E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefi i Departamentit të Gazetarisë, Artan Fuga mbështet studentët e Gazetarisë në protestë

>Fuga: MASH të rishikojë diplomat. Vitin që vjen, problemi do të jetë serioz  
Shefi i Departamentit të Gazetarisë, prof. dr. Artan Fuga ka gjetur një mënyrë tejet të veçantë për të folur lidhur me problemin e diplomave, që aktualisht shqetëson studentët e gazetarisë, por që vitet e ardhshme do të jetë i tillë edhe për degët e tjera dhe fakultetet e tjera të universiteteve shtetërore. Në Face Book, një prej siteve elektronike më të klikuara aktualisht në të gjithë botën, prof. dr Fuga ka shprehur mbështetje për studentët e gazetarisë, duke e konsideruar protestën e tyre si shenjë civilizimi dhe qytetarie, në kërkim të të drejtave të tyre që u takojnë me ligj. "Mesazhi i tyre është shumë emancipues për arsimin shqiptar dhe duhet dëgjuar me shumë kujdes nga instancat përkatëse. Desha t'i sjell në kujtesë publikut se studentët e gazetarisë janë nga kontingjentet më të mira të rinisë universitare që ka vendi. Departamenti i gazetarisë ka qenë në pararojë vitet e fundit për aplikimin e programeve të reja sipas parimeve të Kartës së Bolonjës. Pikërisht për këtë arsye studentët e tij janë të parët, që ndeshen me problemin e cilësisë së paraqitjes së dokumentit të diplomës që marrin në mbarim të studimeve", shkruan Fuga gjatë këtij artikulli virtual, duke i vlerësuar këta studentë si të rinj që tregu do të dijë ti vlerësojë për atë çfarë ata janë. Njëkohësisht, ai u tërhequr vëmendjen studentëve që të kenë kujdes dhe të mos bëhen pre e politikës, teksa kërkojnë zgjidhje për problemin e tyre. "Mos lini asnjë orë mësimi, nuk ka nevojë për politizime apo të përdoreni nga politika, sikurse e di që nuk pranoni t'ju marrin për naivë edhe pa jua dhënë unë këtë këshillë! Politizimet e bllokojnë administrimin dhe zgjidhjen e problemit, duke e futur atë në një logjikë elektoraliste që nuk ju shërben fare", u është drejtuar Fuga studentëve. Më tej, duke i bërë thirrje Ministrisë së Arsimit që ti rishikojë diplomat sa nuk është vonë edhe për brezat e tjerë, Fuga ka shprehur mendimin e tij edhe për hapësirat dhe mundësitë se ku diplomat e gazetarisë kanë vend për përmirësim. "Një komision i përbashkët studentësh, pedagogësh, drejtuesish universitarë, pasi të ketë bërë konstatimet e duhura, konceptuar propozimet, mund të ulet në tavolinën e dialogut me vendimmarrësit për të gjetur rrugët e zgjidhjes. Janë kaq të thjeshta e të qarta. Kam besim se askush nuk është i interesuar të mos e përmirësojë gjendjen, veç ndonjë nëpunësi të mesëm ulur mbi kanape diku në ndonjë kthinë zyre, që dëmton, me ose pa qëllim, për interesa aktorësh privatë, imazhin e arsimit të lartë publik", ka përfunduar prof. dr. Artan Fuga, duke premtuar se nëse do ti jepej detyra e koordinuesit të grupit modifikues të dokumentit të diplomës, si akademik, anëtar i këshillit të arsimit të lartë dhe shkencës, si universitar, si drejtues i Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, brenda dy muajve t'i parashtrojë zgjidhjet e duhura, të konsultuara, të "kopsitura" mbi tavolinën e punës së ministrit të Arsimit, duke i paraprirë një situate që sipas tij, mund të bëhet serioze vitin që vjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›