E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Bashkia e Tiranës shpërdoron buxhetin e qytetarëve

>Vasili: Zifti i gropave të sheshit Skënderbe nuk mbulon dot gropën e madhe të buxhetit të Tiranës
Sekretari i përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili ka denoncuar dje Bashkinë e Tiranës për shpërdorim të buxhetit të qytetarëve. Sipas Vasilit, menjëherë pas takimit të LSI me mijëra qytetarë të Tiranës, anëtarë dhe simpatizantë të saj, ku drejtuesit e LSI kanë kërkuar transparencë dhe ndershmëri nga Bashkia e Tiranës për menaxhimin e fondeve të buxhetit për qytetarët, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës nxorën mbrëmë në orët e vona, mes një shiu të dendur punonjësit, duke u përpjekur të mbulojnë me zift gropat e shumta të ndodhura në Sheshin "Skënderbej".
Sekretari i Përgjithshëm i LSI z.Petrit Vasili, ishte ndodhur afër punonjësve, të cilët ankoheshin se shiu i madh, do të prishte punën e tyre, komentoi këtë rast flagrant të Bashkisë së Tiranës. Vasili u shpreh se edhe këtë herë drejtuesit e bashkisë kanë shpërdoruar kontributin e qytetarëve, që çdo qindarkë e paguar prej tyre të kthehet në shërbim, por mbrëmë ata kanë bërë atë që dinë të bëjnë më mirë, duke u kujdesur më shumë për fasadë dhe demagogji, sesa për të rregulluar vërtetë kryeqytetin, si dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Është për të ardhur keq u shpreh ai që ky institucion i qytetarëve të kryeqytetit, vazhdon ende të abuzojë me paratë e taksa-paguesve të Tiranës. Sipas Vasilit, ky është një rast flagrant dhe i dënueshëm, sepse mbulimi i këtyre gropave të vogla me zift, nuk e mbulon dot atë gropë të madhe që ka krijuar Bashkia e Tiranës nga shpërdorimi i buxhetit të qytetarëve. Edhe njëherë zoti Vasili ka kërkuar nga Kryetari i Bashkisë zoti Rama të ulet me anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe të diskutojë për këtë buxhet, sepse sikurse tha ai, buxheti është i qytetarëve të Tiranës, jo i  Edi Ramës, apo i punonjësve të tjerë të administratës të Bashkisë, të cilët përpiqen ti mbushin mendjen qytetarëve duke e konsideruar votën e LSI-së, si votë politike. Përkundrazi tha Sekretari i Përgjithshëm, Vasili, LSI nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj tepër parimor dhe luajal, qëndrim ky që i shkon përshtat interesave dhe qëllimeve të komunitetit të gjerë të Tiranës. Edhe kryetarja e grupit të këshilltarëve të LSI, Monika Kryemadhi, gjatë  takimit të  djeshëm në  Pallatin e Kongreseve,  në  fjalë e saj u shpreh se prej dy muajsh qytetarët janë të shqetësuar me të drejtë se ku po shkojnë paratë e tyre. Ajo renditi një sërë arsyesh se pse LSI-ja nuk votoi buxhetin e 2008-ës për Bashkinë e Tiranës. "Buxheti bashkisë për 2008-ën ishte 98.8 milionë euro. Shpenzimet e administratës së bashkisë janë më të larta se sa kostoja e gjithë qytetarëve të Tiranës", tha Kryemadhi. Sipas saj, nuk dihen arsyet se pse nuk po ndërtohet Unaza e Madhe, por edhe pse nuk po ndërtohen banesat e të pastrehëve. "Duam të dimë se sa fusha sporti do të ketë për fëmijët tani, dhe cilat do jenë rrugët që do ndërtohen përfundimisht, pa pasur nevojë për rikonstruksion pas një viti", shtoi ajo. Gjithashtu, edhe kreu I LSI, Ilir Meta në takimin me qytetarët ka kritikuar Edi Ramën në cilësinë e kryetarit të bashkisë, se nuk ka bërë transparent destinacionin e taksave të paguara nga qytetarët e Tiranës. Do të ftoja kryetarin e bashkisë që të bëjë transparent procesin e destinacionit të taksave që paguajnë qytetarët. Mungesën e kësaj transparence ai nuk mund ta fshehë për arsye të rëndomta, duke folur për bashkëpunimin Meta-Berisha. Kjo është një situate për të ardhur keq për kreun e bashkisë së Tiranës, që e di mirë se cili është kontributi im për kryeqytetin, ka nënvizuar Meta.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›