Koha për largim
Arsyeja pse qytetarët shqiptarë mendojnë të gjithë që vdekja e Trebickës është vrasje, lidhet me faktin që ata e ndjejnë indirekt qëllimin që kjo qeveri i ka vënë vetes, për të fshehur krimin shtetëror të Gërdecit. I perceptojmë ngjarjet si hallka te një zinxhiri të tërë krimesh të pazbuluara…
Konfuzioni i anëtarëve të kabinetit “Berisha” dhe dyfytyrësitë e vetë liderit të PD, që për fat të keq është edhe Kryeministri i vendit, konfirmojnë se shteti nuk e ka as vullnetin dhe as forcën për t’u përballur me krimin, segmente të të cilit ai tashti i ka kultivuar vetë.
Qytetari që humbi jetën në këtë “AKSIDENT” është pikërisht një ndër ata qytetarë , që tentoi të ngacmojë dhe denoncojë “koren e plagës” që po na gërryen, korrupsionin nepotik të kësaj qeverie që, na fton me hipokrizinë cinike të saj, çdo ditë nëpërmjet ekraneve dhe spoteve televizive për t’iu drejtuar shtetit, për të denoncuar çdo akt korruptiv, çdo shtetmbajtës që kërkon të abuzojë me pushtetin e të tjera pallavra. Denonconi me kurajë, se ne ju sigurojmë “Mbrojtje” por nuk mund t’u garantojmë kur udhëtoni me makinë apo kur shkoni për gjah…
Janë pikërisht këto lloj “aksidentesh” që i bëjnë të ndjehen të sigurt disa funksionarë të lartë, pushtetvjedhës të sovranit të mirë popull, të kapardisen pas xhamave të zinj të makinave të “tyre” luksoze, misterioze, gati të kobshme që të buzëqeshin edhe kur dalin nga organi i akuzës, të thirrur qoftë edhe si dëshmitarë të tragjedisë që mori jetët e 26 qytetarëve dhe shkatërroi qindra shtëpi.
Është kjo lloj sigurie që në seancë gjyqësore të disa krerëve të lartë të SHIK-ut të djeshëm të Berishës të akuzuar “Për Rrëmbim dhe Vrasje të Personit”, prokurori i çështjes në sallë ruhet nga 7 badigardë pasi ka të pandehurin përballë…Si mund të jetë kështu drejtësia, kur shteti nuk mbron dot veten, po dëshmitarët!
Është kjo siguri që ky shtet u siguron dëshmitarëve në çështje të rëndësishme që opinioni pret drejtësi, dhe dëshmitarët nuk paraqiten në gjykatë pasi kanë frikë se mos ju ndodh ndonjë aksident me “makinë”… Kjo po ndodh sot këtu në mes të Europës! E të tjerë shembuj që më bëjnë të pyes???
Si mund të sillen kështu këta ish-ministra, deputetë, ku e gjejnë këtë kurajë...? A kanë pak shpirt dhe respekt për ata që u mbuluan me baltë e barut gëzhojash nga punishtja e vdekjes që, Ata projektuan vetëm e vetëm për aferat korruptive të makutërisë së tyre jashtë-njerëzore.
Është ky realitet që na obligon si qytetarë për të rritur presionin tonë qytetarë mbi këtë qeverisje. Opozita shqiptare sot më shumë se kurrë duhet të bashkërendojëë forcat për të kapërcyer çdo lloj kontradikte brenda saj, duke lënë mënjanë, qejfmbetjet dhe gërrnajat e pakuptimta me qëllimin e vetëm; të marrë në dorë fatet e vendit, duke u bërë promotore e aspiratave të shumicës qytetare që kërkon ndryshimin.
Kjo qeveri e ka humbur besimin. Në sistemet demokratike, kur një qeveri nuk e justifikon qeverisjen Ajo është e destinuar të largohet në mënyrë demokratike, si rrjedhojë e trysnisë mbarë popullore. Me gjithë koston që do të këtë ky proces tashmë objektiv, mendoj se do të na kushtojë më pak sesa qeverisja që kërkon të na reptilizojë të gjithëve, pas zvarritjes së saj në pellgjet e korrupsionit.
Qëllimi i kësaj qeverie sot është, sa i dukshëm aq edhe cinik, ajo kërkon të ruajë dhe forcojë dhe monopolet e saj ekonomike, të rrisë më shumë perimetrin e rrjetës nepotiko- krahinore, në funksion të shtet-kapjes totale. Këtë kurajë amoraliteti kjo qeverisje ndoshta e induktoi nga qetësia dhe maturia që një pjesë e opozitës mbajti në ditët e para të tragjedisë së Gërdecit.
Ne të urtët, të duruarit, pritëm dhe shpresuam se organet kompetente, ekspertët e brendshëm dhe ata të ardhur nga jashtë do t’i jepnin përgjigje pyetjeve dhe dilemave që po mbulohen dita ditës nga pluhuri i Vullkanit të Korrupsionit që ende mban nën smogun e krimit, të vërtetën.
Kanë kaluar afro 7 (shtatë) muaj nga ato imazhe që tronditën botën, janë thirrur nën hetim disa individë, janë bërë dhjetëra seanca televizive të Parlamentit, për heqje ose jo të imuniteteve të atyre që kanë apo dhe atyre që nuk kanë imunitet, me qëllimin e hapjes së rrugës për të filluar proceset e procedimit penal ndaj “të imunizuarve” që, me dashje e krijuan Gërdecin…
Por edhe pse po bëhen kaq kohë për të zbardhur një të vërtetë, që mendoj se po t’i ishin dhënë të gjitha liritë organit të akuzës, fajtorët e Gërdecit, nga ata që janë në dhomat e paraburgimit e deri tek ata që pozojnë e kërcënojnë nga paneli i imunizuar i Parlamentit, do të ishin sot përpara togave të zeza.
Drejtësia e munguar është sot pengu më i madh i këtij vendi që lëngon dhe përpëlitet në kthetrat e shtetmbajtësve të korruptuar, një plagë që po na rrezikon seriozisht të na gangrenizohet, për të na marrë të gjithë lëngun e shpresës.
Vullnetin e Kryeprokurores për t’i dhënë organit që Ajo drejton pavarësinë kaq shumë të nevojshme, e ndoshta pse jo edhe shumë të munguar, autoritetin e duhur dhe të pavarur të institucionit të akuzës, e kuptojmë dhe e ndjejmë të gjithë, por Prokuroria znj.Rama, nuk mundet e vetme dhe pa mbështetjen e fuqishme të një opozite të bashkuar, pse jo dhe mbarë popullore, ta fitojë këtë betejë midis lirisë dhe postkomunistëve që drejtojnë sot shtetin.
Hapësirat e saj kushtetuese sa vijnë e po kërkojnë t’ia ngushtojnë, madje deri atje sa në Projekt Ligjin “Për Prokurorinë Dhe Organizimin e Saj” ideatorët e urdhëruar, synojnë njësimin e Organit të Prokurorisë, me institucionet e tjera në vartësi të Kryeministrit. E gjithë kjo “reformë” që po bëhet nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit dhe “ekspertëve” të tij për fushën, ka si qëllim të vetëm: sigurimin e një prokurorie të “VARUR - PAK” me qëllim që t’u jepet “përgjigje” sa më shpejt, të gjithë problemeve dhe akuzave që janë ngritur kundër vetë qeverisë.
Nëse do të lejojmë akoma që në kuadër të “realizimit të reformave” komunisto-demokratike të kësaj qeverisje, shteti do të degjenerojë në diktaturë. Ndaj lipset dhe është detyrë e opozitës të zgjohet dhe të marrë në duar si duhet misionin e saj demokratik, atë të udhëheqjes së forcave progresiste demokratike për të larguar nga pushteti të paktën kryeministrin aktual, atë që ushqen korrupsionin dhe krimin shtetëror në emër të këngës së vjetër tashmë të stonuar dhe dalë boje, ”luftën ndaj korrupsionit”…
Në shumë raporte të organizmave të huaja dhe personalitete të spikatur të politikës botërore, mesazhet për një qeverisje të keqe nuk kanë munguar. Hera-herës ato madje kanë qenë edhe të drejtpërdrejta por (qeveria) nuk ”di” t’i lexojë, ose më mirë i vjen t’i lexojë si di ajo.
Dhe pas këtyre mesazheve të qarta, nxitojnë të komentojnë “sukseset dhe vlerësimet” tellalle dhe zvarranike zyrash që mbahen me taksat e popullit, e që kërkojnë të na servirin gënjeshtrën e radhës, si të vërtetë që as vet ata nuk i besojnë, kërkojnë të na mbushin mendjen se jemi më të mirët në reforma, më afër NATO-s…
Ata nuk kanë respektin më minimal ndaj nesh, a thua se ne, Shqiptarët, populli, zgjedhësit e përgjegjshëm të demokracisë, që me kaq mund po e ndërtonim, jemi kaq naivë…
Ndaj nuk mund të vazhdojmë të përdoremi akoma, nuk kemi më kohë për të humbur, ndaj të gjithë Ne që ndjehemi Shqiptarë duhet t’i bashkëlidhemi fort zërit të fuqishëm të ndryshimit të madh, për të larguar këtë qeverisje të mbrapshtë që rrezikon ta rrokullisi vendin mbrapa, drejt një diktature të re, që synon te rikthejë në Shqipëri, Nenin 55 të Kodit Penal…!!!