Pavaresia e Kosoves do te shpetoje edhe vete Serbine
Para dy ditësh, më 7 dhjetor, u ndodha në Torino. Në fakt, isha i ftuar për të marrë pjesë në një konferencë mbi Kosovën, të organizuar nga Këshilli Rajonal i Piemontes, në bashkëpunim me Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Torino, Giovanni Firera. Bashkë me mua, nga pala shqiptare ishte dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Kosovës, Besim Beqaj. Ndërsa nga pala serbe, merrnin pjesë dy diplomatë të Ambasadës së Serbisë në Romë.
Më ka bërë vaki dhe herë të tjera të takohem e të bisedoj me serbë të ndryshëm të sërës sime, d.m.th gazetarë, publicistë, veprimtarë të shoqërisë civile. Madje, një herë jam takuar edhe me përfaqësues politikë të rangjeve të ndryshme (deputetë e zyrtarë). Në të gjitha këto raste, serbët që kam takuar më kanë lënë një shije të mirë. Më janë dukur mendjehapur, ekspansivë, racionalë, të shtruar; shkurt, më janë dukur njerëz me të cilët mund të bisedosh e me të cilët mund të lidhësh miqësi, ndonëse në të vërtetë miqësitë me serbë, deri në këto momente, për arsye që nuk jam në gjendje t‘i di, më mungojnë. Nuk kam dalluar te ta ndonjë përmasë autokritike e introspektive, por të gjithë këtë e kam justifikuar me faktin se takimet kanë qenë aq të shkurtra, sa nuk të lejonin të krijoje një ide të saktë mbi sho-shoqin. Në fund të fundit - kam menduar jo pa zemërgjerësi - nuk është e thënë që këtë përmasë të cunguar vetëqortuese ta interpretosh si një mungesë dramatike. Ne shqiptarët e kemi më të theksuar se kushdo (ne ndonjëherë, edhe në rrethana jashtëshqiptare, shkojmë deri në vetëpërqeshje e vetëpërçmim), gjë që nuk ka pse të na bëjë ta kërkojmë me ngulm te të tjerët; aq më pak mund të na bëjë ta shohim si kriter gjykimi.
Por e vërteta është se në të gjitha kontaktet është folur mbi çështje "jo djegëse". Dua të them se nuk është folur sidozot mbi Kosovën. Edhe kur ka qëlluar të flitet, gjithçka është bërë si shkarazi e në mënyrë të shpenguar, me një gjuhë sportive, të kujdesshme e reciprokisht neutrale, pa asnjë pasion e pa asnjë nervozizëm.
Nuk është se më ka shkuar mendja, që bazuar mbi këto kontakte, të bëj ndërtimin antropologjik e sociologjik të modelit të serbëve të sotëm. Nuk ja them shumë për të bërë kategorizime e katalogime të tilla. Nuk jam as jam i prirur t‘u besoj përkufizimeve të rrumbullakosura të këtij lloji, edhe pse e di që shumë të tjerë ia dalin të shquajnë herë mendjelehtësisht e herë shkencërisht një skelet karakterizues në komunitetet etnike e kombëtare. Në terma konkretë dua të them, se nuk më ka shkuar mendja të fajësoj gjithë serbët për atë që ka ndodhur me Millosheviçin e prej Millosheviçit. Edhe sikur ta bënim këtë, nuk është se do arrinim në ndonjë përfundim që do të turpëronte serbët e që do të nderonte popuj të tjerë. Një pjesë e madhe popujsh e shoqërish kanë pjellë diktatorë e diktatura, e megjithatë një pjesë e madhe e kësaj pjese, me t‘u çliruar prej regjimeve despotike, ia kanë dalë t‘i tregojnë vetes e botës një fytyrë të re. Këtë po përpiqemi të bëjmë - jo pa vuajtje e jo pa u sforcuar - ne shqiptarët; këtë po bëjnë ndoshta edhe serbët e sotëm, ku vihet re megjithatë që disa syresh - kjo është për të ardhur keq - vazhdojnë të llokoçiten në ujërat e turbullta të kënetës millosheviçiane. Prej kësaj kënete e prej kësaj zhgjëndrre mund t‘i nxjerrë ndoshta krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës, të cilën ata vazhdojnë ta shohin si një gjymtyrë të tyren. Kujtojnë se amputimi i kësaj gjymtyre do t‘u japë dhembje të padurueshme. Por në fakt, nuk ka për t‘u dhënë asnjë dhembje, pasi Kosova nuk është gjymtyrë e trupit serb; përkundrazi, është mish i huaj në atë trup. Kjo që thashë mund të merret si një metaforë, por në fakt janë të gjitha gjasat që shumica e serbëve ta shohë Kosovën si mish të huaj që, sa më shpejt të hiqet, aq më mirë është për ta. Edhe pse nuk e thonë këtë të vërtetë, ata e mendojnë.
Kjo përshtypje m‘u krijua edhe në konferencën e Torinos, ku dy diplomatët e ambasadës serbe më ngjanë me dy maska millosheviçiane. Ata dominuan gjithë sesionin e parë të këtij aktiviteti, ku ndodheshin autoritete të pushtetit lokal, profesorë universitarë, gazetarë, studentë, etj. E dominuan këtë sesion me gjuhën e tyre të drunjtë, të ashpër, të papërpunuar, gjë që ra në sy në gjithë auditorin; ra në sy, pasi u krijua një kontrast i madh midis mesazheve të paqta (në fakt, jo dhe aq shqiptare) të ligjërimeve të folësve italianë dhe mesazheve të plumbta të diplomatëve serbë. Italianët folën për një Ballkan kulturalisht e gjeografikisht evropian, folën për një Ballkan të integruar e të integrueshëm në BE, folën për procese bashkëpunimi në të gjitha fushat midis vendeve të rajonit, bënë paralele midis armiqësive të vjetra e të mëdha evropiane, të cilat - e dimë tanimë këtë histori - janë shndërruar në miqësi të mëdha, bënë aluzion (ndonjëri syresh) për konsekuenca dramatike, që mund të ketë pavarësia e Kosovës, por të gjitha këto i thoshin mes një motivimi të sinqertë e naiv, e pas një vështrimi të rajonit me gjyzlykë krejt neutrale.
Këtë gjë e bënte një ditë më vonë në "Corriere della Sera" edhe Sergio Romano, eksperti i njohur italian i çështjeve ndërkombëtare (e lexova duke u kthyer në Shqipëri me Alitalia-n), teksa bënte paralele midis Kosovës nga njëra anë dhe Skocisë britanike, Korsikës franceze, Tirolit të Jugut në Veri të Italisë, baskëve të Spanjës, flamingëve belgë, etj. Të them të drejtën, kurrë nuk i kam marrë vesh këto paralele. Etnitë evropiane të përmendura nga Sergio Romano nuk mund t‘i pengojë askush për t‘u shkëputur nga trungjet shtetërore, por puna është se ato ose nuk kanë asnjë motiv për ta bërë këtë, ose nuk gjejnë dot gjuhën e përbashkët mes vedi (shumicat e popullsive të tyre nuk e miratojnë ndarjen). Madje, ndarja e mundshme e flamingëve e valonëve, me fjalë të tjera shpërbërja e Belgjikës, po diskutohet me qetësinë më të madhe, s‘ka gjë se as flamingët e as valonët nuk kanë hequr asgjë prej sho-shoqit e prej entitetit shtetëror të tyre. Sikur skocezët, korsikanët, tirolezët e jugut, baskët apo flamingët të kishin pasur me "etnitë sunduese" të shteteve të tyre një të njëqindtën e eksperiencës dramatike që kanë pasur kosovarët nën serbët, askujt nuk do t‘i shkonte ndërmend t‘i frenonte këto "provinca" në rrugën drejt pavarësisë apo drejt bashkimit me trungjet e tyre natyrale.
Sidoqoftë, është e sigurtë që Sergio Romano nuk bën kuturisje partizane në këtë analizë të vetën. Ai thjesht operon me mjetet e metodat e Realpolitikës, gjë që nuk është e qortueshme, pasi askush nuk mund ta vërë në dyshim që politika është më shumë reale se sa ideale apo virtuale. Mirëpo analiza e tij më duket e gabuar, pasi e shoh të ngritur mbi themele të gënjeshtërta realpolitike. Edhe realpolitika do të sugjeronte adoptimin e variantit të pavarësisë së Kosovës. Do ta bënte këtë sugjerim, pasi ngado që t‘i vish rrotull çështjes në fjalë, paqja e Ballkanit (meraku kryesor realpolitik i fuqive të mëdha) ka më shumë gjasa të prodhohet prej pavarësisë së Kosovës se sa prej ruajtjes së sovranitetit serb mbi Kosovën. Dhe është pikërisht kjo optika, që kanë adoptuar diplomacitë e fuqive të mëdha, të cilat, ngaqë luajnë vetë në terren, dinë t‘i shtinë në punë gjyzlykët e realpolitikës më mirë se sa vëzhguesit e jashtëm. Këta të fundit janë më të prerë për të dhënë konsiderata etike, morale, apo për të nxitur diplomacinë e politikën planetare drejt qasjesh idealiste në procesin e vendimmarrjes. Por edhe përpjekja për të dhënë konsiderata të tilla - të paktën sipas meje; dhe në këtë pikë më shumë nga pozicioni i gazetarit se sa ai i shqiptarit - ta bën më familjare idenë e pavarësisë së Kosovës se sa idenë e Kosovës nën hyqmin e Beogradit.
Unë nuk thashë gjëra të tilla në Torino. Edhe Besim Beqaj më befasoi me përmbajtjen e vet, ndonëse kuptohet që ish me një qasje më "patriotike" se sa unë. E bëmë këtë, jo duke kafshuar gjuhën e jo për të marrë poza elegante përballë një auditori elegant, por sepse ishim të vetëdijshëm, se kishim shkuar në një konferencë ndërkombëtare, ku do të flitej për integrimin e Ballkanit mes vedi e me Evropën. Ndërsa diplomatët serbë nuk bënë gjë tjetër, veçse folën për Kosovën si djepin e qytetërimit të Serbisë, thanë se Kosova pikërisht për këtë shkak është e do të jetë pjesë e Serbisë, thanë se statusi i autonomisë maksimale do t‘u garantojë kosovarëve aq të drejta, sa asnjë pakicë nuk i ka në botën e sotme, thanë se Kosova e sotme është një shtet mafioz, thanë se pakicat serbe po vriten e po persekutohen, thanë se po synohet të ndërtohet "Shqipëria e Madhe". Të gjitha këto gjëra i thoshin në të vërtetë pa ndonjë pasion, duke dhënë përshtypjen se edhe vetë nuk i besonin, por kjo nuk e shpëtoi takimin e Torinos, i cili u komprometua rëndë prej frymës së tyre.
Çfarë rëndësi ka e gjithë kjo, teksa ky takim pati një karakter krejt periferik? Sigurisht, nuk ka asnjë rëndësi, por sa më sipër nuk i thashë për të theksuar rëndësinë e një takimi periferik, por për të theksuar se politika e diplomacia serbe nuk po mundin të dalin prej kurthit "të Kosovës së tyre". Është një kurth që i mban të mbërthyer tek vizionet e tyre të vjetra e të vjetruara mbi Ballkanin, mbi Evropën, mbi botën, e që nuk i lë të shohin përpara. Pavarësia e Kosovës duhet të vijë edhe për t‘i nxjerrë serbët nga një grackë e tillë.