E Diel, 1 Nëntor 2026

Përvjetori i “Vatra”-s, një binjakëzim kuptimplotë me jubileun e pavarësisë

04-10-2011 / Nga Pjetër Jaku

Le të afrohen rreth kësaj organizate, ata që kanë të përbashkët atdheun dhe ëndrrat demokratike, që të ndihmojnë jo vetëm “Vatrën”, por në radhë të parë veten e tyre, duke qenë pjesë e një Federate, që bëri punë aq të mira për Shqipërinë e shqiptarët, sa historia i ka skalitur në faqet e saj të arta!
Federata Panshqiptare “Vatra” po ringrihet denjësisht në funksion të kohës dhe për kohën. Me ndryshimet që ndodhen pas ‘90-s (çlirimi i Shqipërisë nga kthetrat komuniste dhe Pavarësia e Kosovës) shtruan para “Vatrës” një fushë të re të veprimtarisë së saj. Ringritja në funksionin kuptimor jo gramatikor ka një tjetër domethënie. Orientimi i saj përherë i matur dhe i drejtë është vënë në shinat e ecjes së sigurtë e të një ndërtimi solid, për të qenë ashtu siç ka qenë këtu e njëqind vjet radhazi: Përfaqësuesja e vetme dhe më e denja e shqiptarëve në Amerikë! Lëvizjet në drejtimin e duhur për riorganizmin e degëve të saj “ Vatra” po u paraprinë me takimin e drejtpërdrejtë të kryetarit dhe kryesisë në ato qytete të Amerikës, ku shqiptarët janë më të organizuar. Riorganizimi në dy e tri shtete qe janë afër gjeografikisht, është më mirë se të lihen pa degë ata shqiptarë nacionalistë, që Shqipërinë e kanë kurdoherë të parën. Levizjet në ndihmë të Shqipërisë, sidomos në rastet e fatkeqësive madhore, siç ishin përmbytjet në Shkodër, tregojnë se “Vatra” dhe vatranët ende janë ata që ishin në fillimet e kësaj organizate kombëtare dhe patriotike, ku nuk kursyen asgjë për të mirën e vendit të tyre, edhe pse vendi i tyre bëri fare pak për ta.
Një nga ndihmat më të mëdha që i jep “Vatra” Shqipërisë është përkrahja e politikës demokratike, reformave dhe zhvillimit sa më të shpejtë, nismave parlamentare në të mirë të çlirimit të shqiptarëve nga vargonjtë komunistë, që ende në segmente të caktuara nxjerrin krye, duke penguar reformat dhe rreshtimin e vendit në krah të shteteve europiane. Këtë e tregojnë deklaratat e vazhdueshme, si dhe vizitat e delegacioneve të kësaj organziate në trojet shqiptare. Vetëm kohët e fundit, ende pa u bërë viti, kryetari “Vatrës”, Dr. Gjon Buçaj bashkë me vatranë të tjerë, si dhe biznesmenë e patriotë të njohur shqiptarë, vizitoi Shqipërinë në bazë të një protokolli takimesh te detajuar, duke u bërë pjesë edhe e agjendës festive të 100-vjetorit të Pavarësisë. Pra, qeveria shqiptare në këto organizime mori edhe “Vatrën” në komisionin që ka një rëndësi të veçantë, edhe pse “Vatra” është në përgatitjet e saj për 100-vjetorin e themelimit. Themelimi i “Vatrës” prej bashkimit të Shoqërive “Besa-Besë”, “Flamuri i Krujës” dhe Shoqërisë Kombëtare “Dallëndyshja", qe një akt i zgjuar dhe në kohë në ndihmë të çështjes kombëtare, ashtu siç nuk është asnjëherë vonë për t’u bashkuar, përherë në të mirë të vendit prej nga vijmë. 28 Prilli i viti 1912 i vuri vulen këtij bashkimi nën një sigël të vetme, në emër të së cilës u ndihmua Shqipëria në shumë forma, edhe pse për gjysmë shekulli pati një izolim total e të pashembullt. A ishte i lehtë ky bashkim? Patjetër që jo. Shqiptarët ishin ata që janë dhe do të jenë ata që ishin. Noli e dinte shumë mirë që po e linte veten dhe shokët e tij, kur thoshte në 50 vjetorin e “Diellit”: “Asnjëri prej nesh të mos guxoi të shkoi në botën tjetër pa u marrë leje shokëve, që të gjithë së bashku të shkojmë në 100 vjetorin e “Diellit”. Pra, ëndrra e Nolit u realizua. Pikërisht në 100 vjetorin e saj, “Dielli” rilindi dhe po vijon të ndrit me rrezet e tij kombëtare. Ky ishte dhe shqetësimi ynë, të cilin e bënë realitet ata vatranë që i dolën për zot ringritjes së kësaj vatre të zjarrtë, e cila s’pushon së përhapuri flakët e bashkimit dhe të mbajë ngrohtë nacionin të cilit i përkasim. Lëvizjet e viteve të fundit e bënë më të vështirë punën e kesaj organizate thellësisht kombëtare me një përmbajtje përherë demokratike dhe paqësore. Shqipëria u çlirua pjesërisht nga një pjesë e komunizmit, por jo nga shërbyesit e atij sistemi, të cilët vërshuan me shumicë edhe në Amerikë. Të gjithë u bënë të persekutuar për të fituar Amerikën kapitaliste, ndërsa nga ana tjetër mbështesnin falangat prej nga kishin ardhur, duke futur ndërkëmbëza, si e si të dobësonin vatrat patriotike të shqiptarëvë në Amerikë. Vatra më kryesore ishte “Vatra”, për të cilën po shkruajmë, e cila luajti rolin e shtetit shqiptar në Amerikë, kur Shqipëria i kishte mbyllur dyert dhe bënte jetën e ferrit komunist.
Po tani? Vatranët po afrojnë me kujdes elementë të asaj shtrese, që do ta vazhdojnë rrugën patriotike dhe paqedashëse si Agron Alibalin, Dalip Grecën, Merita Bajraktarin, Alfons Grishajn, Ermira Babaliun, Rush Dragun etj. Takimet e përfaqësuesve më të lartë të “ Vatrës” me kryetarët e shteteve te Kosovës dhe Shqipërisë, me Kryeministrat e Kryeparlamentarët, bashkëngjitja në Komisionin për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë tregon tepër qartë rëndësinë që ka kjo Federatë Panshqiptare. Shembulli i vatranve të mirë është kudo. Ata nuk janë vetëm Vasel Ujkaj e Kujtim Qafa, Julian Çefa e Franz Grishaj, Zef Perndocaj e Agim Rexhaj, Zef Balaj e Sabit Bytyqi, vëllezrit Genc e Mërgim Korça, Lek Mirakaj e Marjan Cubi, Jonuz Ndreu e Hysen Blloshmi, Merita Bajraktari e Agron Alibali, Armin dhe Rezarta Zotaj, Lambert Shundi, Dr. Indrit Reso, Eduard dhe Lek Buçaj, Astrit Lulushi e Dardan Blaku etj, por qindra e mijëra shqiptarë që heshtin dhe presin t’u thonë, kur duhet vetë t’i drejtohen “Vatres”, duke e konsideruar si shtëpinë e tyre, si vendin ku mund të ndjehen më ngrohtë se askund!
Le të afrohen rreth kësaj organizate, ata që kanë të përbashkët atdheun dhe ëndrrat demokratike, që të ndihmojnë jo vetëm “Vatrën”, por në radhë të parë veten e tyre, duke qenë pjesë e një Federate, që bëri punë aq të mira për Shqipërinë e shqiptarët, sa historia i ka skalitur në faqet e saj të arta!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›