E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Koha e Kometës" premierë në Tetovë



Pas pjesëmarrjes në festivale të ndryshme ndërkombëtare, së fundmi vjen edhe në Tetovë filmi "Koha e kometës", i bazuar në veprën e Ismail Kadaresë, "Viti i mbrapshtë". Regjinë e këtij filmi e ka bërë Fatmir Koçi ndërsa në rol kryesor paraqitet aktori tetovar Blerim Destani. Filmi do shfaqet në ambientet e Qendrës së Kulturës në Tetovë duke filluar nga data 3 deri më 10 shtator. "Koha e kometës" është një realizim shqiptarogjermanmaqedonasofrancez, realizimi i të cilit është bërë me një buxhet prej 2.5 milionë eurosh, në produksion të shtëpisë gjermane LARA Enterprises. Xhirimet e këtij filmi janë kryer në më shumë se 30 lokacione të ndryshme në Maqedoni dhe Shqipëri. Në realizimin e tij kanë marrë pjesë një sërë emrash të njohur dhe me përvojë në fushën e kinematografisë. Drejtor i fotografisë së filmit është Donald Gillian, i cili ka punuar në filmin e Steven Spielberg, "Shpëtoni ushtarin Rajan".

Emrat e njohur që luajnë në këtë film janë Ralph Moeller, i cili ka marrë pjesë në produksionin e filmit të njohur "Gladiatori", aktori gjerman Thomas Heinze, aktorja shqiptare Masiela Lusha. Në rolet e tjera interpretojnë artistët Vllado Jovanovski, Çun Lajçi, Genti Zenelaj, Xhevdet Jashari, Luan Jaha, Adem Karaga, Marsela Lena, Naomi Valeska, Mendim Murtezi, Sefedin Shabani, etj. Filmi është një komedi romantike, ndërsa ngjarja bazohet në zhvillimet e vitit 1914, disa muaj para fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›