E Diel, 1 Nëntor 2026

PBK: 29 Nëntori dita e pushtimit komunist

28/11/2004  Afrimi i festave të Nëntorit ndez dhe një herë debatin mbi datën e çlirimit. Partia e Ballit Kombëtar, vazhdon të këmbëngulë se 29 nëntori është datë që përjetëson ardhjen në pushtet të komunistëve në vitin 1944. Kryetari i PBK-së, Adriatik Alimadhi, ka thënë dje se partia që ai përfaqëson nuk e njeh 29 nëntorin si datën e çlirimit. "Data 29 nëntor nuk është data e çlirimit të vendit nga pushtuesit, por data e pushtimit të vendit nga komunistët, dhe si e tillë nuk e meriton t'i kushtohet vëmendje historike", tha Alimadhi. Sipas ballistëve, edhe hapja e muzeut të luftës bëhet në funksion të falsifikimit të historisë nga ish-komunistët, të cilët janë sot në pushtet. Si pasojë, ata deklarojnë se nuk do të dërgojnë asnjë dokument në sallonin e luftës të hapur në Muzeun Kombëtar. "Nuk do të dërgojmë asnjë dokument në pavionin e luftës. Komunistët po çojnë dokumente që po shtrembërojnë historinë e luftës, dhe ne nuk mund të bëhemi palë e këtij falsiteti", tha Alimadhi. Ai ka theksuar se drejtori i Muzeut nuk ka pranuar të paraqesë në pavionin e historisë së viteve 1939-1944, dokumentet që ka Balli. Ndaj dhe PBK nuk do të angazhohet më në këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›