E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis plotësimi i formularëve

28/11/2004  Kryetari i Njësisë Administrative nr.4, Vaid Kalaj: Ne i kemi gati studimet urbanistike të tre zonave informale

Nis plotësimi i formularëve

Pronësia dhe planet urbanistike, i hapin rrugë legalizmit

Denisa Xhoga

Tokën e kanë blerë tek “i forti i lagjes”, i cili e ka zënë i pari. Njëri jua ka shitur parcela-parcela të tjerëve. Por, tani kjo është një epokë e kaluar përfundimisht. “Vijnë të interesuar për të nisur legalizmin. Duan të shohin se mos bie rruga në shtëpinë e tyre. Duan të dinë kufijtë e pronësisë, kush janë pronarët e vërtetë të tokës. Dhe ne i kemi, pasi për efekt të studimit urbanistik, i kemi marrë në hipotekë dhe kadastër”, thotë Vaid Kalaja, kryetari i Njësisë Bashkiake, numër katër. Kjo zonë shtrihet nga rruga “5 maji” deri afër Dajtit, aty gjenden tre zona informale, si zona ish-Sera Allias, Bregu i Lumit dhe ajo e njohur me emrin zona e Reparteve Ushtarake numër 3700. “Vitin e kaluar kemi kryer një studim, ku janë regjistruar të gjithë banorët nga një grup pune, i përbërë nga një punonjës i urbanistikës dhe ndërlidhësi me komunitetin, kryeplakun e lagjes. Të gjitha këto banesa janë të regjistruara dhe të azhornuara në harta dhe për çdo banesë dhe familje, ka një numër, ose kod të veçantë identifikimi”, thotë Kalaja. Studimi nisi nga një fotografim statelitor, që është bërë gjatë vitit 2000 në këtë zonë. Deri në vitin 2003, janë azhornuar në hartat ekzistuese dhe banesa të tjera, për të bërë një pamje sa më objektive të hartës. Nëpërmjet këtij regjistrimi janë siguruar disa të dhëna të rëndësishme, që i shërbejnë legalizmit të banesave. Në njësinë bashkiake numër 4, gjendet emri i kryefamiljarit, lloji i pronësisë, sipërfaqja e zënë, të dhëna të cilat i shërbejnë shpejtimit të këtij procesi. Në njësinë bashkiake numër katër ka 3500 ndërtime informale, me sipërfaqe nga 200 deri 2 dynym. Në këto ndërtesa jetojnë 15 mijë banorë, nga 63 mijë që ka gjithë njësia. “E kam situatën në dorë për sa i përket legalizimit dhe pronësisë, duke ju afruar ndihmë të konsiderueshme që ata ta fillojnë këtë proces’, thotë Kalaj. Studimi urbanistik i zonës së Alliasit është një nga studimet e para në Tiranë dhe kjo zonë mund të shërbej si një zonë pilot për të nisur legalizimin. Por për të arritur deri te përgatitja e këtij studimi urbanistik, urbanistët e njësisë bashkiake kanë bashkëpunuar ngushtë me zyrën e hipotekës, kadastrën, kryepleqtë dhe banorët e vjetër të lagjes.

Në këtë plan urbanistik, përveçse parashikohet se cilat banesa do të legalizohen dhe cilat jo, pasi aty do të kaloj rruga, përcaktohet qartë dhe perspektiva e zhvillimit urbanistik dhe rrugët e zhvillimit social, se ku do të jenë çerdhet, kopshtet, qendrat shëndetësore, shkolla 8–vjeçare, e mesmja etj.

Por, ky studim i takon vitit 2003 dhe është mriatuar edhe në KRRT, Këshillin e Rregullimit të Territorit të Tiranës. “Sa të dekretohet ligji i legalizimeve në këtë hartë do të hedhim dhe

Ndërtimet, që janë bërë nga viti 2003 deri tani. Ndërkohë na janë hapur ca punë të vogla, pasi aty ku është menduar të ndërtohet shkolla, pronari i tokës nuk pranon që të ndërtohet shkollë. Por, janë gjëra që rregullohen, pasi të jetë plotësuar dhe këto detaje, studimi do të kaloj përsëri në KRRT”, thotë shefja e urbanistikës së Njësisë Bashkiake numër katër, Djana Terezi. Sipas ligjit të legalizimeve, që po pret të dekretohet, do të legalizohen të gjitha ndërtimet e bëra nga viti 1992 deri më tetor të vitit 2004, kur nisi shqyrtimi i këtij ligji. Por, nëse njësia bashkiake numër katër ka patur fatin që ta përgatis këtë studim, njësitë e tjera nuk e kanë. Për këtë arsye banorët që jetojnë në një ndërtim pa leje, në zonë informale, duhet të paraqiten sa më shpejt në Bashki, që të plotësojnë formularin, në bazë të të cilit do të përgatisin dhe dokumentacionin, në mënyrë që të shënohet edhe shtëpia e tyre në studimin urbanistik që do të përgatisin urbanistët e Bashkisë së qytetit. “Planet urbanistike dhe pronësia janë dy faktorët kryesorë të legalizmit dhe zbatimit të ligjit të legalizimit”, thotë Kalaja.

Nëse ke aktin e pronësisë të

ligjsshëm legalizmi nis menjëherë

Sa më pranë ligjit të jesh, aq më i fituar je. Ata që e kanë aktin e pronësisë të ligjshëm, mund të nisin legalizimin menjëherë. “Në Allias janë rreth 54 hektarë, ku janë ndërtuar banesa pa leje, por që kanë akt pronësie të rregullt, e kanë blerë te pronari i vërtetë. Në këtë zonë mund të nisë legalizimi që sa të dekretohet ligji, pasi ata e kanë dokumentacionin gati”, thotë drejtoresha e Urbanistikës së Njësisë Bashkiake numër 4, Djana Terezi. Po në këtë zonë ish-sera Allias, është ndërtuar dhe kanalizimi, pasi ka qenë një zonë krejt me gropa septike. Fondi Shqiptar i Zhvillimit dha 16.3 milionë lekë për shtrimin e kolektorit dhe të rrugës (Tasim Shehu), banorët dhanë 10 për qind të kësaj shume. Njësia Bashkiake bëri gati studimin për ndërtimin e tyre. Tashmë, nuk ka asnjë arsye më që kjo zonë të quhet informale.

Legalizimi do të përshpejtohej nëse studimet urbanistike të zonave do t’i bënin njësitë administrative dhe jo bashkia

Ja si do ta legalizoni shtëpinë

Urbanistët: Për legalizimet nuk do të duhen vite, nëse ndërmerret një fushatë, si për regjsitrimin e popullsisë

Denisa Xhoga

Çdo qytetar, që jeton në një ndërtesë të paligjshme, duhet të shkojë në Bashki, ku të tërheqë një formular, të cilin do ta plotësojë dhe do ta dorëzoj përsëri në Bashki. Në këtë moment ai hynë në procesin e legalizimit. Në bazë të këtij formulari, ai bënë plotësimin e dokumentacionit. Bërja e vetëdeklarimit ka filluar dhe do të zgjasë deri tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit të legalizimeve. Dosja që do të përgatisë çdo qytetar duhet të përmbajë çertifikatën familjare, vitin e ndërtimit, nëse tokën ia ka blerë pronarit, duhet të marrë çertifikatë pronësie nga Zyra e Pasurisë së Paluajtëshme. Ka ndërtime që janë bërë në tokë shtetërore, me pronar, por dhe që nuk ju njihet fare pronari. “Përveç dokumentit të pronësisë, dosja duhet të përmbajë dhe projektin e ndërtimit të bërë, azhornimin e studimit, deklaratat e komshive, si dhe nëse e kanë studimin sizmik dhe kontratën me firmën, që ka bërë ndërtimin”, thotë shefja e Urbanistikës së Njësisë Bashkiake numër 4, Djana Terezi. Në fakt gati të gjitha këto ndërtime janë bërë vet, pa firmë ndërtimi, por dhe sikur këto firma nuk janë të interesuara që të bëjnë kontratë, pasi tatohen për punën e bërë. Por, ky është një detyrim që jua heq banorëve, ligji i legalizimeve që po pret të legalizohet. Në fakt plotësimi i secilës nga këto pika kërkon kohë. “Duket si e thjeshtë deklarata e komshive, por nuk e lëshon njeri kollaj, pasi i kanë bërë dritaret mbi njëri-tjetrin”, thotë Terezi. Në bazë të këtyre të dhënave, që do të verifikohen nga urbanistët, Bashkia “mëmë” do të kryej studimin e zonës. Specialistët thonë se do të ishte më e udhës që këto studime t’i përgatisnin vet njësitë bashkiake, pasi e njohin më mirë zonën.

“Ky proces do të përshpejtohej nëse do të kryhej nga njësitë bashkiake. Pra, nëse formularët plotësoheshin këtu dhe dosja dorëzohej te ne. Kjo pasi e njohim më mirë zonën, mund ta bëjmë më shpejt dhe më saktë verifikimin e objektit, ndërsa kështu është njësoj si ta bëjë Ministria”, thotë kryetari i Njësisë Bashkiake numër katër, Vaid Kalaja. Sipas tij, bashkia duhet të merret me çdo banorë dhe të bëjë studimet urbanistike, jo vetëm të Alliasit, por dhe të Kodër Priftit, në Kombinat e Laprakë. Kur secila njësi bënë njëkohësisht studimet e veta, harxhohet më pak kohë. Ndërkohë përgatitja e kësaj dosjeje ka një kosto, jo të vogël dhe këto fonde do t’i kalojnë (në këtë rast), Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që po të ishte decentralizuar, këto punë dhe lekët do t’i merrnin njësitë bashkiake.

Askush nuk mund të thotë se sa kohë do të zgjasë procesi i legalizimit, apo se sa kohë i duhet një kryefamiljari që të legalizojë banesën e vet, pavarësisht nga afatet e vëna. Por, nëse kjo punë lejohet që të vazhdojë me qetësinë e deritanishme do të duhen vite. “Legalizimi duhet të bëhet me fushatë, sikundër po bëhet tani regjistrimi i popullisë për zgjedhje, po u bë në formë aksioni përfundon shpejt”, thotë Terezi.

PRECEDENTI

Familja në gjak, që

s’pranon të regjistrohet

Shumë fise në gjak kanë zbritur në Tiranë, për t’u fshehur dhe për t’ju larguar hasmit dhe ata s’do të donin kurr që të merrej vesh vendndodhja e tyre, apo t’u dilte emri në ndonjë listë zgjedhësish. “Duke bërë regjistrimin dje, shkuam në një shtëpi, ku familja ishte në gjak. Ata nuk pranuan që të regjistroheshin, madje as na lanë të futeshim brenda, na e mbyllën derën në fytyrë, ndërsa fëmijët na shihnin gjithë frikë. Madje, dhe kur shkuam te komshinjtë, shtëpia ngjitur na ndiqnin prej dritareve. Ne i morëm emrat e tyre shënim dhe nga vinim, por s’mund t’i regjistrojmë”, thotë Bedri Spahiu, një prej punonjësve të Njësisë Bashkiake numër katër, që është në grupet e regjistrimit të popullsisë që sapo ka nisur. Në këtë njësi adminsitrative janë krijuar dhjetë grupe me nga dy vetë, që prej katër ditësh kanë nisur regjistrimin e banorëve derë më derë.

Dosja duhet të përmbajë:

1.Çertifikatë familjare

2.Adresa e truallit

3.Aktin e pronësisë

4.Projekti i ndërtesës

5.Azhornimin e studimit

6.Firma e ndërtimit (nëse ka)

Afatet kohore:

1.Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit bëhet vetëdeklarimi

2.Kërkesa për quajtjen e një zone informale, shqyrtohet brenda 3 muajve nga sekretaria e KRRTRSH-së

3.Hartimi i studimeve urbanistike bëhet brenda 6 muajve

4.Miratohen nga KRTRRSH-ja brenda 4 muajve, pas miratimit në KRRT-të përkatëse

5.Legalizimi nis kur Njësitë e Qeverisjes Vendore të shembin ndërtimet pa leje që kanë zënë sipërfaqet publike

6.Pas kësaj legalizmi bëhet brenda 60 ditëve

Zgjidhja e pronësisë:

1.Me pagesë të menjëhershme

2.Me pagesë me këste

3.Marrje me qira

Blerja sipas çmimit të tregut

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›