E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipni tavolinash

Shtator 2000. Kushdo në Tiranë e shumëkush anekënd Shqipërisë, kujton tingujt e dritat e të parit manifestim modern në këtë vend, që u kurorëzua me nismën që shpejt u kthye në aksion kombëtar: "Kthim në identitet". Shfaqje, manifestime, paraqitje optimiste, rreshtim, shpalosje e resurseve, show masiv, këto qenë thelbi i saj. Të mëdhenj e të vegjël u entuziazmuan nga këto lloj nismash. Të majtë e të djathtë u vunë në lëvizje për t‘i kopjuar lart e poshtë Shqipërisë. Aso kohe, nisma të tilla edhe kur ishin disi sipërfaqësore, kishin një mision të madh për të kryer, atë të ringjalljes së shpresës.

T‘jua sqaroj ca më mirë? Po ju kujtoj një tjetër, atë të lyerjes së fasadave. Nismë e Ramës, aso kohe në Bashki, që shumë u anatemua e u përfol, pak u pëlqye publikisht, e shumë u sha. Unë i pari nuk e fsheh dot se s‘më pëlqente. Po sidoqoftë kjo lëvizje e arriti suksesin e vet, e kreu misionin e vet. Misioni nuk ishte të lyente me bojë gërmadhat dhe vjetërsirat e pashërueshme të Tiranës, po të zgjonte përgjumjen e qytetit dhe sidomos të qytetarëve, dhe e zgjoi, të tërhiqte vëmendjen e botës te ky kryeqytet i humbur dhe e tërhoqi. Ishin të tjera kohë ato. Shqipëria e dalë nga grija e komunizmit dhe depresioni i ‘97-ës, kishte nevojë për këtë frymë, për të besuar tek ringjallja. Dhe lyerja e fasadave, për sa ishte vetëm punë fasadash, e lojti rolin e vet. Pas kësaj e gjithë Shqipëria e entuziazmuar e imitoi këtë punë dhe sërish, të majtë e të djathtë, filluan të lyejnë qytetet e tyre, kush me gusto e kush pa gusto, po s‘mbeti qoshe e Shqipërisë pa u lyer.

Ditën që të gjithë filluan të lyejnë Shqipërinë, pikërisht atë ditë Rama hoqi dorë nga fasadat. Ato e kishin kryer misionin dhe ishte radha për shkundjen tjetër. Shumë të tilla mund të sjellim këtu vit pas viti, lëvizje që gjithnjë e më tepër u bënë politike sa më tepër që edhe Kryetari i Bashkisë po bëhej Kryetar i Partisë. Bash në këtë kohë, filloi të vinte edhe reagimi i politikës ndaj këtyre furtunave ndryshuese. Për sa kohë që goditjet ishin vetëm ndaj shoqërisë, reagimi i saj përgjithësisht ishte pozitiv, jo kundërveprues por bashkëveprues. Gjithçka ndryshoi ditën që Rama e drejtoi grykën e kacekut të erërave drejt politikës dhe era e ftohtë filloi të frynte brenda gunave dhe jorganëve të ngrohtë të Sistemit. Reaksioni normal do të kishte qenë kundërshtimi, që në fund do të sillte përplasjen e palëve dhe humbjen a tërheqjen e njërës palë. Po a ndodhi kështu, a ju kundërvu Sistemi Ramës, duke ëndërruar fitoren, por duke riskuar edhe humbjen. Jo ore, pse duhet t‘i hyjmë asaj pune, pse duhet të thyejmë hundët në një përplasje që s‘ja gjen dot kush fundin? Ǒkërkon e ç‘po bën ky Rama në atë partinë e vet? Po fut të rinjtë? Posi ore, i fusim edhe ne në partitë e politikat tona. Dhe askush nuk e mohon dot, se më së shumti politika shqiptare është sot e re në moshë, por që në shumë prej tyre të rinjtë janë më të mykur se pleqtë, djelmoshat janë më intolerantë se të moçmit, apo djemtë jua marrin në kthesë baballarëve për korrupsion.

Po tjetër çfarë do ky Rama? Të përfshijë femrat në politikë? Posi ore, i përfshijmë vetë ne, pa qenë nevoja të hapim udhë. Prapë të gjithë shohim femra të emërohen e votohen ngado, që nga Kryetarka e Kuvendit e deri tek Drejtoresha më e fundit, po rrallë shumë rrallë mund të themi se ato sollën ndonjë qytetarí a zbutje më shumë në Politikë. Njësoj është pushteti arrogant apo njësoj korruptohen drejtoreshkat sot si drejtorët dje. Madje edhe karrigia e Kryeprokurorit ju nënshtrua dyfish këtij formati: edhe femër, edhe e re. Ku mund të shkojë më e rinovuar, po e ndriçoftë Zoti e të mos i ngjajë atyre që zura n‘gojë më sipër?

Aq shumë ja mori dorën Sistemi Ramës në këtë mënyrë përballjeje, sa tashmë është në gjendje ta nuhasë brenda 24 orësh në çdo gjë të re. Nuk arriti ta formulonte Rama idenë e Politikës së Re, se nuk mbeti parti e madhe a e vogël, nuk mbeti politikan majtas e djathtas, që nuk zuri të përsëriste si papagall "Politika e re, Politikë e re, Politikën e re". Madje edhe pleq gjashtëdhjetë e kusur a shtatëdhjetëvjeçarë, zunë të ligjërojnë hesber para kamerave për politikë të re, aq sa pakkush kujton më se kush e shpalli dhe për ç‘arsye e shpalli sefte atë.

Me ç‘duket, Sistemi ja doli të fitojë imunitet ndaj rrezikut, thjesht duke imituar atë që bën çdo virus: Nuk përballet me vaksinën, por e imiton atë, duke fituar kështu imunitet ndaj goditjes. Shoqëria jonë në mes të kësaj kakofonie zërash që thërresin njësoj, nuk kupton më as nga vjen e reja, as nga fryn era, e as nga bien boritë, se tani u bien borive të gjithë. Në fund të kësaj udhe, më ngjan se do t‘i themi njëri-tjetrit të çuditur: "Ku ishe? Asgjëkundi".

MARSHIMI

Në shkurt të vitit 1914, kur xhandarmëria e shtetit të porsakrijuar shqiptar po bënte përgatitjet e fundit për pritjen pas pak ditësh të Princit Vid, kishte shpirt të gufuar me entuziazmin e fillimit për së mbari. Shumë gjëra s‘i dinin, po nuk dinin as më të rëndësishmen. Ditën kur parakaluan para Mbretit të tyre të ardhur nga Evropa, me zjarrin e dashurisë për atdheun e porsalindur, nuk dinin se po marshonin me hapin e gabuar.

Kaluan vite, ushtria shqiptare mes fukarallëkut të përgjithshëm të shqiptarëve u përpoq të bënte përpara duke marshuar kundër serbëve në luftën e Koplikut apo kundër italianëve në Luftën e Vlorës. Marshoi po nuk dinte prapë një gjë. Pastaj u duk për ca vjet se e mori veten, kur marshoi për vite me radhë nën Shqipërinë mbretërore të Zogut të parë. Marshoi si e si mundi, po prapë pa ditur se po marshonte gabim. Pastaj erdhi Italia, po prapë ushtarët shqiptarë ditën të marshojnë deri edhe në Romë, ku kishte shtëpinë mbreti tjetër i tyre. Marshuan pastaj udhëve të Tiranës, kur hynë në paradën e parë të pas-luftës fitimtare, më 28 nëntor të ‘44-ës. Marshuan edhe më ‘49-ën kur u vunë grekëve kufirin te thana, po aha nuk dinin se po marshonin gabim. Pastaj kaluan 4 dekada marshime nën diktaturë, kur breza të tërë ushtarësh e oficerësh, u rritën, u plakën e vdiqën duke marshuar për të mbrojtur vendin e tyre, po paskan vdekur më kot pa e ditur se marshonin gabim.

Në turp u përpoqën ta mbajnë kokën lart e hapin drejt edhe në mes të vitit ‘97, kur ata pak ushtarë që mbetën u treguan ushtrive të botës që erdhën të na mbrojnë nga vetvetja, se sidoqoftë shpirti i ushtrisë shqiptare ende marshonte. Po as ushtritë e botës, e as kjo e jona nuk e vunë re se po marshonin gabim. Marshuan pastaj ushtarët tanë edhe ditën kur i dhanë lirisë ndihmën e pakët që mundën, për të hyrë në Kosovë, në Bosnjë, në Afganistan e në Irak. Marshuan mes Tiranës së fundi në vitin 2004, tashmë më të ngrohur në zemër e më të plotë në radhë, ditën e fitores së 60 të Luftës së Madhe, por edhe atë ditë, paçka se e shtrinë hapin sa mundën, ju shkoi mundi kot, po marshonin gabim.

Dhe u desh të vinte dita e Diellit që ndrit dynjanë e tërë, e të bëhej ndënë-ministër i Mbrojtjes një farë Karabina a Karabushi, që të deklaronte se "duhet ndërruar hapi i marshimit të ushtrisë, pasi hapi i deritanishëm është ai i ushtrive pushtuese, ndërsa ne do të kopjojmë hapin e ushtrisë amerikane që nuk është ushtri pushtuese". Ka ca njerëz që këpusin kopaçe aq të trasha, sa për fat i thonë vetëm në televizor, se po t‘i thanë në sy, nuk meritojnë t‘u kthesh përgjigje me fjalë po me këpucë.

Njoh dhjetëra oficerë të të gjitha rangjeve. As ua merr mendja sa të dëshpëruar më dukeshin pas palo-paradës, ku qenë detyruar të ndërronin hapin e marshimit të gjyshërve e baballarëve të tyre, për hir të servilizmit të neveritshëm të politikës që qeveris. Aq e neveritshme sa, të parëve që u vjen për të vjellë, ma merr mendja të jenë amerikanët vetë, që them se u çpifet kur nga pas u ngjiten ca të tillë që u lëpijnë të ndënjurat orë e pa kohë. Nuk kanë nevojë për të tillët Amerika. Ka nevojë për ata burrat sypatrembur që marshojnë me ritmin e gjyshërve dhe shtrëngojnë pushkën e flamurin shqiptar atje në Irak. Mbahuni burra. Sa të tillë si ky Karabushi a Karabina a Karashejtani ka parë ky vend, aq të mira qofshin. Sa flamurë kanë ndërruar e shitur të këtillët që nga Haxhi Qamili e deri më sot, s‘ka kartë që i nëmëron dot. Falë Zotit që Shqipërinë as e bënë e as e mbajtën të këtillët, po burrat që marshuan nën Vidin, nën Zogun, a nën Enverin, pa parë Vidin, Zogun a Enverin, po vendin e tyre.

-Mirë, mirë, ta shifni, po s‘ju spiunova tek amerikanët, ju që flisni kundër hapit amerikan - na pëshpërit ky, ky mo, ky Karashejtani.

- Ik ore mbushu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›