E Diel, 1 Nëntor 2026

Koja: Në vend të Dules, marrim Karamelon

08/04/2005  Socialistët ftojnë PLDNJ-në për koalicion parazgjedhor

Partia Socialiste ka ftuar për bashkëpunim parazgjedhor Partinë e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, e kryesuar nga Ligoraq Karamelo. Kjo ftesë nga selia socialiste ndaj njërës parti së ndarë nga PBDNJ, bëhet kur janë shënuar divergjencat e para mes PS-së dhe Vangjel Dules për këto zgjedhje. Zëdhënësi politik në PS-së, Gjergji Koja, tha se "PS-ja është në negociata konkrete dhe të qarta për sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me partinë edhe të Karamelos, me qëllim që të konfigurojmë së bashku një koalicion të pranueshëm dhe të mirëpritur edhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe për të krijuar një koalicion, që do të respektojë fare mirë interesat dhe vullnetin politik edhe të minoritetit". Në deklarëtn e tij, Koja nuk ka ngurruar të sulmojë dhe PBDNJ-në, duke u shprehur se "minoriteti nuk duhet të masakrohet nga interesa klienteliste të ndonjë partie, që kërkon të luaj sot edhe me fatin e minoritetit së bashku me z.Berisha dhe PD-në". Duke nënvlerësuar këtë deklaratë, kreu i PBDNJ-së, tha se "nuk ja vlen që të merresh me deklaratat e zëdhënësit politik të PS-së", duke theksuar se mes partisë së tij dhe PS-së ekziston një koalicion, i cili është vetëm në planin qeverisës dhe jo në atë parazgjedhor. Aktualisht, PS-ja është shprehur se është e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike të spektrit të majtë, duke synuar kështu një zgjerim të koalicionit ekzistues. Nga këto deklarata nuk është përjashtuar as Lëvizja Socialiste për Integrim.

Karamelo: Do shikoj ftesën e socialistëve

Kryetari i Partisë për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Ligoraq Karamelo, thotë se do të shqyrtojë një bashkëpunim të mundshëm mes partisë së tij dhe Partisë Socialiste. Pas ftesës publike të bërë nga PS-ja, në adresë të PDLNJ-së, Karamelo tha se "do të shikohet si një mundësi bashkëpunimi mes partisë që unë drejtoj dhe PS-së. Por, aktulisht, nuk ka pasur ndonjë negociat paraprake për të qartësuar këtë deklaratë të PS-së". Ndonëse pas ndarjes nga PBDNJ-ja, Karamelo duket se po poziciononte qëndrimet e tij në spektrin e djathtë të politikës shqiptare, dje është lënë e nënkuptuar se mund të ketë dhe koalicion me socialistët. Karamelo shprehet se partia e tij synon që të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme dhe të gjitha veprimet e saj parazgjedhore do të peshohen për të drejtuar partinë në krahun e fituesve. Gjithsesi qartësimi i qëndrimeve mes PS-së dhe PLDNJ-së, nëse do të ketë një bashkëpunim për zgjedhjet, do të vendoset nga negociatat mes përfaqësuesve të këtyre forcave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›