Kokainë me postë nga Argjentina, arrestohen dy shtetas
Policia gjermane njoftoi për trafikun e drogës në rrugë postare
Policia po heton për një rrjet më të gjerë trafiku
Drogë me postë nga Argjentina, arrestohen 2 shtetas, të cilët rezultojnë të jenë pronarët e pakos. Policia kishte sinjalizime nga kolegët e tyre gjermanë se nga Argjentina është duke ardhur në Shqipëri një pako në rrugë postare, brenda së cilës dyshohet të ketë lëndë narkotike të llojit kokainë. Kanë qenë skanerët në të cilët ka kaluar pakoja që kanë nxjerrë përbërësin e pakos. Por, ajo që i interesonte policisë ishin pritësit e saj në vend, çka do hidhte dritë mbi pjesëtarët e këtij rrjeti trafiku. Kështu, policia ka zënë pozicion dhe ka pritur derisa pakoja të dorëzohej te pronarët e saj. Sapo dy shtetasit Eglant Muka e Eduart Smajli kanë tërhequr pakon e ardhur nga Argjentina, policia ka startuar operacionin dhe u ka komunikuar akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Operacioni “Asta la Vista” është finalizuar në orët e vona të dy netëve më parë, konkretisht rreth orës 23:30, nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Postën Shqiptare, policinë gjermane dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke arrestuar shtetasit Eglant Muka, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i padënuar më parë dhe Eduart Smajli, 41 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, me arsim 8 klasë, i dënuar më parë për “trafikim të lëndëve narkotike” në Itali. Sipas burimeve zyrtare policore, arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal, pasi kanë trafikuar më shumë se gjysmë kilogrami kokainë. Nga hetimet paraprake, të kryera me metoda speciale, mësohet se shtetasi Eglant Muka dhe shtetasi Eduart Smajli janë arrestuar në flagrancë duke trafikuar sasinë prej 560 gramësh lëndë narkotike, lloji kokainë, e ndarë dhe e paketuar në 4 pako. Lënda narkotike, sipas burimeve zyrtare policore, është nisur në rrugë postare nga Argjentina me destinacion Tiranën. Dy shtetasit e mësipërm kanë tërhequr pakon, brenda së cilës ishte fshehur lënda narkotike. “Me cilësinë e provës materiale, shtetasve të mësipërm iu sekuestrua sasia prej 560 gramësh lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë”, - përfundojnë burimet policore, duke shtuar se “nga ana e grupit hetimor vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik”.