E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokona: Rama i ka vjelur taksat për bizneset, sipas preferencave të tij

Rritja e taksave abuzive, shprehet kreu i njësisë bashkiake numër 3
Dyfishimi i taksave vendore si për qytetarët e thjeshtë ashtu edhe për biznesin, brenda harkut kohorë që nga viti 2007-2009, nga një vendim i Këshillit Bashkiak, është bërë në kundërshtim të plotë me propozimet dhe vullneti i kryetarëve të njësive bashkiake të kryeqytetit, gjithashtu nuk është kuvenduar as edhe me popullin. Sipas Kryetarit të Njësisë Bashkiake Nr. 3, Ilir Kokona, jo vetëm ai vetë, pot pjesa më e madhe e krerëve të minibashkive e kanë kundërshtuar këtë vendim për rritjen e taksave më 30 % në vit dhe kanë kërkuar transparencë për mënyrën e menaxhimit të këtyre parave. Taksa e pastrim-gjelbërimit është dyfishuar dhe ne e kemi kundërshtuar me të gjitha mjetet e tona të mundshme. Madje, i kemi kërkuar edhe lehtësim deri në heqjen e taksave të shtresave në nevojë, siç janë të verbrit, invalidët, pensionistët, të papunët, familjet me të ardhura të pakta ekonomike etj. Kështu, këto kategori të shoqërisë i nënshtrohen taksave të vendosura, pa përjashtim, ashtu si qytetarët e tjerë, pa u marrë parasysh mundësitë ekonomike të tyre, nëse munden ti përballojnë këto taksa apo jo. Kemi kërkuar që emigrantët që vijnë një herë në vit në Tiranë, pra si turistë, të mos paguajnë taks banese, pastrim-gjelbërimi, sepse kjo është një e padrejtë dhe dëm ekonomik që u bëhet kësaj shtresë. Është e jo e drejtë që një emigrant që nuk banon në shtëpinë e tij dhe në qytet të paguajë taksat vendore, kur ky i fundit nuk ka marrë asnjë shërbim për ato që paguan, u shpreh Kokona për gazetën SOT. Veç të tjerave Kokona shtoi se, Rama përpara se të bëjë transparente programin e fushatës dhe mbjelljen e pemëve, duhet të bëjë transparente në stacionet televizive rritjen e taksave vendore nga Bashkia, në mënyrë që populli të informohej për atë çka do të paguajë. Problemet dhe faktet që prekin më shumë qytetarët e kryeqytetit nuk bëhen transparente. Për sa i përket menaxhimit të taksave të vjelë nga Bashkia e Tiranës, Kokona u shpreh, se kërkesa themelore e bërë nga krerët e` minibashkive ndaj Edi Ramës, transparenca në buxhet. Të dëshmoheshin publikisht % e taksave të vjelë nga njësitë bashkiake. Menaxhimi i tyre dhe publikimi në mënyrë të detajuar duke përcaktuar vendin se ku kanë shkuar këto para. Politika e ndjekur nga Bashkia e Tiranës po seleksionon bizneset në vend. Shumë biznese kanë falimentuar për shkak të rritjes apo dyfishimit të taksave. Vetëm muajt e fundit kanë falimentuar 20 biznese në kryeqytet. Një pjesë tjetër e bizneseve po favorizohen gjatë procesit të vjeljes së taksave, për shkak të konfliktit të interesave. E njëjta situatë paraqitet edhe me Policinë Ndërtimore, e cila po rrjep popullin duke parë para në këmbim të mos prishjes së objekteve, u shpreh ai. Sipas Kokonës, si rrjedhojë e rritjes së taksës si për qytetarët ashtu dhe për biznesin, reagimet dhe pakënaqësitë e popullit kanë qenë në kulmin e tyre. Pranë zyrave të Njësisë Bashkiake Nr. 3, janë ankuar çdo ditë qytetarët dhe kanë kërkuar sqarime se mbi çbaza janë rritur këto taksa. Kokona bëri të ditur se qytetarët përplasen në zyrat e minibashkive, sepse ata nuk kanë informacionin e nevojshëm se kush i kujt institucion është ekskluzivitet rritjeve e taksave dhe mbi rolin që kanë luajtur njësitë bashkiake.
Roli i minibashkive në rritjen e taksave   
Ndërkaq, sipas Kryetarit të Njësisë Bashkiake Nr. 3, Ilir Kokona, Bashkisë së Tiranës i është kërkuar, jo vetëm ndalimi i rritjes së taksave për qytetarët, por edhe dëmshpërblimi financiarë të bizneseve të falimentuara në Tiranë, për shkak të vendimit të miratuar. Minibashkitë e kryeqytetit kanë luajtur një rol pozitiv në krah të qytetarëve dhe bizneseve, por mendimi i tyre është shpërfillur nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak. Së fundmi, Kokona shtoi se Bashkia e Tiranës nga njëra anë e pranon se vendi është në krizë dhe i bën thirrje qeverisë të marrë masa dhe nga ana tjetër ngre taksat vendore. Jep fonde për rikonstruksionin e tregjeve kur në të vërtetë tregjet nuk ekzistojnë fare, pra janë në rrugë.

Last Updated on Wednesday, 15 April 2009 22:41

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›