E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: LZHK nuk ka bërë opozitë

28/11/2004  Janë ashpërsuar dhe më tej marrëdhëniet mes Partisë Demokratike dhe koalicionit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Shkak për këtë ka qenë një intervistë e dhënë nga pretendeti i Fronin Mbretëror, Leka Zogu, mbi bashkëpunimin qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Në këtë intervistë, Zogu nuk e ka përjashtuar një aleancë mes LZHK dhe PS-së pas zgjedhjeve të 2005-ës. Kjo nuk ka kaluar pa reagime nga partia më e madhe e opozitës. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në këtë parti, Spartak Ngjela, gjatë një interviste televizive, është shprehur se PD e ka pritur këtë veprim të atyre partive që deri më dje ishin aleatët e saj. "LZHK-ja, ashtu si shumë parti të tjera, nuk ka bërë ndonjëherë opozitë, kështu që s'kemi pse surprizohemi për lëvizjet e tyre", tha Ngjela. Duke iu referuar qëndrimeve të katër viteve të fundit, pas zgjedhjeve të 2001 të ish-aleatëve të PD-së, ai la të kuptohet se opozitën gjatë kësaj kohe e ka bërë vetëm Partia Demokratike, duke sfumuar kështu rolin e aleatëve. "Katër vjetët e fundit e plazmuan qartë faktin se opozita e vërtetë është PD-ja. Ajo e mori seriozisht këtë çështje. Rikonstruktoi vlerat e opozitarizmit dhe bëri një opozitë krejtësisht pa asnjë lloj kompromisi. Denoncoi në mënyrë permanente krizën në një krah dhe korrupsionin në anën tjerë. Krizën ekonomike dhe shpirtërore të shoqërisë", tha Ngjela. Sipas PD-së, pjesa e tjetër e opozitës gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë inekzistente. "Pjesa tjetër nuk e bëri këtë, nuk hyri në betejë normalisht. Kjo është betejë, këto janë zgjedhje kështu që këto lëvizje si majtas, si djathtas, nuk kanë pse na habisin. Duhet të kuptojmë që opozicion do të thotë betejë dhe betejën nuk mund ta bëjë dot gjithkush", tha Ngjela. Ftohja e PD-së me aleatët erdhi pas një sërë votimesh të rëndësishme, ku dyshohet se disa deputetë të opozitës bashkuan votat me mazhorancën. Vetëm një ditë më parë, Leka Zogu, pretendenti për Fronin Mbretëror, deklaroi se do të bashkëpunonte me çdo forcë politike, duke mos përmendur emra konkrete, pas zgjedhjeve. Kjo deklaratë shkaktoi një farë amullie në kampin opozitar të politikës, por duke u nisur nga disa zhvillime në parlament duket se s'ka qenë i papritur për demokratët. Lënia e koalicionit në mes nga një mori partish, për t'iu bashkuar LZHK-së, ka detyruar kreun e PD-së, Sali Berisha, të ripërsërisë kërkesën e tij për hapjen me shoqërinë civile. Debatet mes deputetëve të opozitës kanë ardhur në kohën kur gjithnjë e më shumë po hidhen idetë për afrimin e të gjitha partive opozitare në një strategji të vetme. Megjithatë duket se do të jetë muaji janar që do të shënojë marrëdhëniet parazgjedhore mes PD-së dhe partive të vogla në opozitë. Por duket se nga koalicioni do të përjashtohet LZHK, që ka deklaruar një koalicion më vete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›