E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodra e Vilës, 350 milionë lekë për disiplinimin e saj

30/11/2004  DURRËS

Përfundon studimi për rehabilitimin e rrjetit inxhinierik të zonës së Kodrës së Vilës të Zogut në Durrës. Projekti ka marrë në konsideratë të gjitha elementët që duhen përmbushur për rregullimin përfundimtar të infrastrukturës në këtë kodër, e cila e ka marrë emërtimin e saj në fillimet e shekullit të kaluar, saktësojnë të njëjtat burime. Në projekt parashikohet rrjeti i ujërave të bardha e të zeza, infrastruktura rrugore, gjelbërimi,

parqet dhe ndriçimi.

Specialistët e Bashkisë së këtij qyteti, të cilët e kanë dorëzuar studimin e tyre, bëjnë të ditur se mungesa e tij ishte bërë shkak për shtyrjen e kohës së dhënies së lejeve të ndërtimit në këtë zonë, nga ana e Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit. Nga të njëjtat burime, mësohet se në departamentin urbanistik janë depozituar qindra kërkesa për ndërtime në Kodrën e Vilës. Megjithëse në këtë zonë janë hedhur themelet për ndërtimin e dhjetëra banesave, lokaleve apo hoteleve, për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, asnjëra prej tyre, sipas departamentit urbanistik, nuk ka të miratuar lejen, duke i klasifikuar ndërtime të tilla të jashtëligjshme.

Bashkia nuk përballon

dot koston e projektit

Në kohën që u shfaqën edhe problemet e para të rreshqitjes së dherave dhe rrezikimit të disa ndërtimeve në këmbët e Kodër Vilës, drejtuesit e bashkisë, përmes mendimit të specialistëve, thanë së duhen 1 milion dollarë për të rehabilituar Kodër-Vilën. Por, studimet e fundit kanë dhënë të tjera shifra, duke e trefishuar kërkesën për t’i dhënë fund problematikës në këtë zonë. Sipas specialistëve, autorë të këtij studimi, mësohet se ai parashikon 350 milionë lekë për t’i dhënë fund ruajtjes së Kodër Vilës nga shkarja e dherave dhe ndërtimeve pa leje. Aktualisht, kjo shumë është paksa e paarritshme për buxhetin e Bashkisë së Durrësit dhe mësohet se po shihet për të thithur donacione nga shteti apo komuniteti ndërkombëtar.

Vetëm pas rregullimit të infrastrukturës së Kodrës së Vilës mund t’i rihapet drita jeshile ndërtimeve atje.

Ndonëse bashkia ka premtuar se në një kohë të shkurët do të bëhet i mundur realizimi i këtij projekti, deri më tani asnjë nga zyrtatër e bashkisë nuk bënë të ditur se kur do të fillojë së rehabilituari zona.

Historia

Kodër Vila në Durrës e ka marrë këtë emërtim për shkak të vilës së ish-mbretit Ahmet Zogu, dhuratë e pronarëve durrsakë të kohës, që simpatizuan dhe mbështetën mbretërinë. Aktualisht, Vila, e cila është bërë e pavizitueshme për shkak të mbylljes së saj, ruhet nga një repart ushtarak dhe prej disa viteve ajo nuk ka as ciceron, ndonëse ajo njihet si një ndër veprat më të mira arkitekturore.

Deri në fillimin e viteve ‘90 në Kodër Vilë nuk ka pasur asnjë ndërtim, ndërkohë që pas kësaj periudhe janë realizuar qindra miliona lekë investime, edhe pse Kodra ka karakter argjilor. Pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar pas vitit 1990, kohë kur u ndërtua kanali kryesor i ujërave të bardha. Ndërtimet pa leje pas vitit 1990 në Kodër kanë bllokuar thuajse plotësisht këtë kolektor gjigand ujërash. Tani, ujërat e reshjeve rrjedhin lirshëm, duke shkaktuar gërryerje dhe shkarje dherash.

Në shkurt 2004, disa banesa në pjesën perëndimore të kodrës u përmbytën nga dherat, ndërkohë që shkarje më të vogla vihen re kudo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›