E Diel, 1 Nëntor 2026

Muçi:Buxheti i vitit 2005, nuk është tjetër veçse fotokopje e vitit 2004

30/11/2004  Në intervistën e dhënë për "Metropol", deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Mustafa Muçi, është shprehur se në Buxhetin e paraqitur për votim në Kuvend ka një sërë pikash kritike. Nga ana tjetër, Muçi u shpreh se LSI nuk do të pranojë të jetë pjesë e koalicioneve për interesa të ngushta. Ndërsa është përshëndetur ngulmimi i disa anëtarëve të mazhorancës, për largimin e liderit aktual.

Zoti Muçi, LSI-ja ka nisur një fushatë takimesh, mund të quhen këto takime si

parazgjedhore. Çfarë është arritur deri më tani nga partia juaj në zonat e Shqipërisë?

Lëvizja Socialiste për Integrim është një force e re politike, me një aktivitet rreth 3-

mujor dhe në këto kushte është mëse normale që të punohet, për shtrirjen e saj në

të gjithë vendin, krijimin e strukturave të përkohshme, konsolidimin e organizatave,

në mënyrë që t'i paraprihet sa më mirë procesit zgjedhor në parti, sipas parimit

statutor "një anëtar, një votë". Në funksion të këtij qëllimi janë organizuar dhe janë

në proces takime të vazhdueshme në të gjithë vendin, takime në të cilat është

angazhuar një masë e madhe e qytetarëve shqiptarë dhe ku është bërë e njohur për ta

alternativa e LSI si forcë që i përket spektrit të majtë politik, platforma jonë politike,

objektivat e kësaj partie për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, si edhe normat demokratike

statutore të partisë, të cilat vetëm në 3 muaj janë kthyer në një model imitimi për

forcat e vjetra politike. Si rezultat i një aktiviteti të tillë politik, brenda një kohe të

shkurtër është arritur krijimi i degëve në të gjithë vendin dhe po vazhdon ngritja e

strukturave përkatëse në nivelin e zonave zgjedhore dhe qendrave të votimit.

Në Kuvend ka nisur një debat për paketën fiskale. Thuhet se janë rritur shpenzimet

për administartën shtetërore dhe janë ulur shpenzimet për shëndetësinë dhe arsimin.

Çfarë mendimi keni ju për këtë ndarje që është bërë në buxhet, dhe për të gjithë

buxhetin në tërësi?

Të japësh një vlerësim të plotë për projektbuxhetin e vitit 2005 paraqitur nga qeveria

për miratim në parlament në këtë intervistë nuk është e lehtë, pasi Buxheti është

produkti më i rëndësishëm i punës së një qeverie, por edhe i aktivitetit parlamentar,

prandaj kërkohet një analizë e plotë dhe e detajuar e gjithë elementëve të projektit.

Për më tepër që ky projekt është paraqitur në parlament vetëm disa ditë më parë.

Por ajo që mund të veçohet si tipari kryesor i këtij projekti, në një vështrim të

përgjithshëm, është fakti se ky projekt dhe paketa fiskale, që e shoqëron atë, nuk

përfaqësojnë aspak një Buxhet, i cili do t'i hap rrugë apo do të nxisë zhvillimin

ekonomik të vendit, siç duhet të jetë në fakt një buxhet i hartuar me përgjegjësi e

kompetencë profesionale, por përfaqëson thjesht një përpjekje të kësaj qeverie për të

përmbushur një detyrim kushtetues. Fakti që shumë elemente të projektit janë

kundërshtuar me forcë nga shumë grupe të interesit si përfaqësuesit e biznesit,

përfaqësuesit e qeverisjes vendore, mjekët, pedagogët etj., tregon qartë se ky projekt nuk

merr përsipër të zgjidhë asnjë nga problematikat e rëndësishme me të cilat

ballafaqohet vendi. Fatkeqësisht, projekti është në atë gjendje sa këto ditë në

ambientet e parlamentit dëgjohet gjithnjë e më tepër vlerësimi, se projekti nuk ka

asgjë të re nga buxheti i vitit 2004, pasi në fakt është thjesht një fotokopje e tij.

A ka LSI pika që duhet të bëhen ndryshime në buxhet?

Që nga momenti i zyrtarizimit të saj, LSI është angazhuar t'i ofrojë vendit modelin e

një politike ndryshe, të një politike konstruktive të ngritur mbi alternativa konkrete.

Një angazhim i tillë është duke u materializuar qartazi në punën serioze që po bëjnë

strukturat përkatëse të partisë për të analizuar me vëmendjen maksimale të gjitha

elementet e projektit dhe për të paraqitur propozimet tona konkrete nëpërmjet Grupit

parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë. Komisionet e specializuara të Komitetit

Drejtues Kombëtar janë mbledhur tashmë disa herë sipas sektorëve që mbulojnë dhe

janë në fazën e paraqitjes së rekomandimeve përkatëse. Gjatë javës tjetër, ne do të

bëjmë publik qëndrimin tonë, lidhur me të gjitha çështjet që përfshihen në

projektin e qeverisë. Ajo ç'ka unë mund të them paraprakisht, pas diskutimit në

komisionin e politikave ekonomike të LSI-së, është se në qendër të qëndrimit tonë,

si një forcë e majtë politike, do të jenë sigurisht rritja e të ardhurave në buxhetin e

shtetit me qëllim që të vihen në rrugën e zgjidhjes sa më parë kërkesat e mësuesve,

mjekëve e pedagogëve, ish-ushtarakeve e grupeve të tjera në nevojë.

Po përflitet për ndryshime në qeveri, a mund të pranohet një formule e përfshirjes së

LSI në qeveri, para apo pas zgjedhjeve, me PS-në. A është i mundur një koalicion

parazgjedhor nga partia juaj me aleatë?

Qëndrimi politik i LSI-së, lidhur me këto çështje, ka qenë i qartë dhe i prerë se LSI

nuk bëhet pjesë e qeverisë apo përpjekjeve për ndryshimin e disa emrave të saj,

ashtu sikurse mbështet çdo iniciative të forcave progresiste brenda mazhorancës

aktuale për të ndryshuar Kryeministrin dhe qeverinë aktuale në funksion të

përmirësimit të qeverisjes së vendit. Eshtë bërë gjithashtu e qartë se LSI-ja do të

konkurrojë si forcë politike e vetme në zgjedhjet e vitit 2005, duke ngelur e gatshme për

t'u angazhuar në koalicione paszgjedhore mbi bazën e rezultateve elektorale dhe aspak

mbi marrëveshje liderash për të ndarë tortën e pushtetit, siç ka ndodhur deri tani me

famëkeqin "Koalicion për Integrim".

Komisoni për reformën zgjedhore është bllokuar në momentin e ngritjes së

komisioneve të votimit dhe në mënyrën e numërimit të votave. Çfarë propozon LSI-

ja dhe a mund të numërohen votat jo nga përfaqësues politikë, por nga juristë?

Për sa i takon reformës zgjedhore, ne kemi qenë skeptik qysh në fillim mbi suksesin e

formulës bipartizane të adoptuar nga forcat e vjetra politike, përgjegjëse për dështimin

e të gjitha zgjedhjeve të organizuara në vend për 14 vjet, mbi bazën e parimit

antidemokratik të vetos. Një qëndrim i tillë është paraqitur prej nesh në parlament

që prej krijimit të Komisionit Bipartizan dhe koha fatkeqësisht vërtetoi se kemi pasur

të drejtë! A mund të përgjigjet dikush se çfarë ka bërë ky komision në këto muaj?

Çfarë është bërë me reformën zgjedhore? Në vend që të hidhen hapa konkrete në

zgjidhjen e shumë çështjeve serioze, politika e vjetër u përsërit shqiptarëve shfaqje të

turpshme me komisione bipartizane, rezultatet e të cilëve u panë fare mirë në

zgjedhjet e vitit 2003. Në vend që parlamenti të adoptojë kuadrin e nevojshëm ligjor

për të zhvilluar zgjedhje të lira e demokratike miratohen pa fund vendime, që zgjasin

mandatin e këtyre komisioneve sikur detyra e tyre është të përgatisin jo zgjedhjet e

vitit 2005, por të vitit 2050 !

LSI i ka prezantuar me kohë propozimet e saj konstruktive përpara të gjitha

institucioneve ndërkombëtare, që mbikëqyrin procesin. Këto propozime kanë synuar në dy drejtime të rëndësishme:

1-Adoptimi i një legjislacioni të përshtatshëm që garanton pjesëmarrjen në procesin

zgjedhor të të gjithë faktorëve politikë parlamentare në mënyrë që procesi të jetë i

pranuar nga të gjitha palet;

2- Garantimi i transparencës maksimale në të gjitha fazat e votimit dhe veçanërisht

në momentin e numërimit të votave. Në përgjigje të pyetjes tuaj, dua të theksoj, se

nëse numërimi bëhet publik në KZZ, siç është propozimi i LSI-së, nuk ka rëndësi

se komisioni përkatës i numërimit përbëhet nga gjyqtarë apo komisionerë politikë.

Këto propozime nuk i shërbejnë vetëm LSI, ato nuk krijojnë asnjë lloj privilegji për

ndonjë forcë politike, por i shërbejnë vetëm qëllimit të realizimit të zgjedhjeve sa më

demokratike. Problematika gjeorgjiane e ukrainase, shembulli i shkëlqyer i Kosovës

dhe presioni shumë i madh ndërkombëtar, lidhur me zhvillimin e këtyre zgjedhjeve në

përputhje me të gjitha standardet demokratike, janë arsye të mëdha dhe të

mjaftueshme që forcat politike të vjetra t'i thërrasin mendjes për të shmangur hyrjen e

vendit në udhëkryqe të reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›