Gjatë punës, vdes hidrauliku i Bashkisë së Kamzës
44-vjeçari po punonte për riparimin e rrjetit nëntokësor
Roja ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia
Një 44-vjeçar ka humbur tragjikisht jetën pasi duke u përpjekur të ndërhyjë në riparimin e rrjetit të ujit, u përfshi nga përplasja e një pusete që i dëmtoi fatalisht kokën.
Ngjarja ka ndodhur në orën 09:00 të ditës së djeshme në rrugën e Çekrezës të Kamzës, kur Arben Leçka, 44 vjeç, me banim në Kamzë, me punë hidraulik në Bashkinë Kamëz, është dëmtuar rëndë në kokë teksa punonte për riparimin e rrjetit të kanalizimeve në një pusetë në rrugë. Një gjë e tillë është konfirmuar nga burime të policisë së kryeqytetit menjëherë pas ngjarjes, sipas të cilave, Leçka punonte për riparimin e rrjetit, në momentin e futjes në një pusetë buzë rrugës në Çekrezës i bie kapaku i betonit të pusetës duke e dëmtuar rëndë në kokë.
Ndërkohë, struktura e kontroll territorit të komisariatit të policisë nr. 6 dhe seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit shkuan në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje. Sipas policisë, viktima është dërguar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak, por atje ai ka mbërritur i vdekur. “Të aksidentuarit iu dha ndihma nga kalimtarët e rastit, por si pasojë e dëmtimeve të marra nuk mundi të jetonte dhe gjeti vdekjen gjatë transportit për në Spitalin Ushtarak Tiranë”, - deklaroi policia. Sipas saj, materialet për këtë ngjarje i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Gjendet i vdekur roja i firmës “Astir”
Ka humbur ekuilibrin duke rënë nga një lartësi prej 3 m, gjë e cila fatkeqësisht i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Baftjar Koxha, 67 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Unazën e Re, me punë roje në firmën “Astir”, është gjendur i vdekur nga punonjësit e tjerë të firmës. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit një ditë më parë, sipas të cilave, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të premtes, shërbimet e komisariatit të policisë nr. 6, u njoftuan se është gjetur i vdekur një shtetas në një pallat në ndërtim e sipër në Unazën e Re pranë firmës “Astir Bojëra”. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor me qëllim zbardhjen tërësisht të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Sipas policisë, nga grupi hetimor u konkludua se viktima është 67-vjeçari Koxha, me punë roje në këtë objekt i cili gjatë lëvizjes ka humbur ekuilibrin duke rënë nga një lartësi prej 3 m ku dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.