E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pjesëmarrja në Kongres s'do të thotë bashkim

06/05/2005  Dritan Ylli

Përfaqësuesi i LSI-së në Kongresin e PS-së, Dritan Ylli, është shprehur se pjesëmarrja në këtë takim, nuk do të thotë mundësi bashkëpunimi. Ai e ka vlerësuar këtë si një ndryshim të politikës shqiptare, duke u larguar nga konfliktualiteti. “Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim është shprehje e një kulture të re politike, që po kërkon të implementojë partia jonë në skenën politike shqiptare, deri tani të uzurpuar nga forcat ende të mëdha në parlament dhe tashmë të konsumuara dhe të vjetra, nga ana tjetër, si forca me program kryesisht me ide të majta. Ne respektojmë anëtarësinë e PS-së, kuptohet kjo nuk do të thotë që pjesëmarrja jonë këtu është ndonjë sinjal për ndonjë bashkëpunim, apo aleancë para apo paszgjedhore, pasi ne tashmë i kemi hedhur poshtë dhe i kemi deklaruar që do të dalim të vetëm në zgjedhje, dhe nuk bëjmë asnjë aleancë me monopolistë për pushtet. Pjesëmarja jonë në Kongresin e PS-së do të thotë që LSI-ja ka firmosur një kod etike dhe është për moral të ri, dhe jo për një politikë konfliktuale, siç ka ndodhur deri tani, ku politikanët kanë menduar vetëm për llogaritë e interesit të tyre dhe jo për popullin. Ne jemi këtu për të thënë që jemi të majtë, jemi për të majtën progresiste, për të majtën e re, për të majtën që mendon për popullin dhe jo për të majtën që mendon për vete dhe interesat e monopoleve”, tha Ylli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›