E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt Kronika

Shkodër

Vrau për konflikt pronësie, arrestohet 48-vjeçari Marjakaj

Policia e Shkodrës arriti të arrestojë autorin e dyshuar të vrasjes së dy netëve më parë të një shtetasi, për motive të dyshuara pronësie. Burime zyrtare nga policia e qytetit të Shkodrës bëjnë me dije se është bërë prangosja e 48-vjeçarit Pashuk Marjakaj, lindur e banues në fshatin Benë të Komunës Temal në rrethin verior. I dyshuari akuzohet se i mori jetën me armë zjarri, pistoletë, bashkëfshatarit të tij Prend Podja, 58 vjeç, nga i njëjti vendbanim. Ngjarja ndodhi në orën 18:00 të dy ditëve më parë, në fshatin e thellë malor në banesën e të dyshuarit Pashuk Marjakaj. “Krimi erdhi për motive të dobëta, pasi dy bashkëfshatarët kishin një konflikt pronësie me njëri–tjetrin”, - sqaruan burime nga grupi hetimor, të cilët pasi sekuestruan dhe armën e krimit, tani akuzojnë Marjakajn për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Durrës

Gjendet e vdekur e moshuara, kishte tri ditë e pajetë në banesë

Një grua në moshë të thyer është gjetur e vdekur në banesën e saj në Durrës, ku jetonte e vetme dhe hetimet nxjerrin se e ndjera ka ndërruar jetë tri ditë para se të gjendej. Sipas burimeve zyrtare nga policia e qytetit bregdetar të Durrësit, Lije Toska, lindur në qytetin e Durrësit dhe me banim në lagjen nr. 6, u gjet në orën 16:00 të dy ditëve më parë në shtëpinë e saj, nga fqinjë që lajmëruan policinë. Kjo e fundit dërgoi një grup hetimor, që konstatoi se viktima është gjetur e vdekur në kuzhinën e banesës së saj ku jetonte prej shumë kohësh e vetme. “Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera mendohet se vdekja e kësaj gruaje, e cila ka ndodhur para dy apo tre ditësh, ka qenë natyrale, gjithsesi, materialet procedurale i kaluan për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Rrethit Durrës”, - deklaroi policia.

Efektivë të FNSH-së apo policisë, të dypunësuar gjatë natës

Efektivët e FNSH-së, të dypunësuar gjatë orëve të vona të natës si truproja në lokale nate apo kazino. Madje, më keq akoma, duke ushtruar funksionin e truprojës me armën e shërbimit, madje si në rastin e dy netëve më parë, duke e përdorur atë për të vrarë njerëz. Sipas burimeve, nëse bën një kontroll të imtësishëm nëpër lokale nate, kazino apo dhe restorante, do të konstatosh se janë të punësuar si rojë sigurie apo truproja efektivë policie, madje të gjithë me pistoletat e shërbimit në brez.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›