E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku njerëzor, 20 studentë të tjerë në pyetje

13/05/2009  Prokuroria ka çuar në laborator për ekspertim shkencor 53 lejë kalimi

Zbardhet skema e trafikimit të personave në këmbim të 3500 eurove

TIRANE- Për identifikimin e plotë të autorëve që pajisën në mënyrë të parregullt 167 studentë me viza hungareze, Prokuroria e Tiranës dje ka marrë në pyetje rreth 20 prej tyre, të cilët kanë deklaruar mënyrat e marrjes së vizave turistike si dhe disa veprime të dyshimta të administratores së agjencisë turistike “Mar-Est. Travel”. Mësohet se para hetuesve të akuzës kryeqytetase shumica e studentëve kanë deklaruar se administratorja e agjencisë turistike Iris Çekani, pasi është informuar se një grup i madh studentësh do të kryente një vizitë turistike në disa vende të Evropës, ajo ka filluar të interesohet për gjetjen e personave që kishin interes të largoheshin nga Shqipëria me dokumente false. Madje për të arritur qëllimin e saj, 37-vjeçaria Çekani ka insistuar në disa persona që nuk ishin studentë, të cilëve u është lutur që kundrejt ryshfetit prej 3500 euro, të bëheshin edhe ata pjesë e këtij grupi studentësh. Mësohet se pas pajisjes me viza të falsifikuara, këta persona nuk do të ktheheshin më në Shqipëri, pasi plani i tyre ishte qëndrimi në shtetet ku ata kishin lidhjet miqësore apo shoqërore. Ndërkohë që për të zgjeruar numrin e personave që janë pajisur me viza në mënyrë ilegale, Prokuroria e Tiranës ditën e djeshme ka çuar në laborator për ekspertim shkencor plot 53 lejë kalimi. Burimet thanë se ato do i nënshtrohet një analize të imtësishme dhe më pas në ditët në vazhdim nga ekspertët do të nxirret një konkluzion përfundimtar, se sa nga vizat janë të rregullta dhe sa të falsifikuara. Ndërkaq mësohet se dhe vetë studentët pritet që sot të bëjnë kallëzim penal në të njëjtën Prokurori, për agjencinë që i kishte siguruar ata për udhëtimin turistik. Prokuroria do të hetojë në këtë mënyrë nëse ka pasur raste të tjera të trafikut klandestin duke u maskuar nëpërmjet udhëtimeve të studentëve që vijnë nga universitetet private. Trafiku i klandestinëve u zbulua nga autoritetet italiane pasi 20 persona kishin paraqitur dokumente të falsifikuara sikur të ishin edhe ata studentë duke siguruar kështu edhe vizën turistikë. Por përmes një deklarate për shtyp ambasada hungareze ka sqaruar se pasi kishte lëshuar vizat, konsullata u informua se të dhënat e akomodimit në hotel të grupit ishin false.

Të arrestuar:

Iris Çekani

Valet Marshi

Ne gjendje te lirë

Marios Rizai

Taulante Bega

Nazmi Zeneli

Ada Qadhimi

Ekspertizë

53 vizave turistike

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›