhrat prej Ethemit me pre komunikasjonet telegrafike dhe i asht vue roje. S’andejmi në bashki ku foli Ethemi. Kryetarit bashkisë i asht shfaq komandant i revolusjonit, jini nën vërejtjë dhe i vuni roje. S’andejmi në Nënprefekturë kam gjetë nji shumicë popull e gjindarmë, qi postkomandanti i qendrës kishte hap depon edhe do te merrte armët. Nat çast kam marë vesht kush e ka vra edhe vrasjen e Togerit prej kapter Abdi Golemit, por nuk mora vesht kush e ka vra e Xhelal Shtupani ishte me ne kure shkumë në nënprefekturë e Togeri kishte qenë i vramë dhe Xhelali qe me ne. Unë kam marrë armën e Ismet Çipit tagrambledhë mbasi ishe pa armë. Abdi Golemi më tha se gjindarmët prej postave janë thirrur me pretekstin se do shkojnë me rrethue nji kontrabandë…(F. 157, V. 1937, D. 14 fleta 84-85)

Vrasja e toger Lik Bardhit

Në procesverbalin e mbajtur në hetuesi në ngarkim të të pandehurit Ismet Toto (F. 157, V. 1937, D.14, fleta 171), Ismeti pohon : “Ndodhja e Toger Lik Bardhit ne Delvinë ishte bisedue me Etemin, por tue qenë se ai nuk u konsiderua se mund të na sillte ndonji pengim ishte vendos vetëm burgimi i tij…”

Kurse ne procesverbalin e mbajtur ne hetuesi nga gjyqtari paqtues Dh. Miçiaçio, deshmitari Delo Maksut Zevoj, 46 vjeç, nga katundi Zhulat i Gjinokastrës, banues në Delvinë, deklaron: “Më datë 15.5. 1937 rastësisht kam ndodhur bashkë më toger Lik Bardhin, i cili më kishte ftuar të venja në shtëpinë e tij. Dhe kështu kur po drejtohesha për nga shtëpia e Togerit dhe tue shkuarë nga rrugica e xhamisë lagjes Vare atje kemi digjuara qi zbrazen disa armë në pazarë. Në këto e sipër tue pyetur njëri-tjëtrit se çfarë kishte ngjarë, Togeri, mbasi hoqi kapellen, filloj të vrapoj për në xhade tue ecur unë nga pasë. Kështu jemi takuar me kapter Avdi Golemin, i cili shoqërohesh prej një gjendarmi Ali që llagapin nuk e di, nga Berati. Abdiu tha “ kazani q’ish per t’u mbushur u mbush dhe tashti është tue u derdhë” dhe mbasi i kam kërkue dhe shpjegime të tjera ky nuk m’u përgjigj.

Bashkë me kapterin dhe gjendarmin dhe tue pasë me vete dhe Toger Lik Bardhin muer në drejtim për për në Rrethkomandë, por mbasi nuk denim se ç’baheshi dhe s’ishim pa armë, i përmenda këtë fakt Togerit dhe ky mu përgjegj se kam dy armë në depo dhe t’i marrim ato. Keshtu dërgoi një të quajturin Tare Hakon, bari, që të vinte në depo dhe në rastë se nuk do të gjendë ushtarin të quajtur Ramadan, të thyente derën e depos dhe të sillte pa vonese armë. Kur arrijtëm për drejtë N/Prefekturës mbi këtë dolli N/Toger Tajar Goxho bashkë me një numër gjendarmësh t’aramtosun dhe kapter Avdiu i thirri Togerit ndalo atje ku je dhe mbasi ju afrue dhe çoçi tha në vesh, mandej kapteri urdhnoj gjendarmët të hapeshin në rreshte dhe thirri barkaz dhe mandej mbasi Toger Lik Bradhi vazhdoj rrugën mbi xhade, kapter Avdi Golemi dha urdhën gjendarmëvet të pregatiteshin perzjarrë, tue ju dhënë urdhën tekstualisht këto fjalë “Vriteni Togerin”. Kështu gjendarmët qe ndodheshin me armë në dorë pranë qoshkut qe ka N/Prefektura afër xhades, shtinë me pushkë të drejtueme Toger Lik Bardhit. Ky kur ka dhënë urdhën kapteri se vrijeni Togerin, habiti dhe tha këto fjalë “Jo ne besë”. Sa do që pranë qoshkut kishte shumë gjendarmë, por prek këtyre nuk kanë zbrazur që të gjithë armë e nga sa më kujtohet dhe munda të dalloj, mundet të kenë zbrazur deri në pesë armë. Toger Lika ka rënë në mës të xhades…(F.157,V.1937, D.14, fleta 268-269)

Zhvillimi i ngjarjeve nga Delvina në Gjirokastër

Në deklarimet para hetuesisë së gjyqit politik, Ali Hajdar Nivica, 38 vjeç nga Nivica sqaron: “… Në këtë kohë Shefqet Gjolake bërtet ma za të naltë: Popull, hypni e uroni Etem Toton. Me turmë bashkë, kur u afruam tek shkallët, shohim Etemin me suitën e tij të zbresë poshtë. Etemi sa më pa më tha: Ali, hajde me mua. Kështu pa ditur gja shkuan e gjithë gjindja në drejtim të n/Prefekturës (Delvinës –shënim im). Kur vamë në n/Prefekturë, kapter Abdi Hasko tue i pasë dhe gjindarmët në rreth i paraqiti forcën Etemi, tuke i lajmërue dhe vrasjen e Togerit paraushtarakvet.

Etemi u mbajti nji fjalim gjindarmëve tuke ju thanë do vini me mua. Kërkoj besnikëri dhe trimëri dhe në përfundim do gradohi kush kapter, kush aspirant dhe kush n/toger. Mua më duhet trimëria dhe besnikëria dhe nuk më duhet shkrimi dhe këndimi. Dhe gjindarmët me za të naltë iu përgjigjën: “Si urdhnon, do vimë dhe të betohemi.”

Në këtë kohë kohë, Xhevdet Gjoleka hypën në ballkon të n/Prefekturës dhe mban një fjalim kondra qeverisë tuke përdorur fjalë të ndyra. Pas kësaj hypëm sipër dhe Etemi më kërkoi me anën e Tajarit dhe në zyrën e n/Prefekturës më thotë: Në Shqipni kemi Revolusjon të përgjithshëm dhe unë mora komandën së këndejmi. I thashë jam pa armë, punët në çiflik.

Ai buzëqeshi dhe tha: Puna brenda dy ditësh merr fund.

Asht një revolusjon i përgjithshëm në të cilin merr pjesë e gjithë Shqipnia. Aty desha, s’desha, hyna mbrenda. Për pak dërgoi Kapiten Ismailin te një armëtar dhe mori revolet qi qenë atje dhe ma dha nji revole. Etemi gjithnji shikonte sahatin.

Kam udhëtuar me një automobile për në Gjirokastër me Tajarin, i cili filloi të më jepte shkoqitje. Pikë së pari, më tha, sonte do të shkojmë në Gjinokastër. Kapiten Ismailin e kemi me vedi. Punë atje janë të gjitha të rregulluara. Nga Gjinokastra mbasi të çelet burgu do të bëhet nji fuqi dhe andej do të shkohet në Vlonë, ku dhe atje ka vejtur nji njeri i posaçëm dhe puna asht në rregull. Në shtëpi të tij, Etemi na kallzoi planin qi sonde do marrim Gjinokastrën dhe nesër do vemi në Vlonë, dhe se në kët kryengritje merr pjesë e gjithë Shqipnija. Na tha edhe se këtë program ka tre vjet qi e ka në pregatitje. Më tha se disa gjindarmë qi nuk i kishin besnikë i kishnja nxjerrë gjatë rrugës në Toban të Paces tuke u thanë se gjoja do kalonte nji kontrabandë e madhe …” (F.157, V.1937, Fleta 71-72).

Kurse në procesverbalin e mbajtur në hetuesinë e gjyqit politik, Kapiten Ismail Gjylbegu pohon për zhvillimin e ngjarjeve të mëtejshme:

“…Kemi marrë urdhnat e fundit prej Etehemit për me u nis për Jergucat me çarmatos postat dhe kompaninë e kufinit të Jergucatit. Para Muzinës asht këputë telefoni, në Muzinë jemi ndalë. Kena hi civilat në postë, çarmatosë dy gjindarmë që ishin roje e ma në fund kem hi edhe ne. S’andejmi kemi shkue në Jergucat e mbasi kemi qëndrue në kambë, asht dhanë urdhën prej Ethemit; kapter Abdi Golemit me drejtue postës gjerndarmëris për çarmatim; nëntoger Tajar Goxhos për rrethim e vrasjen e komandantit të kompanisë kapiten Mehmet Delinë; nëntoger Shtupanit në depon e ushtries kufinit. Secilli prej tyne ka veprue. Unë isha në kambë me Ethemin. Kam ndigjue se ra një pushkë në postë dhe pashë kapter Abdin se mori armët e gjendarmvet që kishin qenë fjetun. Nëntoger Tajari u kthye dhe më tha qi kapiteni duke se hiku, megjithë qi unë e qillova nji herë, por nuk e dij a u vra ai apo tjetër kush. Çarmatosëm rojet e postës së kompanis kufinit dhe marrim armatimin në depo.

Mbasi kemi mbarue punë në Jorgucat pa asnjë përpjekje, Ethemi më thotë: “Mbreti do më çonte në Itali për diskretitim dhe më thirri në Tiranë me shkue në audjencë ku më kish vue katër pusinë në udhë për me më vra. Ktu kam kuptue se kët veprim e ban për çeshtje personale.”

Në Jorgucat kam marrë urdhën prej Ethemit me dalë përpara mbasi të njofin gjendarmët e mirresh vesht pa kundërshtim me ta. Kam ardhë në postën e Sofratikës. Kam gjetë gjendarmët në gjumë e i kam marrë me vedi pa i çarmatosë tue mos i kallxue asi send. Kapterit, kur më pyeti rrugës se ç’asht kjo punë, i kam thanë nuk asht gja, po rri i qetë. S’andejmi kam ardhë në rojën në të hyme të Gjinokastrës bashkë me Etehemin. Kam hi në roje, nji gjindarmë e kam marrë me vedi t’armatosun, tjetrin e kam lanë mbrenda në rojë, por të çarmatosun, mbasi urdhni i Ethemit ishte çka asht dibranë, me i çarmatosë. Jam drejtue në kazermën e postkomandës Qendrës. Kam gjetë gjendarmë fjetun, i kam urdhune me dalë në rreth përpara në ballë të gazermës, në minut ka ardhë Ethemi dhe u ka marrë armët e fut në depo...“ (F.157, V.1937, D14, fleta 85-86)

Rënia e Gjirokastrës në duart e kryengritësve

Prefekti i Gjirokastrës, Zef Kadarja, i cili u emërua urgjentisht në këtë detyrë duke qëndruar në krye të gjitha punëve deri sa u shtyp kryengritja e Delvinës dhe e dënuan personat përgjegjës, në Telin Shifer me nr.special, të dërguar nga Gjirokastra më datë 07.06.1937 për Ministrin e Mbrendshëm, Musa Juka, ndër të tjera thekson: “… Vetëm Ago Agaj është ai që ka pasë lidhje dhe marrëveshje me Etemin dhe qi ka marrë përsipër të këputtë telegrafin dhe të përgatitë nji fuqi në qarkun e Vlonës, bile për atë qëllim asht nisë për në qark të Vlonës tre ditë përpara, por nuk kuptohet se pse nuk e ka vue në zbatim planin, a pse nuk i ka ndihmue kush, apo asht friksue. Shkaku i dytë asht ma probabël. Etemi ka pasë shpresë edhe bindje edhe në sajë të Ago Agajt, rrugën për në Vlonë do ta kishte çelë. Por qëllimi u dështoj; së parit pse u gjet kundërshtim në burgun e këtushëm nga kapitenat Ded Jakova e Luigj Berisha edhe i ndjeri toger Rustem Sadria që u vra; së dyti pse në Qarkun e Vlonës nuk luejti kush.” (F.152, V.1937, D35/2, fleta 1227-1228).

Siç rezulton dhe nga dokumentacioni i plotë i kësaj kryengritje, e vetmja rezistencë që iu organizua kryengritësve në rrethet Delvinë, Gjirokastër dhe Tepelenë është qëndresa në kalanë e Gjirokastrës ku ndodheshin afro 300 të burgosur më të rrezikshëm të të gjithë Shqipërisë, që ishin llogaritur si kontigjent i gatshëm për realizimin e planit të kryengritjes së Delvinës.

Por si u zhvilluan ngjarjet në Gjirokastër?

Në procesverbalin e mbajtur nga zv/komandant i Qarkut, kapiten Daut Komi dhe Komandanti i Detashmentit të Fuqive Ndjekëse, nëntoger Zyhdi Mehmeti, i pandehuri nëntoger Xhelal Shtupani, 27 vjeç, lindun në fshatin Shëngjergj të Tiranës, oficer i Armës së Artilerisë me shërbim ndihmës i Zyrës së Rekrutimit të Sarandës deklaron: “… Pas gjysëm ore hymë në Gjirokastër, ku në Prefekturë gjetëm Ismailin qi i kishte çarmatosë dhe rregullue gjindarmët; kishte mbajtë fjalim; por nuk e di se çka. Mbas pak kohet më thërret Ethemi mue dhe më thotë mue ju marrë revolet gjindarmëvet. I kemi thirrë dhe u kemi thënë qi urdhni i Majorit me dorëzu rivolverat dhe gjindarmët i dorëzuen të gjithë pas asnji kundërshtim, vetëm se njeni, më duke ai ishte nga Mirdita, bani pak kundërshtim. I folën kapiten Ismailit dhe ky e urdhnoj me e dorëzue kështu dhe ky e dorëzoj. Kemi shkue nalt në Prefekturë, nuk e di nëse ishte Qark a Prefekturë, se aty ishte Ethemi ndejun me shokë. Ndigjova se nëntoger Tajarin me disa gjindarmë e kishte dërgue në qarkim të shtëpisë kapiten Dedë Jakovës, jo me e vra, por mos me lanë me dalë. Tuj kanë un mbrenda u fjalosën në telefon Ethemi me Dedën, ishte i dëshpëruem përse i qarkuem shtëpinë dhe i tha se pse nuk më lajmërove ma përpara, dhe Ethemi i tha se nderin tand e kam sigurue, por të lutem mos del prej dhomet. Kapiten Ismaili dha urdhën për me i ndërrue gjysmat e rojeve të burgut e kështu këta i ndërruen. Gjindarmët që erdhën poshtë ishin pa armë. Ma vonë ndëgjuem se kapiten Ismaili ndodhet i rrethuem në burg. Ka urdhërue Ethemi një Nevruz Bello me ca shokë me lirue kapitenin dhe burgun. Më ka gjetë edhe mue jashtë e më tha se duhet me shkue me lirue burgun.

I foli dhe Tajarit, se ky kishte fuqi me gjindarmë, dhe erdhme të burgu unë, Tajari, Nevruzi e shumë të tjerë, nja 40 veta. Kur dhëm te dera e burgut, unë isha si në qoshe, por filloj pushka e u shpërndamë të gjithë anës rrugës, poshtë se kishim frikë prej rojes nalët.

Unë sa e pashë se kërciti pushka shkova në Prefekturë dhe i thashë Ethemit se burgu asht i pamundun të mirret. Ai më tha me marr fuqi me msye dhe medo e mos ma e marrë. Unë vajta, dola jashtë, zuna një hije më tej prefekturës dhe kam ndejt me djalin e Maksakulit, tuj i thanë se burgu nuk merret. Vazhdonte në burg pushka. Unë u çudita se si u hap mandej burgu, mbasi e dishëm se sa i fortë ashtë. Kishim kenë dhe nja herë dy vjet ma parë me pa…” (F.152, V.1937, D35/3, fleta 1876-1877).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›