Rama: Buxheti 2008, sipas nevojave të vetë qytetarëve
Banorët e njësisë nr.3 në kryeqytet kanë marrë dje pasdite një formular-pyetësor nga ana e përfaqësuesve të bashkisë me anë të të cilit ata do të tregojnë se cilat duhet të jenë prioritet kryesore ku do të përqendrohet investimi lokal në vitin 2008.
Në vijim të dëgjesave publike me komunitetin kryeqytetas, Bashkia e Tiranës organizoi dje pasdite takimin e dytë me moton "Thuaj Fjalën Tënde", me banorë të Njësisë Bashkiake Nr.3. "Kjo nismë që materializohet përmes takimeve me qytetarët në çdo njësi bashkiake, synon të thithë mendimin e komunitetit për prioritetet në investime dhe shpenzime, me qëllim hartimin e një buxheti sa më të mirë dhe efikas për vitin 2008", shprehen përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës. Qytetarët duhet të votojnë për të vendosur se cila nga nevojat e evidentuara është për ta më prioritare se tjetra. Në fund, pas përpunimit të këtyre formularëve dhe nxjerrjes si më prioritare të atyre nevojave ku qytetarët duan më shumë të investohet dhe shpenzohet, përfundimet do të merren parasysh në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2008. "Duke adresuar problemet e qytetarëve të mbledhura gjatë dy muajve përmes nismës "Gjykoni Punën Time", ne kemi mundur të adresojmë çështje që nga lart mund të duken të vogla, por nga pikëpamja e familjeve, e një rrugice, apo një blloku banimi janë të mëdha, sepse kanë drejtpërdrejt të bëjnë me jetesën e përditshme të njerëzve". Kështu u shpreh kryebashkiaku Edi Rama në takimin e djeshëm me banorët. Sipas tij, buxheti i vitit 2008, duhet të jetë sa më cilësor dhe sa më pranë kërkesave dhe nevojave të komuniteteve të kryeqytetit. "Ky do të jetë një buxhet që do të burojë nga mbledhja e opinioneve të qytetarëve, gjë për të cilën ne ju kemi vënë në dispozicion edhe nga një formular ku janë të shkruara nevojat e identifikuara deri më tash. Nuk ka asnjë qytet në botë që t‘i ketë nevojat dhe mundësitë në proporcion të drejtë dhe aq më pak Tirana, ku kemi shumë nevoja, por kemi shumë më pak mundësi. Por është shumë e rëndësishme që mundësitë që kemi t‘i shfrytëzojmë në mënyrë sa më efikase, që me mundësitë që kemi të bëjmë sa më shumë për të zgjidhur problemet, duke adresuar nevojat e qytetarëve", u shpreh më tej Rama. Ky proces, theksoi Rama, që nis për herë të parë në këtë përmasë në këtë vit, të kthehet në një traditë për Bashkinë e Tiranës dhe mundësisht në një traditë për të gjitha bashkitë dhe komunat e Shqipërisë.