Kohë e prapë për idealistët!
Ditë më parë, pikërisht në ditën kur një organizatë e specializuar ndërkombëtare do ta rendiste Shqipërinë të tretin në botë për shkallën e lartë të korrupsionit, menjëherë pas Kamerunit dhe Kamboxhias, një njoftim tejet trishtues për të gjithë shqiptarët, jo aq për emër e fytyrë, se për humbje të perspektivës dhe të shpresës, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John L. Withers, mbajti një fjalim inkurajues përpara Konferencës Kombëtare të Drejtësisë. Pjesë të këtij fjalimi, që kanë të bëjnë me qëndrimet diplomatike të supershtetit që ai përfaqëson, u cituan në edicione e buletine lajmesh, të pjesshme e të plota. Por ndoshta thelbi i atij fjalimi u la mënjanë nga pjesa më e madhe e mediave. Ndër të tjera, në fjalimin e tij, ambasadori i SHBA-së tha: "Themeluesit e Shteteve të Bashkuara e përkufizuan demokracinë amerikane në një fjali të jashtëzakonshme: që të gjithë ne jemi krijuar të barabartë dhe jemi bekuar me të drejta të patjetërsueshme, midis tyre, ato për jetën dhe lirinë… Kush i mbron këto të drejta? Përgjigjja është: sundimi i ligjit, administruar nga një gjyqësor i pavarur, i kualifikuar, nga një sistem i drejtë dhe i balancuar gjykatash dhe nga procedura transparente për administrimin e drejtësisë në mënyrë të barabartë për cilindo".
Bekimi "me të drejta të patjetërsueshme", si cilësi qenësore e qytetarit, shqiptuar prej përfaqësuesit të një vendi, që zakonisht jemi mësuar ta quajmë "kampion të lirive dhe të të drejtave njerëzore", për më tepër në ditën më të zezë për drejtësinë dhe barazinë, në ditën e shpalljes së sundimit të korrupsionit në gjithë piramidën e qeverisjes, sido që duket i pamerituar për shqiptarët, është i mirëpritur prej tyre, siç ndodh gjithnjë me njeriun kur e sheh veten në zgrip dhe shpresa e shpëtimit i duket si shpëtimi vetë.
Në të vërtetë, në fjalimin e tij ambasadori i SHBA-së pati mirësinë të evokonte disa vlera dhe të kujtonte disa realitete që e paraqitën atë më shumë në përmasën njerëzore se në atë diplomatike. Kjo nuk ndodh dhe madje fare ama, që njeriu të inkurajojë veten me thirrjen e brendshme: "Kaloje kufirin!" Si të thuash, dil nga "ngrirja" diplomatike dhe shfaqe "njeriun"; dil nga protokolli zyrtar dhe bëju i "dëgjueshëm" edhe për atë qytetar që tani pret vetëm nga fati. Diplomati nga Uashingtoni me sa duket pikërisht këtë bëri. Dhe ne kishim nevojë për fjalën e tij. Nëse besojmë se fjala bëhet ndikim e veprim.
"Disa herë, - vijon më tej ambasadori John L. Withers, - kur përmend shprehje të tilla, më pyesin: Mos po tregohem shumë idealist? A janë njerëzit vërtet të barabartë? …Përpara drejtësisë duhet të ketë siguri që të përulurit, të dobëtit dhe të varfrit janë të barabartë me të fortët dhe të mëdhenjtë; dhe njerëzit duhet të kenë besim te kjo".
Kur përfaqësuesi i një vendi që ka shpallur si filozofi jetese dhe konkurrimi pragmatizmin, u kujton vendësve të shtetit ku është akredituar, drojën se mos po i vërtitet rreth e qark idealizmi dhe në të njëjtën kohë, kërkon që të përulurit e të dobëtit të jenë të barabartë me të fortët dhe të mëdhenjtë, kjo, përveç përmasës njerëzore, shpreh dhe një të vërtetë tjetër: kjo shoqëri ka vërtet nevojë për pak më shumë idealizëm dhe njeriu nuk duhet të druhet dhe aq se mos po priret nga idealizmi, përderisa kësaj droje nuk i ikën aq ambasadori Withers.
Vendi i shqiponjave në të vërtetë nuk ka ndonjë histori të ndritshme idealesh. Rrallëherë në historinë e tyre shqiptarët i kanë zgjidhur problemet me lëvizje mendimi, me ideale të larta. E para lëvizje mendimi që njihet në historinë e Shqipërisë është ajo e periudhës së Arbrit, "motit të madh", kur edhe në këtë anë të Adriatikut erdhën erërat e ndikimit të lëvizjes humaniste të Rilindjes Evropiane. Një shekull e gjysmë do të zgjaste ky ndikim, deri në rehatimin e plotë të ish-Perandorisë Osmane. S‘do të kishte më qëndresë me mend e me ide, por "ta çajmë rrugën e historisë me shpatë në dorë". Dhe dihet mirë që shpata është arma e të fuqishmit, kurse idetë dhe idealet janë zgjim i përgjithshëm mendor i popullit. Një gjendje të tillë shqiptarët do ta provonin vetëm pas dy-tre shekujsh mënjanësie me Rilindjen Kombëtare, kur për herë të dytë në botën tonë u rishfaq lëvizja e mendimit. Kur ndodhi përsëri? Ndoshta në vitet 1930, ndoshta në vitin 1968, ndoshta dhe në fillimin e viteve 1990. Kohërat e tjera për shqiptarët janë kohëra veprimi, jo kohëra mendimi. Ato të kujtojnë metaforën e Kadaresë: "Pushka e gjatë/zgjatim i shtyllës vertebrore", me të cilën nxënësve në shkolla u është edukuar "heroizmi shqiptar". Në të vërtetë, edhe ne shqiptarët, si gjithë bota e kulturuar, zgjatim të shtyllës vertebrore duhej të kishim trurin dhe punët tona duhej t‘i kishim zgjidhur me fuqinë e mendjes, jo me bajonetën, këtë zgjatim të çuditshëm, që edhe si metaforë, duket tmerruese. Ata i tremben ndikimit, i tremben fuqisë mendore. Ikja prej mendjes dhe tentimi drejt fuqisë tjetër, fuqisë fizike, fuqisë së pushtetit, të bën vërtet të druhesh nëse e ndien veten sadopak idealist. Kohë të këqija për idealistët. Ata rrezikohen të quhen jashtë realitetit, donkishotë, fantastë të sëmurë, nostalgjikë, në mos edhe komunistë. Nga ana tjetër e Atlantikut, andej ku pragmatizmi ka gjetur shprehje filozofike, ja ku na vjen në një formë tjetër, në formën e bekimit me të drejta të patjetërsueshme të të dobëtëve dhe të përulurve me të mëdhenjtë dhe të fuqishmit!
E bukur për ta ëndërruar, por e frikshme për ta pritur si realitet. Jo vetëm tradita historike, por edhe ajo legjendare, na del kundër. Në këngët tona më të hershme kemi heroin që zgjedh shpatën dhe fuqinë, kemi dhe heroin e bukurisë që mbetet në aventura pas devojkave, por nuk e kemi Odiseun dinak, nuk e kemi kalimin prej kultit të fuqisë së krahut tek kulti i mendjes!
Kohë e prapë për idealistët! Sepse ky vend është i treti në botë për shkallën e korrupsionit dhe korrupsioni nuk bëhet me lëvizje mendore, por me lubrifikim të sistemit të qeverisjes përmes rishpërndarjes së pamerituar të pasurive dhe parave! Dhe ata të shkretë idealistë që kanë mundur të mbijetojnë dhe që janë në kërkim të njerëzores, ashtu si ambasadori Withers, janë tani pakicë e pakicës, të tepërt në shoqëri, gojëkyçur nga rrënimi i mendimit, të flakur çdo ditë e më tepër prej mekanizmit centrifugë që përbën bazën e funksionimit të politikës së sotme në Shqipëri.
E ç‘mund të thotë njeriu në një gjendje të tillë? Veçse "faleminderit" që na kujton një luks të humbur, të cilit askush nuk do t‘ia dijë vlerën dhe, jo aq paradoksalisht, vjen e shqiptohet pikërisht nga ai që nuk pritet, diplomati i shtetit pragmatist; përtej të cilit gjendet dhe fiton njeriu. U cituan dhe u perifrazuan, u komentuan dhe sërish u analizuan të gjitha pasazhet, me përjashtim vetëm të asaj pjese që përbënte njerëzoren dhe idealen e tij. Dhe kjo nuk mund të tolerohet! Kohë e keqe për idealistët, apo jo?!